Noli, mënçuraku i pazëvendësueshëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Ai mbetet i rrallë dhe i pazëvendësueshëm. Një mendje brilante që i ushtroi dijet e mbledhura ngado në gjithfarë fushash. Dhe la mbi skrivaninë e tij një thesar të tërë, kryevepra botërore, që mbetën në përdorim mes shqiptarësh…

 

…Pakkush si ai mund të ishte njëherazi “hirësia e tij” dhe “shkëlqesi” po ashtu. Pakkush si ai mund të bënte meshtarin në Altarin e Kishës dhe polemikun në sallën e Parlamentit. Të ishte në krye të një partie politike si “shef opozite” dhe në krye të shtetit si ministër i jashtëm e kryeministër për së fundi. Vetëm ai mundi të vinte në pushtet me anë të një të ashtuquajturi “revolucion” dhe të largohej nga pallati qeveritar nën kërcënimin e armëve të një ushtrie të huaj, që kishte ardhur për të ngjitur në fron kundërshtarin e tij. Dhe po aq, vetëm një njeri si ai mund të firmoste gjithfarë udhëzimesh mbi jetën politike, ekonomike dhe ushtarake të vendit, dhe me po të njëjtën penë të vazhdonte të përkthente “Rubairat” e Omar Khajamit. Dhe ishte po ai që kur kërkonte të çlodhej sadopak nga punët e rënda të një shteti që kërkonte reformë thellësore, i binte flautit.

Ai ishte Fan Noli. Dhe emrin e babait e kishte Stilian. Kishte lindur në territorin turk, İbriktepe, por ishte shqiptar, nga Qyteza e Kolonjës. Të parët e tij e kishin ruajtur të pastër gjuhën dhe traditat shqiptare. I tillë ishte edhe ai. Pasardhës i Frashërllinjve, Qirjazëve dhe i vetë Petro Luarasit. Shqipja gurgullonte në gojën e tij. Nuk kish si shqiptohej më bukur.

Pra ishte një kolonjar i vërtetë.

Pakkush si ai mund të sillte në shqip monologun hamletjan të Shekspirit dhe bëmat e Don Kishotit me mullinjtë e erës shkruar nga Servantes. E pas kësaj të thurte vargje për Marathonomakun dhe një himn për flamurin kombëtar. Të shkruante “Historia e Skënderbeut”, dhe monografinë “Bet’hoveni dhe Revolucionin Francez”. Dhe së fundi të kompozonte një seri veprash simfonike, të pakonceptuara deri asokohe nga një shqiptar.

Po aq, pakkush si ai zotëronte 12 a 13 gjuhë të huaja, duke e pasuruar begraundin e tij studimor e akademik me pesë diploma të ndryshme.

Në luftën e tij të përhershme për të marrë sa më shumë njohuri, ai punoi në gjithfarë zanatesh pa u lodhur dhe u shkollua si një nxënës besnik pa u lodhur gjithashtu.

Pasi përfundoi me rezultate “ekselent” gjimnazin grek të Adrianopojës, në moshën 30-vjeçare do të merrte diplomën “Bachelor of Arts” në Harvard. Ishte 55-vjeç kur mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për kompozicion. Vetëm një vit më pas, diplomohet për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit. Ndërsa në moshën 63-vjeçare, do të shpaloste me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Kjo do t’i jepte gradën shkencore të doktorit në filozofi.

Lexo edhe :  Karnavalet e Shkodrës, Rama ndan pamjet: Shkodra sonte me ngjyrat e festës

Ishte i madh Noli, dhe i rëndë sigurisht. Aq sa një universitet e një diplomë nuk ia mbanin dot të gjithë peshën.

Dhe vetëm një njeri si ai mund t’i jepte pavarësinë Kishës Ortodokse Shqiptare duke e shkëputur nga çdo ndikim i huaj. Nuk ishte blasfemi, por dashuria për ta bërë kishën shqiptare, në një vend si Shqipëria, të fliste shqip.

Në të rinjtë e tij nuk i bëri naze asnjë lloj zanati, ndaj punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri shëtitës. Por energjia e tij do ta çonte drejt vendlindjes, në Shqipëri. Aty do t’i kushtohej revolucionarizimit të jetës, për më shumë përparim dhe pastrim nga e vjetra otomane. Por dhe këtu do të thyente dogmat e rregullat. Vetëm një njeri si ai mund të shugurohej si peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në nëntor të vitit 1923, ndërsa vetëm një muaj më pas, në dhjetor 1923 do të zgjidhej deputet i Korçës.

Klerik dhe politikan në të njëjtën kohë.

Por me sa dukej për të nuk kish kurrfarë rëndësie, përderisa ishte në shërbim të Shqipërisë.

Natyrisht ai ishte një burrë shteti, që bëri që shumë për çështjen shqiptare, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, me ndikimin e tij.

Padyshim Fan Noli mbetet një nga figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar. Publicist, intelektual, diplomat e orator, një personaliteti i spikatur që përbën një figurë komplekse, e cila vazhdon të analizohet në thellësi e të mos ketë shterim.

Me diplomë të Harvardit, poet, shqipërues, peshkop, deputet, ministër e kryeministër, emrin e të cilit në mos Akademia e Shkencave duhet ta mbante Universiteti i Tiranës. Por ky ka qenë një akord i paarritur. Ç’është e vërteta, në Korçë, Noli është i vlerësuar, ndaj emrin ia kanë vënë universitetit lokal. Por në Tiranë janë mjaftuar që emrin e tij ta mbajë një shkollë 9-vjeçare.

Dhe ky ishte një nga burrat më të ditur që ka pasur Shqipëria.

Me sa duket, regjimi i Hoxhës e kishte një inat me të. Ndërsa të tjerët pas tij as që u ra ndonjëherë ndërmend.

Në vitin 1924 Fan Noli u largua nga Shqipëria për në Amerikën e largët. Nuk u kthye dot më pas. Edhe pse u tha se me regjimin komunist i kishte marrëdhëniet të mira, ai nuk iu përgjigj ftesës së Enver Hoxhës për ta vizituar Shqipërinë. Dhe mbeti konsekuent: një demokrat në shpirt, larg diktaturës dhe pushtetit monarkik.

Mbeti një meshtar në tentativën e përhershme për të qenë më pranë Zotit.

Vdiq në marsin e vitit 1965. Ishte 83 vjeç. Sepse ishte lindur në janarin e vitit 1882. Banesa e tij e fundit ndodhet në “Forrest Hill Cemetery”, të Bostonit.

Të fundit

Panelet diellore/ Hapen aplikimet për abonentët familjarë

Hapen aplikimet për abonentët familjarë për vendosjen e paneleve diellore. Lajmi u bë me dije nga Ministrja e Infrastrukturës dhe...

Zgjedhjet e 11 majit, Tom Doshi fut PSD-në në garë, ja dokumenti zyrtar

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, Tom Doshi është regjistruar në KQZ ditën e sotme për garën elektorale të 11 Majit. Kërkesa është depozituar ditën...

Zbulohet shkaku i vdekjes së të miturit në Shkodër, në gjendje të rëndë e motra

Eshte zbuluar shkaku i ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku një fëmijë 3-vjeçar humbi jetën në spital, ndërsa motra e tij 6-vjeçare ndodhet në...

Pse disa njerëz i mbajnë mend ëndrrat dhe të tjerët jo?

Nuk ka gjë të tillë si gjumë pa ëndrra: ne të gjithë ëndërrojmë, por disa prej nesh kujtojnë çdo detaj kur zgjohemi, të tjerë...

Politika në zi/ Ndahet nga jeta diplomati i njohur (EMRI)

Frank Wisner, ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara për bisedime lidhur me statusin e Kosovës, ka vdekur në moshën 86-vjeçare. Djali i tij, David,...

Lajme të tjera

Web TV