Më shumë se një kontroll mbi makinat luksoze të personave të dyshuar, Policia e Shtetit po ushtron një kontroll të tipit “kap ça të kapësh” (KÇK) dhe kjo duket edhe nga video. Në videon e shpërndarë nga vetë Policia shihet se kontrollit të imtësishëm i nënshtrohen edhe automjete me mbi 10-15 vjetërsi, që kanë një çmim të ulët në treg, e megjithatë reklamohen si automjete luksoze.
Shërbimet e Policisë, FNSH-ja, Policia Kriminale, Shqiponjat, Shigjetat, Patrulla e Përgjithshme dhe Policia Rrugore po ushtrojnë prej 4 ditësh kontrolle mbi automjete dhe persona me precedent kriminal, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, i janë nënshtruar kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit mbi 140 automjete luksoze dhe për një pjese të tyre vijon verifikimi i dokumentacionit. Gjithashtu janë shoqëruar dhe verifikuar në ambientet e Policisë mbi 170 persona.
Megjithatë, nuk bëhet me dije se sa prej këtyre automjeteve janë sekuestruar dhe ndonëse ndonjë person është çuar për ndjekje penale.
https://youtu.be/_CYb16WhxdQ