Erjon Llapushi, një personazh i njohur i botës së krimit, është autori i ngjarjes së rëndë, që i mori jetën kryekamarierit të ‘Rozafa Fish City’ në periferi të Elbasanit.
Autori kishte shkuar si klient në restorantin e njohur të Gjergj Lucës, ‘Rozafa Fish City’, ndërkohë që 50-vjeçari, Gazment Kurmaku, ishte në krye të detyrës si shef i kamarierëve. Kryekamarieri e ka njoftuar Llapushin se tavolina ku ishte ulur, ishte e rezervuar dhe i ka kërkuar të ngrihej dhe të ulej në një tavolinë tjetër.
Llapushi e ka refuzuar kërkesën e Kurmakut dhe në debat e sipër e ka goditur në bark me një thikë të marrë në tavolinë, ndërsa e ka goditur edhe me sende të forta në kokë. 50-vjeçari mori plagë të rënda dhe pësoi vdekje klinike.
Gazment Kurmaku, i cili shihet në foton më lart, ndërroi jetë pasditen e sotme në QSUT, ku po mbahej në trajtim intensiv prej 5 ditësh.
Ndërkohë autori i ngjarjes, Erjon Llapushi, shkruante në rrjetin e tij social “Facebook” se i përkiste besimit islam. Në profil ai shkruante: “O Allah ma merr jetën si Besimtar Musliman”.