Gledis Nano, anglishtja, ndershmëria dhe FBI-ja që e çuan në kupolën e policisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një profil i paautorizuar i kryepolicit shqiptar. Si u ngrit në detyrë djaloshi që në rini kishte të vetmen ëndërr, karrierën në polici. Familja, pasuria, arsimi dhe diplomat, pika e dobët në karrierë, vlerësimet, bindjet politike dhe hobet e tij.

Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Gledis Nano arriti në majën e policisë. Kryepolici pa flokë dhe me mjekërr të zezë që ka shëmbëlltyrën e Leon Di Gilhardit, këshilltarit legjendar të mbretit Zog në vitet ’20-’30-të, tashmë është pesonazhi i ditës në Shqipëri. Mjafton të lexojmë tetë kushtet e forta për tu pranuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Bazën e Korpusit të Marinës Quantico, në Virginia të SHBA, për të mësuar dhe kuptuar se kush është dhe çfarë përfaqëson profili i drejtorit të ri të Përgjithëshm të Policisë së Shtetit:

  1. Të jetë oficer i rregullt i një force apo trupe dhe të ketë së paku 5 vjet eksperiencë
  2. Të jetë së paku 25 vjeç
  3. Të ketë kushte të shkëlqyera fizike, përdorues shumë mirë i armëve të zjarrit, të jetë trajnuar shumë mirë fizikisht, të ketë aftësi mbrojtëse dhe të jetë i certifikuar nga mjekët për trup dhe mendje të shëndetshme.
  4. Të ketë një karakter ekselent, reputacion dhe integritet profesional.
  5. Të ketë cilësi të lidershipit dhe të gëzojë respekt nga kolegët oficerë.
  6. Të jetë i diplomuar në një shkollë të lartë, preferohet diplomë e një kolegji.
  7. Të ketë 60 kredite ose ekuivalent të arsimit universitar.
  8. Të jetë dakord që të qendrojë së paku tre vjet në zbatim të ligjit pas përfundimit nga Akademia Kombëtare e FBI.

Në vitin 2017 Gledis Nano jo vetëm u pranua duke plotësuar të tetë kushtet, por kaloi me sukses të gjithë kursin 10 javor në këtë akademi. Që nga viti 1935 kur është themeluar aty kanë kaluar vargje të tërë oficerësh policie, por të rrallë kanë qenë ata nga Shqipëria. Mes 250 kursantëve nga SHBA dhe e gjithë bota, shtete me të cilat SHBA ka partneritet, Gledis Nano u vlerësua shkëlqyeshëm për njohje shumë të mirë të ligjeve, njohuri shkencore në mënyrën e funksionimit, njohuri shumë të mira të terrorizmit, shëndet dhe aftësi fizike shumë të mirë dhe aftësi të larta të lidershipit. Për të arritur këto vlerësime, në testin final pas 2 muaj e gjysmë mësim, trajnim dhe stërvitje intensive, ai kaloi me sukses edhe ushtrimin final, më të vështirin, përballimin e asaj që në akademi e quajnë “Rruga e tullave të verdha”. Ishte një udhëtim i gjatë rreth 10 kilometrash me shumë pengesa gjatë rrugës por që shqiptari arriti tia dalë më së miri. Me diplomën e FBI-së në xhep dhe me realizimin e ëndrrës së madhe 36-vjeçari u kthye në Shqipëri për të vënë në zbatim të gjithë ekselencën e tij në dije dhe aftësi fizike. Prej këtij momenti karriera e tij ka njohur sukses. I impenjuar nga disa operacione kombëtare dhe ndërkombëtare, ai arriti majën kur më 6 tetor kryeministri Edi Rama firmosi emërimin e tij në krye Policisë së Shtetit. Dhe sot policia shqiptare si rrallë më parë, ka një drejtues që ka kaluar prova të forta, më e forta fare është kjo në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Dhe kjo nuk është pak.

ANGLISHTJA QË I HAPI DYERT DHE I KUALIFIKUARI EKSELENT

Gledis Nanon e ka ndjekur rregulli se cdo investim në jetë një ditë do të të dalë për mirë. xhevahiri i tij ka qenë anglishtja fluente e mësuar që në shkollë por edhe autodidakte dhe dëshira e madhe për të qenë pjesë e policisë. Ata që kanë punuar dhe e njohin Nanon thonë se gjuha që hap dyert e botës ka qenë një lloj bekimi në jetën e tij. Ishte oficer i rangut të ulët në Vlorë në vitin 2013, kur ai u thirr me urgjencë në Tiranë për “nevoja pune”. Prokuroria kishte nisur një hetim për një grup imamësh në kryeqytet dhe bashkëpunimi me palën amerikane kërkonte një kordinator brenda radhëve të policisë që dinte shumë mirë anglisht. Skautëve të këtyre punëve u shkoi mendja te djaloshi i lënë në harresë në një cep të policisë. Pa një pa dy u emërua oficer i Policisë Gjyqësore dhe për të rruga u shtrua që ai të ecte në të. Sigurisht që për amerikanët anglishtja nuk ishte kushti i vetëm i mjaftueshëm. Cilësitë e tjera të tij e bënë Gledis Nanon të shndërrohej në një yll në ngjitje. Për pak kohë u bë nëndrejtor i Drejtorisë së Antiterrorit dhe më pas edhe drejtor. Dhe sot mund të themi se Gledis Nano rezulton të jetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë më i kualifikuar që pas vitit 1990. Ndoshta fare edhe që nga themelimi i shtetit shqiptar. Djaloshi i lindur më 26 gusht të vitit 1981 në Shkodër me orgjinë nga Skrapari u diplomua në vitin 2002 me rezultatte shkëlqyera në Akademinë e Rendit “Arben Zylyftari” në Tiranë pas 3 viteve studim. U regjistrua në vitin 1999 me dëshirën maksimale për tu bërë pjesë e policisë por kurrë nuk parashikoi se do ishte ai që do ta drejtonte policinë pas 22 vjetësh. Për këtë nuk mjaftoi vetëm diploma e policisë. Studioi dhe u diplomua si jurist në vendlindjen e tij në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe po aty u diplomua master po si jurist. Megjithatë, kualifikimi sipëror i tij mbetet ai në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Gradat e marra shkallë-shkallë dhe që nisën nga specialist i lartë policie e deri tani në Drejtues Madhor janë një tjetër arsye për ta veçuar CV-në e tij. Çdo oficer policie do ta kishte zili rritjen e tij. Një karrierë që ka parë vetëm ngritje që nga inspektor i krimeve në Drejtorinë e Policisë së Korçës, më pas inspektor i krimeve në Komisariatin numër tre në Tiranë dhe më pas shef i krimeve po në këtë komisariat. Pasi mori jo pak vlerësime teksa mbante këtë detyrë ai u emërua shef i Seksionit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Më pas deri në vitin 2013 ai ka qenë shef i seksionit të vrasjeve në Policinë e Vlorës. Në këtë moment nis edhe ngjitja në nivele të larta siç e përmendëm edhe më lart fillimisht u emërua specialist në Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe më pas kordinator në këtë drejtori. Më pas ka qenë nëndrejtor dhe për katër vite nga vitit 2017 e deri pak ditë parë ka qënë drejtor i kësaj drejtorie.

 NDERSHMËRIA E KONFIRMUAR NGA VETINGU

Gledis Nano nuk rezulton të jetë një polic i varfër, por as edhe një polic i pasur. E gjithë pasuria e tij janë dy shtëpi, një dyqan, tre ara-tokë në masën 25 për qind pronësi dhe para kesh në masën 7.6 milionë lekë të rinj, por ka edhe detyrim 1 milion lekë, të gjitha këto i gëzon me bashkëshorten, dy fëmijët por edhe prindërit e tij. Filtri i vetingut i vlerësoi të justifikuara këto pasuri duke i dhënë Nanos “diplomën” e ndershmërisë, më e rëndësishme edhe se të gjitha kualifikimet. Më 7 shkurt të vitit 2020 Nano u kualifikua pa asnjë hezitim nga treshja e grave të komisionit me kryetare Nertila Sadedini, relatore Adriana Meko dhe anëtare Arta Lleshi. Ky komision konstatoi se Gledis Nano ka pasuri 2 aparatamente në Tiranë prej 72.6 metra katrorë dhe 65 katrorë, një dyqan 32.30 metra katrorë të treja këto në masën 25 për qind në pronësi me prindërit. Nano zotëron gjithashtu tre parcela tokë-arë prej 1822 metra katrorë, 2464 metra katrorë, 2464 metra katrorë në Yzberisht të përfituar nga ligji 7501 në pronësi 25 për qind me prindërit. Komisioni konfirmoi se Gledis Nano disponon 1.5 milionë lekë kesh në pronësi 50 për qind. Rreth 1.5 milionë lekë të tjera janë në emër të djalit A. Nano në një llogari bankare. Por Gledis Nano nuk i është “shmangur” kredisë. Nga “Union Bank” ka marrë 1 milionë lekë për ta shlyer për 72 muaj. Ndërkohë i ka dhënë hua kunatit 20.665 Euro dhe vëllait Erion Nanos, 5 mijë Euro. Ka edhe një filtër tjetër për Gledis Nanon. Ai është i pajisur me certifikatë sigurie CSP të nivelit “Tepër Sekret” që pak oficerë në policinë shqiptare e kanë siguruar. Por pastërtia e figurës së tij ka kaluar edhe në filtrin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gledis Nano nuk rezulton të ketë qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, të ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.Të gjitha pasuritë e justifikuara, por edhe pastëtia e figurës së tij dhe aftësia profesionale e bëjnë Gledis Nanon të parin në historinë e policisë shqiptare që emërohet në krye të saj, kur më parë ka kaluar në sitë e gjithë pasuria dhe veprimtarian e tij.

I PËRJASHTUARI QË ËSHTË KTHYER NË POLICI ME VENDIM GJYKATE

Ka një pikë të “dobët” në karrierën e Gledis Nanos në polici. Në vitin 2008 ai është përjashtuar nga policia pas një vendimi të Drejtorit të Përgjithëm të asaj kohe, Ahmet Prençi. Por Nano tregoi karakter të fortë në këtë histori. Punonjës të policisë të asaj kohe tregojnë se arsyeja zyrtare e këtij përjashtimi ishte se Forca Operacionale kishte pikasur se një person me probleme kriminale ishte në shoqërinë e Gledis Nanos. Gledis kurrë nuk e mohoi këtë, porse hodhi poshtë aludimet dhe dyshimet se ai kishte lidhje me këtë person. Nano tregoi karakter kur shefat e tij kërkuan masë disiplinore, madje drejtori i asaj kohe Ahmet Prençi firmosi urdhërin e largimit nga policia. Gjykata vërtetoi se ngjarja nuk kishte lidhje fare me Nanon dhe me një vendim e riktheu në punë atë pas 1 vit e gjysmë. Bashkë me kthimin në punë, në arkën e Nanos u shtua edhe rroga e munguar gjatë kësaj kohe. Duket se në këtë ngjarje, Nano jo vetëm ka treguar karakterin e fortë të tij, por dhe pasionin dhe vendosmërinë për të punuar në policinë e shtetit. Ishte si një restart në karrierë dhe nga ky moment ai nuk zhgënjeu as veten, por as ata që e mbështetën në këtë histori.

Lexo edhe :  Zgjedhjet 2025/ Pesha e madhe e votës së diasporës, mbi 10 mijë aplikime në 72 orë

ANTITERRORISTI I SUKSESSHËM

Ndoshta karriera e Gledis Nanos mund të përfundonte deri në daljen në pension në degën e  luftës ndaj terrorizmit. Për SHBA ai ishte njeriu i duhur në vendin e duhur dhe në kohën e  duhur në këtë sektor. Nga viti 2016 e deri më sot Gledis Nano ka marrë vetëm rezultate maksimale duke e drejtuar këtë drejtori. Mes shumë operacioneve, tre janë më të suksesshmet. I pari në vitin 2013 me zbulimin dhe arrestimin e disa imamëve që kishin krijuar një organizatë terroriste. Operacioni i dytë kur ai dhe agjentët e antiterrorit në Tiranë zbuluan veprimtarinë e spiunazhit të disa diplomatëve iraniaë. Më 15 janar të vitit të kaluar, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, të dy punonjës të ambasadës së Iranit u shpallën non grata. Zyrtarisht ata u shpallën persona të padëshirueshëm për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Por agjentët në drejtimin e Gledis Nanos zbuluan se ata ishin pjesë e shërbimeve sekrete iraniane, një shtet në të cilin prej vitesh është instaluar një regjim despotik dhe antiamerikan. Edhe vetë ambasadori iranian Gholamhossein Mohammadnia më parë ishte dëbuar nga Shqipëria dhe bashkë me të edhe dy diplomatë të tjerë dhe situata u shndërrua në një luftë spiunazhi. Përplasja mes SHBA dhe Iranit arriti kulmin pas vrasjes nga agjentët amerikanë po vitin e kaluar të gjeneralit iranian Qassem Soleimano. Me kërkesën dhe mbështetjen e SHBA Shqipëria prej disa vitesh strehon mbi 3 mijë muxhahedinë iranianë në një kamp në afërsi të Durrësit dhe kjo nuk është parë me sy të mirë nga qeveria zyrtare në Tehran. Ata njihen edhe si opozita e Iranit dhe pikërisht këtu nisi edhe veprimtaria e spiunazhit nga ana e diplomatëve iranianë në Tiranë. Në një fjalim të tij, lideri shpirtëror i Iranit Ali Khamenei, e quajti Shqipërinë një vend të lig në Evropë që strehon opozitën antiqeveritare të Iranit. Pikërisht për të gjitha këto zbulime SHBA bëri një vlerësim maksimal ndaj Gledis Nanos për aftësitë dhe besueshmërinë e treguar në të gjitha këto zbulime. Por suksesi më i madh i drejtorisë së Antiterrorit dhe i drejtorit Nano u tregua me operacioniun e tretë që bënte fjalë për riatdhesimin e disa shqiptarëve që kishin mbetur në kampin Al-Hol të Sirisë. Më i suksesshmi fare ishte nxjerrja prej kampit dhe sjellja në Tiranë më 7 nëntor 2019 i 10-vjeçarit Alvin Berisha, i rrënbyer që 6 vjeç nga nëna e tij dhe që iu bashkua ISIS. Të tre operacionet e drejtuara nga Gledis Nano sot janë medalje e artë për policinë shqiptare. Investimi i amerikanëve ishte shpërblyer dhe këtë e treguan kur në gjoksin e tij varën një dekoratë që shkaktoi jo pak zili. Kishte fjalë të zgjedhura në medaljen e dorëzuar nga Ambasasdorja amerikane Yuri Kim për arsyet e këtij vlerësimi ndaj policit shqiptar: “Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”. Skenaristët e filmave mund ti kenë lëndë të parë këto operacione ashtu siç bëri Hollyëood-i në vitin 2012 me realizimin e shkëlqyer të filmit “Argo” me aktorin kryesor Ben Afleck, mbështetur në lirimin e diplomatëve amerikanë në Tehran të marrë peng nga islamikët në vitin 1979.

I DJATHTI NANO QË U BË DREJTOR ME TË MAJTËT

Ata që e njohin Gledis Nanon thonë se ai është i djathtë dhe habiten se si u bë drejtor i Përgjithshëm i policisë tani që në pushtet janë të majtët. Madje, përshëndetja që PD i bëri emërimit të tij ka “kërcitur” pak në kampin socialist. Por cfarë vlerë ka kjo për vetë Gledisin dhe ata që e kanë vlerësuar Gledisin. I projektuar nga amerikanët dhe i mbështetur po prej tyre Gledis Nano është një kryepolic me mbështetjen më të gjerë. Ai është drejtori i 17-të i përgjithshëm i Policisë së Shtetit që pas rrëzimit të sistemit komunist dhe i pari në fakt që merr vlerësimin e opozitës së djathtë si oficer policie me integritet profesional. Por sa do ti qendrojë në këtë vlerësim PD? Që nga vitit 1990 e deri më sot, është ndjekur një rregull pak a shumë i njëjtë: Janë emëruar si surprizë dhe janë larguar po surprizë. Madje me pasoja.

 PRITSHMËRITË NDAJ GLEDIS NANOS

Nëse politika do ta lejojë të punojë, Gledis Nano do arrijë rezultate të larta. Dhe cilat janë ato? Sigurisht e para dhe më e rëndësishmja është rregulli i artë “rend brenda rendit”, një cilësi që sa herë diskutohet mendja të shkon të ndershmëria, përkushtimi, karakteri dhe besueshmëria që duhet të kenë trupa e policisë. Por a do ta lejojë politika Gledis Nanon? Ai ka një avantazh. Ministri Blendi Cuci ka marrë mbi shpinë shumë kritika dhe akuza politike por ndershmërinë as kundërshtarët më të fortë nuk ia kanë vënë në diskutim. Këtu duket se nis edhe çelsi i suksesit të Gledis Nanos. Nëse kryeministri, ministrat, deputetët dhe drejtorët nuk do të ndërhyjnë, nuk do ti vënë gurë nën rrota dhe do ta lejojnë të punojë, Shqipëria ka përpara një rast të artë të luftojë krimin ashtu siç duhet. Por ama nëse nuk lejohet ta bëjnë këtë Nano mund të dështojë. Gledis Nano betejën e a parë e ka me të vetët. Me ata drejtorë dhe shefa që i servilosen drejtorit të radhës dhe jo vetëm nuk bëjnë asnjë punë por ngatërrojnë punë. Këtu nis gjithçka. Nëse Nano nuk largon këta lloj njerëzish nga vetja dhe nga policia, ai do dështojë. Sigurisht që besojmë se Nano me ato që ka treguar në këto afër dy dekada është përballur me të keqen dhe me probleme nga më të ndryshme. Por tani atij i duhet të bëjë betejën më të madhe të jetës të çojë në një stad tjetër luftën e policisë ndaj krimit. Shpresojmë dhe besojmë se do t’ia arrijë.

PARAARDHËSIT E GLEDIS NANOS.

Gledis Nano është drejtori i 17-të pas rrëzimit të komunizmit. Paraardhësit e tij janë emëruar pak a shumë si Gledis Nano, me bujë, me shpresë dhe me besim. Por dalëngadalë ky besim është shfryrë dhe në fund janë larguar pa ndonjë vlerësim. Mbi shpinë kanë marrë copa balte sidomos nga politika. Madje shumica janë larguar pa asnjë ceremoni të dorëzimit të detyrës. Problemi numër një për mënyrën e vlerësimit ka qenë politika. Për ata që kanë qënë në pushtet drejtori i policisë ishte i miri i botës. Për opozitën ishte më i keqi, i lidhur me krimin e të tjera akuza. Në fakt vlerësimin më të mirë e bënë vetë trupa e policisë. Vetëm vartësit e dinë më mirë se kushdo tjetër se cili kryepolic është më i ndershmi, më i afti dhe më me rezultate. Fiks si një nga kushtet dhe vlerësimet që bëjnë në Akademinë Kombëtare të FBI. Një akademi në të cilën Gledis Nano ka marrë vlerësim maksimal. Tani i duhet ta zbatojë atë.

DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT 1990-2021

  1. Fadil Canaj, 17 korrik 1990-1 maj 1992
  2. Astri Mehaj, 1 maj 1992-22 qershor 1993
  3. Sabri Jacaj, 22 qershor1993-15 qershor 1995
  4. AgimShehu, 15 qershor 1995-30 qershor 1997
  5. Sokol Baraj, 3 korrik 1997-16 maj 1998.
  6. Besnik Bregu, 16 maj 1998-4 shtator 1998
  7. Hasan Ahmetaj, 4 shtator 1998-9 nëntor 1998
  8. Veton Gjoliku, 9 nëntor 1998-20 janar 1999
  9. Veli Myftari, 20 janar 1999-22 nëntor 2000
  10. Bilbil Mema, 23 nëntor 2000-19 gusht 2002.
  11. Bajram Ibraj, 12 shtator-2002-30 mars 2007
  12. Ahmet Prençi 30 mars 2007-28 tetor 2009
  13. Hysni Burgaj, 28 tetor 2009-9 tetor 2013
  14. Artan Didi, 9 Tetor 2013-10 Prill 2015
  15. Haki Cako, 20 prill 2015-5 shkurt 2018
  16. Ardi Veliu, 5 shkurt 2018-6 tetor 2021
  17. Gledis Nano, 6 tetor 2021 e në vijim.

 

 

 

Të fundit

7 karakteristikat e njerëzve të pakënaqur nga jeta

Në jetë ka ngjarje që mund të na shkaktojnë dhimbje të madhe, trishtim apo zemërim të thellë. Të gjithë,...

4 banka ndërkombëtare udhëheqin Shqipërinë në marrjen e eurobondit, 600 mln € para marsit

Katër banka ndërkombëtare, me ekspertizë në proceset e emetimit të eurobondeve do të udhëheqin Shqipërinë në daljen në tregjet e huaja për të marrë borxh gjatë...

Shifrat/ Ndikimi i zgjedhjeve në ekonomi

2025-a është një vit elektoral. Në periudha të tilla dinamikat e zhvillimit të ekonomisë ndryshojnë dhe përgjithësisht viti priret të jetë më e mirë,...

Revista e njohur: Turistët francezë në zbulim të xhevahirit të Ballkanit, Shqipërisë

Duke filluar nga ky vit, turistët francezë do të mund të fluturojnë lehtësisht drejt Shqipërisë – një destinacion befasues dhe tërheqës në zemër të...

Akordi që shton eksportin e energjisë/ Shqipëria kthehet në lider energjitik në rajon

Marrëveshja trepalëshese midis Emirateve të Bashkuara Arabe,Italisë dhe Shqipërisë parashikon ndërtimin e një linje interkonjeksioni nënujore. për të transportuar energjinë e prodhuar nga burime të...

Lajme të tjera

Web TV