Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se marrëveshjet që janë firmosur mes dy qeverive duhet të gjejnë zbatim dhe se dy vendet duhet të punojnë si patriotë dhe të flasin si diplomatë.
“Unë vij për herë të parë në takimin e përbashkët të qeverisë. Mandatin e parë si kryeministër e mbajtja 4 muaj dhe këtë kam bërë 8 muaj, pra jam duke përparuar. Të thuash se jemi të lumtur se jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, të thuash se kemi dy shtete se jemi më të fortë është shkurtpamësi, e të thuash se do të bashkoheshim je nacionalist dhe të thuash se do të bashkohesh në BE do të shqyhesh për diplomat. Le të flasim si diplomatë dhe të punojmë si patriotë. Integrimi i dy shteteve tona është sa strategjik dhe parimor, numri i marrëveshjeve duhet të shoqërohet me cilësi në zbatimin e tyre. Si patriotë duhet ti forcojmë të dy shtete tona, patriotizëm sot është të luftosh krimin, të punosh për lirinë e mediave dhe ekonomi gjithëpërfshirëse”, tha Kurti.
Kurti është shprehur gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova e kanë detyrë bashkëpunimin dhe mbrojtjen ndaj njëri-tjetrit.
“Bashkëpunimin me njëri-tjetrin e kemi për detyrë, ashtu si edhe mbrojtjen e njëri-tjetrit. Duhet ta gjejmë thirrjen e përbashkët. Çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet te tjetri. Duhet të vrapojmë. Qartësia dhe veprimi i përbashkët na udhëzon vetë drejt rrugës. Hekurudha e përbashkët është rritje e rëndësisë së portit më të rëndësishëm të shqiptarëve. Ne jetojmë me fqinjët tanë që kemi të kaluar të përbashkët por edhe do ta ndajmë të ardhshmen. Ne po hapim pika kufitare të përbashkët. Po rrisim bashkëpunimin kulturor. Po rrisim bashkëpunimin në të gjitha fushat. Le të përshpejtojmë hapat e veprimit”, tha Kurti.