DEKLARATË e SHOQATËS SHQIPTARE TË INXHINIERËVE KONSULENTË
Shoqata Shqiptare e Inxhinerëve Konsulentë (SHOSHIK) është bërë me dije së fundmi lidhur me vendimin për shkarkimin e zëvendës Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN) të Universitetit Politeknik të Tiranes, Dr. Ing. Agim Seranaj.
Dr.Ing.Agim Seranaj është anëtar i Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë Shqiptarë (SHOSHIK) dhe shumë aktiv në përgjigje të thirrjes SË QEVERISË, që SHOSHIK ka bërë për të ndihmuar strukturat shtetërore në verifikimin dhe inspektimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Shoqata jonë e Inxhinerëve deklaron dhe vlerëson maksimalisht profesionalizmin dhe gatishmërinë e kolegut Seranaj dhe grupit të ekspertëve që ai drejton në terren që prej datës 26 Nëntor 2019 e në vijim.
Nga ana tjetër, dhe siç i është bërë me dije opinionit publik me njoftim zyrtar të të gjithë faktorëve inxhinierikë në Shqipëri, përfshirë ata akademikë, publikë dhe privatë (edhe FIN), SHOSHIK organizoi në një kohë shumë të shkurtër një takim të hapur ku morën pjesë rreth 150 inxhinierë për të dhënë mendime profesionale në ndihmë të programit të qeverisë për rindërtimin.
Në këto takime pati mendime edhe përsa i përket evidentimit të inxhinierëve që kanë dhënë shërbime inxhinierike në të gjitha objektet me probleme, me qëllim analizën në një kohë të dytë të fenomeneve që lidhen me disiplinën teknike apo edhe me formimin e tyre profesional.
Tashmë është bërë i njohur edhe propozimi i SHOSHIK për qeverinë shqiptare për ngritjen e një “Enti Teknik për Rindërtimin”, në përmbushje të vakumit institucional për vendimarrje profesionale. Vendimi që ka marrë dekani i FIN për shkakrimin nga detyra e zëvendës dekanit pa motiv të Dr. Ing. Agim Seranaj (në shkresën e shkarkimit të FIN, nr. 154, datë 20.12.2019 bazuar në Ligjin nr.80/2015, neni 43, pika 2 “Për Arsimin e Lartë etj.” dhe bazuar edhe në Statusin e Universitetit Politeknik të Tiranës, Neni 19, pika 9), dhe pikërisht në këtë moment, kur ne presim bashkëpunim dhe përfshirje aktive të të gjithë strukturave profesioniste dhe jo vetëm, pa dhënë asnjë arsye, na obligon për të kërkuar sqarime për këtë çështje dhe në mbrojtje të dinjitetit të njerëzve të përkushtuar në interesin publik.
Tërmeti i datës 26 Nëntor njëherazi duhet që të “shkundë” institucionet përkatëse dhe t’i bëjë ata të ndërgjegjshëm që “ta shikojnë të vërtetën në sy”. Kjo, mbi të gjitha, është një detyrë morale, që qëndron në thelbin e organizimit tonë si shoqatë e inxhinerëve, ndaj këkrojmë me urgjencë që FIN të shprehet publikisht për situatën dhe nëse ka bërë ndonjë analizë të sinqertë dhe të përgjegjeshme lidhur me këtë vendim. KRYESIA E SHOSHIK Tiranë, 21 Dhjetor 2019