Grupi Hetimor pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë ka vendosur të thellojë hetimet lidhur me rastin e vdekjes së 23-vjeçares Evgjeni Baxho. Ajo humbi jetën pak ditë më parë, ndërsa fillimisht u tha se kishte një infeksion në dhëmballë, ndërkohë që në trupin e saj u gjetën shenja dhe shkrime me lapustilë.
Burime për mediat bëjnë me dije se sot halla e saj ka shkuar në polici dhe ka dorëzuar një laptop, që përdorej nga mbesa e saj dhe që para disa ditësh, para se të vdiste, ajo e kishte lënë në shtëpinë e hallës.
Po ashtu, halla ka dorëzuar dhe një listë me emrat e miqve të mbesës, që të pyeten nëse kanë dijeni për diçka që mund të ketë lidhje me shkakun e vdekjes së të resë.
Lidhur me shkakun e vdekjes së saj, paraprakisht analizat kanë nxjerrë se 23-vjecarja ka pasur komplikacione në mushkëri. Po ashtu, ajo ka pasur edhe një infeksion të rëndë në dhëmballë, për të cilin po mjekohej me antibiotikë prej 10 ditësh.
Policia ka sekuestruar në banesën e saj disa medikamente dhe receta të lëshuara nga mjekë. Ndërkohë, pritet raporti përfundimtar mjeko-ligjor për të zbuluar shkakun e vdekjes së saj.