Qeveria shqiptare miratoi 2 vite më parë memorandumin e mirëkuptimit me qeverinë amerikane për sigurinë 4G dhe 5G.
Në vendimin e miratuar nga qeveria shqiptare nuk jepeshin detaje pasi cilësoi si e klasifikuar si “çështje të sigurisë kombëtare”, por me këtë veprim autoritetet shqiptare u radhitën qartësi në krah të SHBA, në përplasjet që aleati ynë kishte me superfuqinë tjetër Kinë.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një moment shumë të rëndësishëm, marrëveshjen e nënshkruar ditën e sotme me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për teknologjinë 5 G. Rama ftoi edhe vendet e rajonit që të bëhen pjesë për një korridor të sigurt komunikimi, dhe mos të lejojnë të kompromentohen nga aktorë të tretë.
‘Për mua është moment i rëndësishëm. Kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë, duke i kërkuar dhe të tjerëve, vendeve në Rajon, që të bëhen pjesë dhe të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi.
Ta vëmë këtë korridor shërbimesh në duart e institucioneve shqiptare dhe të mos lejomë që të komprometohet nga aktorë të tretë. Është krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush dhe SHBA-ve, përherë. Faleminderit shumë për këtë dhe shpresoj që së bashku do i bindim miqtë të tjerë në Rajon”, theksoi Rama.