Çmimi Nobel në Mjekësi për vitin 2021 u është dhënë dy shkencëtarëve David Julius dhe Ardem Patapoutian. Ata u shpërblyen për zbulimin e receptorëve në bazën e prekjes dhe mekanizmat që rregullojnë perceptimin e të ftohtit dhe nxehtësisë.
Kush janë fituesit
Amerikani David Julius, 66 vjeç, është profesor në Universitetin Columbia, gjithashtu në Nju Jork.
54-vjeçari libanez Ardem Patapoutian ka lindur në Bejrut dhe punon në Shtetet e Bashkuara. Pasi studioi në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni (CalTech) dhe më pas në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, që nga viti 2000 ai ka punuar në Institutin Kalifornian Scripps në La Jolla.
Zbulimi
Zbulimi që u dha atyre Nobelin e Mjekësisë i hap rrugën të kuptuarit të mënyrës se si njeriu ia del të perceptojë mjedisin e jashtëm përmes ndjesive të perceptuara përmes lëkurës. Perceptimi i të ftohtit dhe nxehtësisë, si ai i prekjes, janë të lidhura me mekanizma shumë të lashtë dhe vendimtar për mbijetesë dhe kërkimet e David Julius dhe Ardem Patapoutian kanë hedhur dritë mbi funksionimin e tyre.
Julius përdori një element të marrë nga speci, të quajtur kapsaicinë, i cili shkakton ndjesinë e djegies, dhe ky ishte hapi i parë në identifikimin e mbaresave nervore në lëkurë që reagojnë ndaj nxehtësisë.
Patapoutian ndërkohë e ka përqendruar kërkimin e tij në qelizat e ndjeshme ndaj presionit, duke zbuluar, në lëkurë dhe në organet e brendshme, sensorë që i përgjigjen stimujve mekanikë. Falë këtyre zbulimeve, janë nisur kërkime intensive të cilat kohët e fundit e bënë të qartë në mënyrë përfundimtare se si sistemi ynë nervor percepton nxehtësinë, të ftohtin dhe stimujt mekanikë.