Ibrahim Rugova/ Simbol i rrugës paqësore drejt Pavarësisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Njeriu i artit letrar dhe i dijeve humane filozofike, u vu në krye të popullit të tij në orë të kthesave historike që po ndodhnin në Evropë

Tanimë ai njihet si simbol i rrugës paqësore drejt fitores së Pavarësisë. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.

Rugova, njeriu i artit letrar dhe i dijeve humane filozofike, u vu në krye të popullit të tij në orë të kthesave historike që po ndodhnin në Evropë, ku muri i perandorisë komuniste po shembej ndërsa shpresa e popujve të shtypur për liri dhe demokraci sapo kishte nisur të shihej. Një kritik letrar, Rugova admirohej për ndjekjen e një politike rezistencë paqësore ndaj sundimit serb, në kohën kur shpërbërja e Jugosllavisë, në fillim të viteve 1990, po shkaktonte luftëra të përgjakshme në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Rugova nuk mori pjesë në këto konfrontime ushtarake, duke këmbëngulur që në vend të kësaj të ndiqte një fushatë thjesht politike dhe paqësore për pavarësi.

Fillimet

Më 2 dhjetor 1944 u lind Dr. Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, Kosovë, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Rrugëtimi

Në vitin 1988, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë. Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Epilogu

Ibrahim Rugova ndërroi jetë si president, më 21 janar 2006 në Prishtinë, dy vite para se Kosova të shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Ai u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës. Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Varri i tij në një lagje mbi Prishtinë është bërë një vend i rëndësishëm për politikanë dhe shumë të tjerë, të cilët e vizitojnë atë dhe vendosin aty lule çdo 2 dhjetor, në ditën e tij të lindjes, dhe çdo 21 janar, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Të fundit

Robbie Williams barazoi rekordin e Beatles me 15 albume nr. 1 në Mbretërinë e Bashkuar

Robbie Williams ka barazuar rekordin e The Beatles për shumicën e albumeve në vendin e parë në tabelën e...

Kolumbia dërgon avionë të forcave ajrore për të marrë emigrantët e dëbuar nga SHBA

Një avion i Forcave Ajrore Kolumbiane u nis sot nga San Diego me 110 imigrantë kolumbianë të dëbuar. Një avion i dytë u nis...

Studimi/ Prindërit kanë gjithmonë një fëmijë të preferuar!

Një studim i botuar në Psychological Bulletin i jep fund dyshimit shekullor që mundon fëmijët në të gjithë botën: a kanë babi dhe mami një fëmijë të...

Gafë e lojtarit të Barcelonës në konferencë: “Gasperini? Cili lojtar është ky?”

Alejandro Balde, talenti i ri i Barcelonës, ishte ai i cili u shfaq në konferencë për mediat përkrah trajnerit Hansi Flick, për të folur...

A do të na godasë vërtetë një asteroid në vitin 2032?

Asteroidi 2024 YR4 , i zbuluar vitin e kaluar, u klasifikua si niveli 3 në shkallën e Torinos , sistemi që mat rrezikun e...

Lajme të tjera

Web TV