Babëzia e “tregtarëve” që shkatërrojnë kulturën e shqiptarëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Kemi pasur kohë mjaftueshëm për ta shkatërruar kulturën tonë. Jo në një shekull të tërë aq sa daton shtetformimi ynë, as në pesë dekada totalitarizëm, por vetëm në 20 vjet. Dhe nuk kanë qenë vite lufte apo regresi, por vite paqeje dhe progresi. Madje progresi drejt modernitetit ka ecur me hapa kaq gjigantë saqë e ka mbuluar krejt kulturën antike, që ndodhet poshtë këmbëve tona.

-Gjëra të vjetra, kujt i duhen…?!

Kanë rezistuar vetëm kalatë, shumica e të cilave kanë themele nga koha e ilirëve, por me mure të ngritura rishtas në periudhën e arbrit. Pra mesjetare.

Ne e kemi shkatërruar kulturën tonë. Dhe po vazhdojmë ta bëjmë pa ndalim. Jo vetëm pse shembëm një godinë teatri dhe disa godina kinemaje. Kjo është më e pakta. Por ne po shkatërrojmë themelin, aty ku është gjeneza, ADN-ja jonë. Përditë nga pak. Me fadroma e matrapikë, por dhe me sasi të mëdha betoni, ku muroset jo më një grua si në legjendë, por një histori e tërë.

Me sa duket jemi çliruar plotësisht nga dogma nacionale, dhe teksa e cilësojmë veten njerëz të lirë të një bote të madhe e pa kufij, nuk na pëlcet shumë se nga e kemi origjinën: nga Eva dhe Adami apo… nga majmuni. Mjafton që frymojmë mbi këtë tokë të begatë dhe kemi internet as sa të mund të shohim sherret në “Big Brother”. Të tjerat nuk kanë rëndësi.

Ne po vazhdojmë ta shkatërrojmë kulturën tonë. Me këmbëngulje. Arkeologjia tanimë është një shkencë që nuk vlen më as për t’u studiuar në universitet dhe as për t’u praktikuar në nëntokë. Sepse nëntoka jonë nuk përmban vetëm thesare si naftë, krom, e ndopak flori të papërpunuar, mall të cilin e ngarkojmë rifuxho në vaporë e marrim lekët në dorë. Nëntoka jonë fsheh dhe historinë e stërgjyshërve tanë. Në fakt, ajo e mban atë të konservuar, të paprishur. Duhet vetëm pak durim e vullnet i mirë që të mund ta zbulosh. Dhe pas kësaj ta kthesh edhe në një atraksion turistik, ku gjithsesi mund të fitosh po aq para. Sepse asnjë turist sot nuk vjen në Shqipëri të shohë 15-katëshin e Enverit, as 25-katëshin e Saliut dhe as 45-katëshin e Edit, por të shohë skulpturat e hyjnive në mermer, teatrot e lashtë në të cilat luheshin tragjeditë e famshme të Eskilit apo amfiteatrot ku gladiatorët ndesheshin me luanët për të fituar lirinë.

Në po shkatërrojmë kulturën tonë. Pa mëshirë.

I gjithë ky mllef i mbajtur nën vete me kohë, dhe i hedhur nga pak me pikatore përmes shkrimeve të tjera, vjen e derdhet tanimë, pasi u njoha edhe një herë me fakte kokëforte e të pakundërshtueshme të publikuara nga gazetari Marin Mema në një nga edicionet e “Gjurmë shqiptare”. Ai tregoi as më pak e as më shumë se si Durrësi i ri, – ky që kemi ndërtuar ca me para të pastra emigrantësh dhe ca me para të pista trafikantësh, ku pallatet shumëkatëshe, tulla, xham dhe beton, po kapin qiellin, – ia kishte hipur atij të vjetrit për ta bërë të mos ngrejë kokë më, as sot dhe as viteve të tjera që do vijnë më pas. Dhe askujt, – përpara një fitimi të shpejtë, – nuk i dhimbset dhe as i hyn në punë se sapo vë kazmën për të hapur themelet e godinës së re, ke copëtuar tullat e një ngrehine 2000-vjeçare, e cila për shkaqe natyrore është zhytur pak metra më poshtë. Përpara kësaj masakre i kanë mbyllur sytë të gjithë. Dhe do të vazhdojnë t’i mbyllin sërish për sa tokë ka mbetur ende pa u licencuar si projekt ku do të nisë ndërtimin shumëkatëshi i radhës.

Dyrrahu apo dhe Epidamni më i vjetër se kaq, mund të flisnin shumë nëse do t’i rizbuloheshin vlerat. Dhe është për të bërë kryq e për të ndezur qiri, që të paktën ka shpëtuar nga kjo kasaphanë amfiteatri antik, të cilën arkeologu fort i njohur Vangjel Toçi e zbuloi në vitin 1966. Por 50 vite përpara tij ishte bërë një zbulim tjetër i rrallë. “Bukuroshja e Durrësit”, një mozaik i lashtësisë që doli nga balta në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore, krejt rastësisht, sepse ushtria austriake po hapte një transhe fortifikuese. E megjithëse luftë, arkeologu austriak Camillo Praschniker si dhe kolegu i tij Arnold Schober u kujdesën për mozaikun, në mënyrë që të mund të ruhej më mirë. Ndaj e mbuluan të mos dëmtohej. Kështu që arkeologu shqiptar Vangjel Toçi arriti ta nxjerrë në dritë në vitin 1959. Ky rast i arkeologëve austriakë nuk është si rasti i ekipit që kërkonte të trafikonte gjetjet arkeologjike të zbuluara në Apoloni, – po gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore,- për të cilat bën fjalë dhe filmi i kinostudios “Dëshmorët e monumenteve”. Sepse ishin austriakët gjithashtu, të cilët pushkatuan tre ushtarakë shqiptarë vetëm se guxuan ta ndalonin trafikun e kulturës kombëtare.

Lexo edhe :  Kjo është PD-ja…

Po kush pyet sot për gjakun e tyre?!

Gjithsesi, atë që na shpëtuan të huajt apo që nuk mundën të na i rrëmbenin dot, ne si shqiptarë të sotëm, – krejt modernë dhe të pandikuar nga e kaluara – nuk e kemi për gjë ta hedhim në det. Madje ka prej nesh që janë të gatshëm t’ia shesin Butrintin grekëve, mjaft që ata të na japin pasaportën dhe një pension 300 evrosh, që të hamë e të pimë pa punuar.

Të vjen të zësh kokën me duar e të ulërish, kur njihesh hap pas hapi me shkatërrimin që i bëjnë shqiptarët kulturës së tyre. Sepse atë gjë që ne ia bëjmë vetes nuk ka armik që të na e vendosë mbi shpinë. Madje edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore forcat pushtuese kanë qenë shumë më të kujdesshëm me bombardimet, që të mos i rrafshonin qendrat e banuara.

Në po e shkatërrojmë kulturën tonë. Metamorfoza jonë është e çuditshme.

Ndaj në territorin e administruar prej nesh, gjithmonë e më pak sot ka monumente kulture. Sepse ato lihen të degradohen nga koha, dhe më pas kthehen në truall ku lulëzon një qiellgërvishtës.

Ndërtimi i “Velierës” në Durrësin modern, ka nxjerrë në sipërfaqe disa mure të cilat specialistët i kanë vlerësuar së paku mesjetare. Por edhe ato u murosën me beton për hir të një instilacioni gjigant hekuri, i cili nuk i jep asnjë pikë më shumë një qyteti ku mund të lulëzonte antikiteti po aq sa në Romë apo Athinë.

Mirëpo ne kemi vendosur ta shkatërrojmë kulturën tonë, dhe t’i humbasim lidhjet me rrënjët. Sepse na duket se jemi më të lirë të marrim një trajtë tjetër, dhe të quhemi sa më shpejt… fjala vjen: amerikan, vetëm e vetëm se na ka dalë lotaria.

Vetëm pak vite më parë Ministria e Kulturës publikoi një listë prej 1982 monumentesh, ku u deklarua se 112 prej tyre ishin tërësisht të shkatërruara, ndërsa 332 rrezikonin të njëjtin fat. Vetëm kryeqyteti numëron rreth 260 monumente kulture, ku shumë prej tyre janë lënë në harresë, shembur ose degraduar. E teksa shfletoja njoftimet mbi problematikat e monumenteve të kulturës ndesha dhe fjalët e Emin Rizës, një nga ekspertët më të mirë të trashëgimisë kulturore, i cili ishte shprehur se “Shqipëria po humbte disa nga objektet më të mira kulturore, për shkak të ndërtuesve të pangopur”.

…”Grykësia”, një nga shtatë mëkatet e Biblës…

Durrësi është qyteti tipik ku si vendbanim i mëtejshëm është ruajtur e njëjta tokë mbi vendbanimin e vjetër, i cili daton në themelim këtu e 2700 vite më parë. Por nuk do të ishte çudi që e gjithë kultura jonë nëntokësore të kishte të njëjtin fat nëse Saranda do të ndërtohej mbi Butrintin, Fieri mbi Apoloninë, apo Orikumi i sotëm mbi Orikun e dikurshëm. Kështu, gjetjet arkeologjike do të zhdukeshin nën themelet e betonit dhe askush nuk do të mund ta ngrinte historinë; cilët kemi qenë dhe pse jemi katandisur në këtë farë derexheje.

Ky është një botim ekskluziv i Gazetës Fjala. Ndalohet rreptësisht ripublikimi i tij pa e cituar burimin, në të kundërt ndërmerren masa ligjore. ®️

Të fundit

13 mënyra për të dalluar një fermë kanabisi në lagjen tuaj

Qindra mijëra bimë kanabisi sekuestrohen çdo vit nga policia në Mbretërinë e Bashkuar – por a e dini nëse...

Polit i tretë, marrëveshje LZHK-Djathtas 1912

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe drejtuesi i “Djathtas 1912” Enkelejd Alibeaj, nënshkruan dje marrëveshjen e bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme Parlamentare. Katër muaj...

Përplasja/ Avokatët e Veliaj: Hetimet e SPAK dashakeqëse dhe intimiduese

Avokatët e kryebashiakut të Tiranës dhe familjarëve të tij kanë renditur tetë pika që sipas tyre Prokuroria e Posaçme SPAK ka vepruar në kundërshtim...

Shkencëtarët kinezë krijojnë një krem ​​të ri kundër diellit që ftoh lëkurën

Shkencëtarët nga Universiteti Tsinghua i Kinës në Pekin kanë krijuar një krem ​​të ri kundër diellit që jo vetëm mbron nga rrezet UV, por...

Ushqimi i lashtë plot me vlera ushqyese që Bill Gates i kërkon njerëzimit ta konsumojë

Bill Gates është një figurë mjaft e njohur në mbarë botën, përveçse themeluesi i Windows, edhe për punën e tij filantropike, pasi biznesmeni udhëton...

Lajme të tjera

Web TV