Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Kosovë, ku një 13-vjeçare dyshohet se ishte viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona për një kohë të gjatë, shkruajnë mediat në Kosovë.
Por ajo çka e rëndon më tepër situatën është fakti i neglizhencës së familjes, si dhe mes të dyshuarve që akuzohen për abuzim seksual është edhe xhaxhai i 13-vjeçares.
Më 16 qershor familjarët e kishin raportuar të zhdukur adoleshenten. Por Pas kërkimeve të bëra, njësitë policore të Lipjanit e kishin gjetur vajzën në një shtëpi të pabanuar në gjendje të mjerueshme, e bashkë me vajzën gjetën edhe një rrëfim tronditës.
Sipas mediave në Kosovë 13-vjeçarja prej disa kohësh ishte përzënë nga familjarët e saj. Kjo e kishte detyruar atë që të flinte e vetme rrugëve.
Deri më tani policia ka arrestuar një 51-vjeçar, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Rasti i rëndë është konfirmuar nga policia e Kosovës:
“Denoncimi për rastin person i zhdukur ( fëmijë, 13 vjeç, femër) është bërë më datë 16.06.2021 në stacionin policor në Lipjan. Më datë 17.06.2021 policia ka arritur të gjej personin dhe konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit ka nisur trajtimin e të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen, me ç’ rast janë ngritur dyshime edhe për keqpërdorim seksual’’, thuhet në përgjigjen e Policisë, shkruan Periskopi.
“Një i dyshuar mashkull, 51 vjeç, është arrestuar nga ana e policisë dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar dhe paraqitur më tej mekanizmave relevant në procedurë’’, përfundon Policia.