Një bandë e krimit të organizuar në Angli është “çmontuar” pasi policia gjeti mbetje kanabisi në rrugë të lënë nga njëra nga makinat e tyre.
Oficerët gjurmuan automjetin e drejtuar nga shqiptarë për në Hertfordshire të Britanisë, duke zbuluar brenda tij 300,000 paund kanabis. Një sasi tjetër droge prej 240,000 paund u gjet në fermat e kanabisit të ngritura në tre shtëpi në Harrogate dhe North Yorkshire. Gjashtë burra të gjithë me origjinë shqiptare janë burgosur nga Gjykata Mbretërore në Leeds, pasi u deklaruan fajtorë për prodhimin e kanabisit.
Në pranga përfundoi gjithashtu edhe pronarja e pronave që ata përdorën për kultivimin e lëndës narkotike, një 73 vjeçare britanike.
Policia në Harrogate gjeti një fermë kanabisi gjatë kontrolleve në një shtëpi, e cila ishte në pronësi të pensionistes britanike, Yoko Banks, gjithashtu e burgosur. Një kërkim i pronave të tjera në pronësi të gruas të moshuar, zbuloi edhe dy ferma të tjera të kanabisit në Woodlands Road dhe Somerset Road. Policia e North Yorkshire tha se shtëpitë i ishin dhënë me qira një pale të tretë, e cila më pas i kishte lënë ato për bandën e krimit të organizuar, ndërsa 73-vjeçarja, do të përfitonte mijëra paund.
DËNIMI I SHQIPTARËVE
Gjashtë burra, të gjithë nga Shqipëria u burgosën në lidhje me kultivimin e sasisë së madhe të drogës. Kreu i bandës ishte Visar Sellaj, 33 vjeç, banues në Londër, i cili u burgos për gjashtë vjet e nëntë muaj burg. Ndërkohë, anëtarë të tjerë të grupit janë shqiptarët, Kujtim Brahaj, 50 vjeç, banues në Enfield, i cili u burgos për tre vjet e dy muaj, Indrit Brahaj, 27 vjeç, banues në Barnet, i cili u burgos për katër vjet e katër muaj, Bledar Elezaj, 36 vjeç, u burgos për tre vjet, Erblin Elezaj, 33 vjeç, u burgos për pesë vjet e dy muaj si dhe Andi Kokaj, 23 vjeç, u burgos për tre vjet burg. Të gjashtë u deklaruan fajtorë për prodhimin e kanabisit dhe Indrit Brahaj, Kokaj, Sellaj dhe Erblin Elezaj gjithashtu u deklaruan fajtorë për posedim kanabisi me qëllim furnizimi. Ndërkohë, 73-vjeçarja u burgos për tre vjet e gjashtë muaj burg për disa vepra penale. “Një hetim sipas Aktit të të Ardhurave të Krimit do të vijojë me qëllimin për t’u hequr atyre pasuritë e grumbulluara përmes kriminalitetit”, tha hetuesi.
Burimi: BBC