Kaos në kufirin Kosovë-Shqipëri/ “Për vaksinën e tretë nuk e kam kohën, për PCR nuk i kam 30 euro”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që kërkon nga qytetarët që duan të hyjnë në shtet të paraqesin dëshminë e vaksinimit kundër koronavirusit me tri doza, ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët e shteteve fqinje të Kosovës.

 

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë, Qeveria e Kosovës, më 21 janar, ka miratuar masa të reja kundër pandemisë. Sipas tyre, qytetarët që hyjnë në Kosovë, duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit. Ata që nuk e kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë. Disa qytetarë të Kukësit të Shqipërisë – qytet afër kufirit me Kosovën – kanë protestuar të hënën në pikën kufitare të Morinës, që lidh dy vendet. “I kemi bërë dy vaksina. Ata kërkojnë të tretën. E treta nuk bëhet nëse nuk e ka kohën, [domethënë] pa u bërë gjashtë muaj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Afrim Muja, njëri nga protestuesit. Sipas tij, ky është problem i shkaktuar nga Qeveria e Kosovës. “Ky është problem qeveritar. Vetëm në Kosovë e kemi këtë kusht, se në shtetet e tjera jo, as në Greqi, as në Maqedoni [të Veriut] nuk e kemi këtë kusht”, ka thënë ai. Organizatori i protestës, Rakip Matmuja, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për kushtet e hyrjes në Kosovë, ka shkaktuar problem për shumë qytetarë. “Ne e kemi një protestë paqësore për t’i kërkuar Qeverisë së Kosovës, presidentes, kryetarit të Parlamentit, që të hiqet vaksina e tretë [si kusht për hyrje në Kosovë]. Të njihet dokumenti i shtetit shqiptar, certifikata e vaksinimit, të hiqet tamponi [testi për koronavirus], njerëzit të lëvizin lirshëm”, ka thënë ai. “Po kërkojnë PCR. Ku t’i marrim ne 30 euro për PCR që ta kalojmë kufirin”, ka thënë Fatjon Matmuja, i cili po ashtu ka protestuar në Morinë. Por, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka arsyetuar marrjen e vendimit për masat e reja, duke thënë se ai është bazuar në situatën epidemiologjike në vend. “Vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshëm më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë. Sipas saj, pas monitorimit të situatës epidemiologjike, masat mund të rishikohen deri në fund të javës. Kosovës i ka kërkuar lehtësira për qytetarët e saj, gjatë kalimit të kufirit, edhe Maqedonia e Veriut. Ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Bekim Sali, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës paraqet pengesa të mëdha për lëvizjen e qytetarëve drejt Kosovës. Sali ka thënë për Radion Evropa e Lirë se e mirëkupton vendimin e autoriteteve në Kosovë, por, sipas tij, “duhet gjetur modalitet që, krahas shëndetit të qytetarëve, të mos pengohet edhe lëvizja e lirë e tyre”. Një ditë më parë, ministri Sali ka biseduar me ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, për të rishqyrtuar masën e fundit. “Kolegut Latifi ia shpreha brengën që kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë lidhje familjare, të biznesit dhe detyrime tjera që i lidhin me Kosovën dhe kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm”, ka deklaruar Sali. Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për ta kushtëzuar hyrjen në territorin e Kosovës me dozën e tretë të vaksinës apo me test negativ, e vështirëson dukshëm lirinë e qarkullimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Masat e domosdoshme për mbrojtje nga pandemia COVID-19 nuk duhet ta kufizojnë lirinë elementare të qarkullimit të lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët Kosovën e kanë destinacionin parësor”, ka shkruar Kamberi në llogarinë e tij në Facebook. Qeveria e Kosovës ka thënë se ka marrë vendimin për forcimin e masave pas rritjes së numrit të të infektuarve. Rritja më e madhe ka nisur gjatë javës së kaluar. Për dallim prej muajit dhjetor, kur rastet ditore kanë qenë njëshifrore, këtë muaj ato kanë arritur në qindra dhe mijëra. Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë afro 20,000.REL

Të fundit

Deficiti i jashtëm i ekonomisë shqiptare ra me 41% në tremujorin e parë

Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua për tremujorin e parë të vitit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se...

Haki Çako: Mbi 90% e zjarreve ndodhin nga dora e njeriut

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes me Loneta Prognin ku foli në lidhje me...

Brenda rezidencës mahnitëse ku gjithçka është prej ari (VIDEO)

Priyam Saraswat vizitoi së fundmi një rezidencë mahnitëse në Indore të Indisë, ku gjithçka, nga mobiljet te prizat elektrike, është prej ari. Videoja magjepsëse, që...

Keqtrajtuan një person gjatë detyrës, arrestohen tre efektivët e policisë

Tre efektivë policie kanë rënë në pranga në Pejë të Kosovës pasi akuzohen se gjatë arrestimit të një personi, e kanë keqtrajtuar këtë të...

Evropa “digjet” nga i nxehti, Moska regjistron 30 qershorin më të ftohtë në histori

Në të gjithë historinë e vëzhgimeve meteorologjike, në Moskë u regjistrua 30 qershori më i ftohtë deri më tani, tha eksperti kryesor i Qendrës...

Lajme të tjera

Web TV