Bronzi i shqiptarizmës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Visar Zhiti

 

Kthehet në Kolonjën e tij në bronz legjendari Sali Butka. Jeta e tij është histori, pjesë e kujtesës dhe e ndergjegjes Kombetare, që i duhen të tashmes dhe ardhmërisë. Luftstar, poet popullor e diplomat popullor, strateg e vizionar, Sali Butka shpëtimin e atdheut e shikonte te përkjekjet e përbashkëta dhe te dija, ndërsa te Amerika shikonte shpëtimtarin nga copëzimi prej lakmive të fqinjëve… E madhërishme nuk është vetëm shtatorja tani, por dhe akti: kthimi i Sali Butkës i bronztë në truallin e tij është dhe pergjegjshmëri e të sotmes, përlindje e besimit, vazhdim i triumfit të ndërgjegjes së Kombit. Me Sali Butkën mësojmë se për atdhe perdoret jo vetëm pushka, por edhe pena, më shumë se llogoret duhet shkolla, mbi të gjitha dashuria patriotike e vëllazëria në breza e breza. Shumë nga vjershat e tij Sali Butka i shkruajti në Malin e Tomorrit – Olimpi i shqiptarëve, në shtëpinë e gjyshit tim, ndërsa me djalin e tij, patriotin dhe padagogjistin Safet Butka, im atë ishte bashkëpunëtor. Nipi i Sali Butkës, veprimtari Uran Butka, historian, shkrimtar, deputet shpirteror, e vazhdon misionin e të parëve duke na patur pranê, qytetarë të shumtë, në levizjen demokratike për një Shqipëri euro-atlantike. Shtatorja – vepër e skulptorit të mirenjohur Agim Rada, i ngërthen me art të gjitha këto me porosi atdhedashurinë, që s’eshte vetëm antike e as jo moderne, por thjeshtë e përjetshme. Vendosja në Ersekë e kësaj shtatoreje është ngjarje Kombëtare…

VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT

 

Nga Liviu Antonesei

 

Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi. Falë një dhurate me libra që më bëri kritiku, historiani i letërsisë dhe përkthyesi Luan Topciu, fillova të hyj në kontakt me veprën e shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Visar Zhiti, poet, tregimtar, romancier dhe eseist. Kam lexuar deri më tani një antologji të shkëlqyeshme poetike, “Flatra e Thyer”, përkthyer nga Luani, dhe romanin mahnitës, botuar së fundmi, “Funerali i pafundmë”, me të njëjtin përkthyes. Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar së bashku me Kadarenë dhe Thanas Medin, këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma. Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në shtëpinë botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste. Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në vitin 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u shndërruan në “poet dekadent dhe armik i popullit”. Nga dy poezitë që po botoj, njëra shoqërohet në dosjen e çështjes me nënvizimin: “një metaforë kundër diktatorit Enver Hoxha”, mendoj se është hera e parë që konstatoj se gjykatat mund të merren, të paktën në Shqipëri, me analiza poetiko-stilistike ! Pas tetë vjet burgimi, Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike. Pothuajse çdokënd një përvojë e tillë, aq më keq e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë  – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë.  Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin opozitar, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, ai ka botuar rreth 30 libra, siç thashë më parë. Ja, dy nga poezitë, njër që e çoi në burg dhe tjetra poezi nga burgu, por do të kthehem, në botimet e ardhshme dhe me poezi të tjera nga burgu, për dashurinë ose për tema të tjera. Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

Lexo edhe :  Listat e mbyllura, KQZ: Për çdo parti, 46 deputetët e parë janë të fiksuar (SKEMA)

 

Visar Zhiti

 

SFINKSI

 

I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu

qëndron i zymtë mbi shkretëtirën.

Madhështia e tij e rëndë prej guri

e bëri, ah, të palëvizshëm!

 

Luanët bredhin nëpër pyje

në shpella ere dhe në shira,

por sfinksin nën rërë yjesh

e torturon madhështia.

 

Mishin pa fund të skllevërve

e bënë kthetra sfinksash pompozë.

Shkretëtira tund në apogje

të tmerrshmen madhështinë e kotë.

 

MOLLA E DËNIMIT

 

Nën këmbë

më hapet dita si një humnerë e madhe.

Me se ta mbush që të dal në ditën tjetër?

Me qindra herë hedh veten time

dhe shkel mbi veten.

Oh, si po shkretohem!

Mbeta pa ngrohtësinë e fjalëve njerëzore

si pa zjarrin.

Gjithë ditën e ditës i zbathur

eci, eci unë

dhe s’shkoj asgjëkund.

Nën këmbët e mia s’ka fare rrugë.

Askush këtu s’më thotë “mirëmëngjesi”,

por më përplasin një fshesë

që të fshij dyshemenë

e fatkeqësisë sime.

Kurse unë si i marrë ulërij në heshtje:

tungjatjeta, Botë!

Dhe në më ke harruar,

s’të kam harruar.

Ballë për ballë u gjenda me një Mollë

e si të mos jem i gëzuar?

Molla,

Molla,

Molla

që e zbriti në tokë dashurinë e Adamit

dhe Evës nga marramendthi qiellor

prej parajse.

Ra nga dega

dhe na tregoi tërheqjen universale.

Molla,

e kuqe si buzët e puthura,

ç’enigma ka brenda, ç’joshje

që s’i mposht dot

as lufta?

Molla –

ëndërr e kapshme mbi kokat e njerëzve.

Edhe Mollët i arrestojnë!…

 

Kur të marrin në dhomat e hetue… zisë,

bërtet hetuesi (hutuesi): Ti, ti, t-i-i-i,

ke lexuar librin “Molla” nga Jevtushenko.

– Jo, – them unë.

– Ne kemi prova

që i ke përkthyer ca vjersha,

– Jo! – gënjej unë.

Gjithë natën më lënë në këmbë në një qoshe.

Mbi fytyrë më përplasin tymin e cigareve

që e vjellin nga goja –

Tym i luftës civile,

nga ç ‘shpirt del kështu

apo nga gërmadhat tona?

Ç’të bëj? Mblidhem në vetvete

si Molla që fshihet pas gjetheve.

Se do ruajtur fara

që është brenda.

Duhet shpëtuar fjala

duhet shpëtuar kënga

deri sa gropat e ditëve të mbillen me mollë.

Le të na i pushkatojnë ballet,

gjaku ynë do të hedhë rrënjë

dhe do të lulëzojë…

 

*  *  *

Shkrimi është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu. Arritjet dhe sukseset e shkrimtarit Visar Zhiti janë dhe sukses i letërsisë së sotme shqipe, tani e lirë, e pasuruar me atë letërsi martire që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli të vërteta të mëdha dhe atë moral që i duhet çdo letërsie.

Të fundit

Përfitimet e shumta që i sjell shëndetit çaji i xhenxhefilit

Njerëzit i kanë ditur dhe vlerësuar vetitë mahnitëse të xhenxhefilit për shekuj me radhë. Xhenxhefili është burim i shumë...

VIDEO-LAJM/ Anna Oxa në Tiranë, takohet me presidentin Begaj

Presidenti Bajram Begaj ka takuar ditën e sotme, artisten italiane me origjinë shqiptare me famë botërore, Anna Oxa dhe familjen e saj. “Në çdo fjalë...

Raporti i AMF/ SIGAL, lider i padiskutueshëm i tregut të sigurimeve në Shqipëri

Sipas raportit vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), SIGAL ka ruajtur pozicionin e saj si lider absolut në tregun shqiptar të sigurimeve, duke...

Vengu në Bazën Ajrore të Farkës: Hangar i ri për helikopterët Black Hawk

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në Bazën Ajrore në Farkë, ku inspektoi punimet për ndërtimin e hangarit të ri për helikopterët Black Hawk. “Në...

Tre variante për primaret/ Berisha: Jemi të detyruar të respektojmë sistemin rajonal

Ethet e garës brenda Partisë Demokratike kanë nisur të shfaqen, ku disa drejtues degësh kanë dorëzuar dorëheqjet për t’u bërë pjesë e Primareve. Pavarësisht...

Lajme të tjera

Web TV