Skifterët e Lulzim Bashës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ermal Mulosmani

Për 10 ditë në Partinë Demokratike janë zgjedhjet për Kryetarin e ri. Gjithkush me dy palë mend e ka të qartë që Lulzim Basha, Kryetari aktual i kësaj Partie do të konfirmohet në këtë post. Këtë e kanë të qartë (mendoj unë) edhe vetë kandidatët e tjerë për Kryetar. E gjithë struktura e partisë punon për të. Koha e shkurtër e fushatës nuk i lejon kandidatët as të shkojnë në çdo organizatë lokale e lëre më të paraqesin alternativën e tyre. Zgjedhjet janë një farsë jo në kuptimin e kandidatëve falsë (siç ka qenë deri tani) por të konkurimit thellësisht të pabarabartë në mes tyre.

Këtë e di i pari Lulzim Basha. Prandaj është krejt i qetë.

Sllogani “Ose këtu ka pasë masakër elektorale dhe unë duhet të rri ose Rama ka fituar me meritë dhe unë duhet të iki” është gjëja më pakuptim që kam dëgjuar ndonjëherë. Po pse nëse Rama ka bërë masakër elektorale ti duhet të rrish?! Ti me këtë strategji mund të rrish gjithmonë. Rama fiton, ti thua “ishte masakër”, militantët duartrokasin dhe ne shkojmë përpara nga humbja në humbje në kërkim të fitores. Çfarë është ky ngazëllim gjithëdemokratikas për masakrën? Për të qenë viktima e saj? Nëse të kanë bërë masakër duhet të hapësh krahun. Djegia e mandateve ka qenë vendimi më i papërgjegjshëm i ndonjë Partie politike ndonjëherë. Pasojë direkte e atij veprimi është humbja e zgjedhjeve. Pikë.

Nëse djegia e mandateve ishte vendimi i duhur në 2019-ën përse duhet që në 2021-in PD të futet në Parlament?! Pas një masakre elektorale mafioze siç pretendohet?! Futja në Parlamentin e ri konfirmon absolutisht gafën e djegies së mandateve në 2019-ën.

Kandidatët e tjerë për Kryetar të PD-së kanë platforma të mira, demokratike për drejtimin e PD-së në rast të fitores së tyre. Ndërkohë, Basha as denjon të shpalosë platformë. Ai është i çuditur edhe pse dikush i ka marrë seriozisht këto zgjedhje, ai e di rezultatin. Prandaj edhe del e bën retorikë për zgjedhjet e përgjithshme të humbura si arsye për të fituar garën e brendshme!

Vendimi I DASH-it për Berishën ishte dhuratë nga Zoti për Bashën. Anëtarësia e Partisë u trondit fort, goditja ishte e paprecedent. Basha shpresoi që Berisha të ikte nga Partia dhe ai të mbretëronte pa hijen e tij. Vendimi i Berishës për të vazhduar fort luftën në Parti e gjeti të papregatitur. Ai e di shumë mirë që anëtarësia e Parisë Demokratike nuk do ia falte kurrë një qëndrim kundër Berishës ashtu siç e di që një qëndrim i prerë anti-DASH është jo më pak i rrezikshëm. Prandaj zgjedh të bëjë atë që di më së miri të bëjë: të jetë me të dy dhe me asnjërin. Ky qëndrim ambig u pëlqen edhe anëtarësisë. “Ky edhe mbron Berishën edhe nuk i del kundër Amerikës”. Nuk duan ta kuptojnë që nuk ka rrugë të ndërmjetme.

Lexo edhe :  Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Pak a shumë të njëjtin qëndrim ndaj zotit Berisha mbajtën edhe kandidatët e tjerë. Pak më i guximshëm ishte Shehaj me deklaratën skuthe : “No koment!”. Pra dukshëm ai mori anën e DASH-it duke rrezikuar edhe ato pak vota që mund të merrte nga anëtarësia. Them ishte deklaratë “skuthe” pasi duhej të kishte kurajon të thoshte mendimin e tij edhe sikur kjo t’ia hiqte të gjitha votat. Ose guxo tamam ose struku si të tjerët.

Para dy ditësh Shehaj u takua me Ambasadoren e USA-s, njëkohësisht personazhin më të urryer të anëtarësisë së PD-së. Duke dashur t’i shtojë diçka më shumë qëndrimit të tij pro-amerikan, Shehaj e publikoi në Fb e tij takimin me arsyetimin “shfajësues”: “me kërkesën e saj”. Sigurisht ky publikim bëhej për të shtuar pikë profilit të tij pro-amerikan në konfliktin DASH- Berisha.

Militantët iu vërsulën, e pashë vetë. 90% e komenteve ishin denigruese. Ata komentues ishin të gjithë demokratikas, militantë të thekur. Nuk them se ishte e organizuar nga lart por ishte nxjerrje mllefi. Mezi pritën të gjenin një syresh që po flirtonte me ambasadën dhe iu lëshuan.

Tani po shoh që disa zëra publikë afër PD-së po e shajnë Agronin si paranojak. Dmth anëtarësia e shajnë Agronin pse shkoi në ambasadë por nuk janë anti-amerikanë. Hajde gjeje se çfarë janë. Ky është njëfarë lloj servilizmi i denjë për Frrok Çupin. Ai gjen të tilla sofizma për të mbrojtur idhujt e tij të radhës. Sulmi ndaj Shehajt nga skifterët e Lulit është mungesë dinjiteti. Kështu e shoh unë. Ai me vërtetë ka disa cilësi inferiore ndaj Bashës si karizma e munguar, ligjërimi me probleme, hutia, mungesa e fjalorit por këto janë cilësi më pak të rëndësishme sesa prejardhja politike, vendosmëria për të luftuar korrupsionin jo me fjalë por me fakte, platforma demokratike, aftësitë organizative dhe mungesa e skandaleve apo dështimeve në historinë politike.

Të dashur skifterë,

Basha do të fitojë mbi 80% të votave të anëtarësisë me 13 Qershor. Unë do jem në anën e humbësve, e sigurtë. Prandaj përmbajuni se nuk është i domosdoshëm kontributi juaj. Është ku e ku më dinjitoze të mbrosh një figurë të re, qoftë edhe me disa probleme të vogla, sesa një figurë të konsumuar nga humbje të njëpasnjëshme që festohen si “fitore të vjedhura”. E në mos mundshi të jeni kaq dinjitozë, të paktën rrini indiferentë se humbësi juaj do të fitojë sërish…

Një fitore plebishitare që do të sjellë një humbje të tillë 4 vjet më pas.

Të fundit

A beson Arjan Çani në Zot?

Të "Pashoq" vjen në këtë atmosferë Krishtlindjeje, me një puntatë speciale dhe një të ftuar po kaq special. Arian Çani...

Sa herë e ka tradhtuar? Blendi Fevziu çudit: E kam humbur gruan 11 vite vetëm se..

Gazetari i njohur i emisionit ‘Opinion’ Blendi Fevziu ditën e sotme ka qenë pjesë e një interviste për revistën ‘Class’. Ai i është përgjigjur ‘100...

Si mund ta arrijë Berisha, qeverinë teknike! Flet Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Intervistën e Ditës nga Ermal Peçi në Dritare TV tha se Sali Berisha nuk mund ta kushtëzojë Edi...

Eksperti i sigurisë ushqimore: Shqiptarët po helmohen me pesticide

Eksperti i sigurisë ushqimore Ervin Resuli ka folur për problematikat me ushqimet dhe debatin e ditëve të fundit me pesticidet në fruta. Ai ka vlerësuar...

“Shqipëria, Maldivet e Evropës”/ Kumbaro: Reklama më e mirë, turistët!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë intervistës për “Real Story” foli gjithashtu edhe për cilësimin që shpesh po i bëhet Shqipërisë si...

Lajme të tjera

Web TV