Vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të personave të shtetasve të ndryshëm joamerikanë nuk mund të apelohen dhe rrugët për rrëzimin e tyre janë të kufizuara.
Analisti Baton Haxhiu thotë se e vetmja mënyrë që ky vendim të anulohet është përmes një vendimi tjetër të Kongresit, ose të vizitojë SHBA me ftesë të Presidentit amerikan.
“E keqja e këtij vendimi është se nuk apelohet dhe ai mund të revokohet vetëm me një vendim të ri të Kongresit, ose Presidenti i shtetit me një ftesë të veçantë për të vizituar shba. Këto janë praktika që janë zbatur ndaj të gjithë atyre që kanë pësuar një vendim të tillë të DASH”, tha Haxhiu në emisionin Opinion.
Gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci tha se klasifikimi non grata sipas parashikimit të bërë publik nga Sekretari Blinken bëhet mbi bazën e akuzave për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.