Në Tiranë mungon Rubikoni, por Berisha kapërceu Lanën dhe vrau Brutin e tij

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

Jul Çezari kaloi Rubikonin, lumin e ndaluar të veriut të Perëndorisë Romake dhe ky ishte akti i kalimit në pikën e moskthimit. Çezari, në krye të legjioneve të tij dhe me forcën e shpatës, morri Romën dhe u shndërrua në Perandorin e saj. Sali Berisha kapërceu Lanën dhe hyri në oborrin e selisë së PD-së diku nga ora 14.00. Në krye të një grushti besnikësh, ai pushtoi oborrin e selisë dhe pa gjetur rezistencë, hyri në një nga sallat e katit të dytë, në një akt ende në tentativë për t’u ribërë kryetar i partisë, të cilës i ka diktuar vullnetin e tij. As mbrojtësit e Republikës në Romë rreth 2070 vjet më parë dhe as policia e shtetit sot në Tiranë, nuk ishin në gjendje të ndalonin qoftë njërin, qoftë tjetrin. Berisha nuk është Çezari, por i ka bindur të gjithë se Basha ka qenë Bruti i tij i pabesë. Tirana është shumë larg të qenit Romë dhe Lana është një lumë shumë modest në krahasim me Rubikonin e famshëm, por tashmë zarat janë hedhur dhe pushteti i forcës është kudo njëlloj: ashtu si në bixhoz, shtëpia fiton gjithmonë.

Pjesa tjetër, e pandodhur më parë, është histori. Një grua e vetme duartrokiste për Lulzim Bashën përballë një legjioni burrash që brohorisnin emrin e Sali Berishës. Një grua e vetme dhe dobësia e saj njerëzore u bë për minuta të tëra barrikadë përballë forcës së shumë burrave, të armatosur me inat, por në fund edhe ajo u thye. Dy palët në “betejë” ishin pak a shumë në shifra, si raporti brenda PD-së, me ata që mbështesin kryetarin me vulë dhe zyrë dhe mtonjësit me revansh të projektkryetarit të ri të saj. Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk kanë qenë kurrë më afër njëri-tjetrit fizikisht sesa të hënën në drekë, kur distanca politike mes tyre, që prej shtatorit, është e pafundme. Eshtë e dukshme që çdo shans për bashkëjetesë dhe bashkëpushtet partiak, është në kufinjtë e të pamundurës. Dyshja që ndau të njëjtin fat që prej më shumë se 17 vjetësh, tashmë i kanë fatet e ndara. Ishte e paralajmëruar në media që do të ndodhte pikërisht kështu: mbas Kuvendit të tij, Berisha do të hynte në selinë e PD-së. Kjo hyrje do të ishte e vetmja mënyrë për të larguar me forcën e maskuar me paqe, gjithë pjesën legale të drejtimit të PD-së. Kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur kalvarin e proceseve gjyqësore nga të cilat as Basha nuk mund të fitonte dhe as Berisha nuk mund të priste ta humbte.

Lexo edhe :  E drejta për të folur nuk është baraz me të drejtën për t’u dëgjuar

Gjithë situata është inkandeshente dhe mjafton një shkëndijë që ky zhvillim i paralajmëruar mund të sjellë rezultate të paparashikuara. Një grua e vetme dhe kurajoja e saj është totalisht e pamjaftueshme për të penguar yryshin e një turme që siç ndodh shpesh me turmat, brohoret për humbjet që i duken fitore dhe që pret degën ku është ulur për të ndezur zjarr për t’u ngrohur. Instikti i turmës fiton gjithmonë edhe kur është i gabuar. Ashtu siç do të ndodhë me të gjitha gjasat edhe të shtunën në 18 e Kuvendit të Bashës, kur “gratë” e Bashës, nuk do të mundin të hyjnë në Pallatin e Kongreseve, ku do të bëhen gardh “burrat” e Berishës”. gjithmonë nëse Basha arrin deri në datën 18. Berisha e kapërceu Lanën si Çezari Rubikonin dhe fitoi duke humbur. Njëlloj siç po humb PD-ja nëse ajo fiton ofertën e vjetër për lider të ri. Një Çezar që e vrau përfundimisht Brutin e tij.

Të fundit

130 tërmete në 5 orë, gati të shpërthejë vullkani në Europë

Vullkani Bárðarbunga, i cili vlerësohet si i dyti më i madh në Islandë, ka shkaktuar më shumë se 130...

Armëpushimi në Gaza/ Ministria e Jashtme: Hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes së konfliktit

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka cilësuar si një hap të domosdoshëm drejt zgjidhjes së konfliktit Izrael-Hamas, marrëveshjen e armëpushimit të arritur dje...

Aksident i rëndë në Bulqizë, shoferi përplaset me kolonën, makina bëhet ‘copash’

Një aksident është shënuar pasditen e sotme në rrugën në segmentin Qafë e Buallit-Vajkal në vendin e quajtur mbikalimi që lidh dy lagjet e...

Hapet rezidenca artistike, “Vila 31 x Art Explora”

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë hapjes së ‘Vila 31 X Art Explora’, duke thënë se artistët do të mundohen të...

E rëndë! 18-vjeçari sulmon me thikë mësuesen dhe dy nxënës/ Dy të vdekur deri më tani

Të paktën dy persona janë vrarë në një shkollë në veri të Sllovakisë, kur një nxënës sulmoi të tjerët me thikë. Zëdhënësja e ekipit emergjent...

Lajme të tjera

Web TV