Aksidenti i ndodhur mesjavën e shkuar në Qafën e Muzinës, ku humbën jetën pesë persona, duket se po hyn në një etapë të re hetimesh. Burime konfidenciale nga grupi hetimor, konfirmojnë se drejtuesja e ‘Land Roverit’, Rexhina Celhaka, udhëtonte me automjetin e djalit të xhaxhait të saj nga Tirana në drejtim të Sarandës e mandej drejt destinacioneve të panjohura për të.
Celhaka, nën shoqërinë e shoqeve të saja, kishte përshkuar rrugën nga bregdeti jonian me ndihmën edhe të GPS në celular, pasi ishte një terren i panjohur për të. Ndërmarrja e udhëtimit në drejtimin jugor për në Gjirokastër u ndërmor mesditën kur ndodhi aksidenti. Sipas ekspertëve, në momentin e ndodhjes së aksidentit ka pasur reshje të pakta shiu, çka ka favorizuar aksidentin e ndodhur.
Përplasja mes dy mjeteve ka qenë tangenciale dhe kjo është përcaktuar edhe nga pozicionimi i ‘Land Roverit’ ne dy metra pas ndodhjes së aksidentit. Gjurmët e frenimit në vendngjarje mungojnë, çka do të thotë se s’ka pasur fare frenim dhe nëse do kishte, mbi atë bazë do përcaktohej sa shpejt ka qenë ‘Land Roveri’. Ekspertët konfirmojnë se nëse do të kishte përplasje frontale, përgjithësisht energjia e çliruar nga të dy mjetet do të varej nga pesha e secilit mjet dhe në këtë rast, pasojat do të ishin veçse me lëndime.
Por, në rastin në fjalë, me përplasjen tangenciale një pjese e energjisë e përthith goditja, kurse pjesa tjetër e ruan lëvizja-thuhet në raport. Dyshimet ngrihen mbi respektimin e shpejtësisë nga të dy mjetet prej 30 km në orë. Ndërkaq, Rexhina Celhakaj ndodhet në spitalin e burgut të grave në Tiranë në gjendje të rënduar psikologjike, si pasojë e asaj që ndodhi.
Madje edhe në masën e dhënë të arrestit që iu komunikua teksa ishte shtruar, ajo vetëm ka qarë dhe shfajësuar, duke thënë se nuk ka qenë me shpejtësi dhe se furgoni me pasagjerë drejtuar nga Bardhi Proda, erdhi me një shpejtësi skëterre aq sa nuk e pandehte se nga erdhi. Ditët vijuese, grupi i ekspertëve të ardhur nga Tirana, do të përcaktojë edhe konkluzionet që do t’i shërbejnë organit të akuzës për të zbuluar shkaqet reale të aksidentit ku humbën jetën 5 persona mes të cilëve edhe drejtuesi i furgonit të pasagjerëve.