Nga Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Në gjuhën akademike quhet Introspeksion e mund të praktikohet si si një proces reflektimi.
Ky proçes, pjesë e Inteligjencës Emocionale,
mund të përkufizohet si analizimi i mendimeve dhe ndjenjave të brendshme tek vetja dhe reflektimi mbi atë që ato nënkuptojnë.
Ideja origjinale e introspeksionit u zhvillua nga Wilhelm Wundt në fund të viteve 1800 (McLeod, 2008). Wundt u përqendrua në tre fusha të funksionimit mendor: mendimet, imazhet dhe ndjenjat. Puna e Wundt përfundimisht çoi në reflektimet aktuale mbi proceset perceptuese dhe krijimin e fushës së psikologjisë njohëse të vetes të cilat konsiderohen të rëndësishme për mirqënien e individit.
Ne e kërkojmë lumturinë kudo, por jemi shndërruar si lypësi i Tolstoit që rrinte çdo ditë në rrugë duke u lutur për qindarka nga kalimtarët. Ky lypës, i ngecur në errësirën e nocionit të varfërisë, nuk e vinte re se ena në të cilën ishte ulej çdo ditë ishte një enë floriri që vezullonte.
Të kuptuarit e rrëmujës së mendjes tonë e distancimi nga dëshirat e egos mundësojnë të shohim thesarin e vërtetë të vetes- përsosmërinë tonë.
Pse është i rëndësishëm introspeksioni?
Studiuesit kanë treguar se ne mendojmë më shumë se 50,000 mendime në ditë, nga të cilat më shumë se gjysma janë negative dhe më shumë se 90% janë thjesht përsëritje nga një ditë më parë (Wood, 2013).
Nëse nuk bëni përpjekjen për ta përqendruar mendjen tuaj në mendime pozitive përmes introspeksionit, nuk do t’i jepni vetes mundësinë për tu rritur dhe zhvilluar.
Përmirësimi i aftësisë sonë për të kuptuar veten dhe motivimet tona dhe për të mësuar më shumë rreth vlerave tona na ndihmon të heqim fuqinë nga shpërqendrimet e jetës sonë moderne, me ritëm të shpejtë dhe në vend të kësaj të përqendrohemi në përmbushjen (Wood, 2013).
Reflektimi për veten dhe mjediset tona është një praktikë e shëndetshme dhe adaptive, por ajo duhet të ndërmerret me njëfarë kujdesi.
Kur fokusi juaj në introspeksion shndërrohet nga një përkushtim në një mani, duhet kuptuar se keni shkuar më larg seç duhet. Në fakt, ata që e marrin shumë seriozisht vetë-reflektimin mund të përfundojnë të ndihen më të stresuar, të dëshpëruar dhe të shqetësuar se kurrë duke përfunduar në kritikues të ashpër të vrtes (Eurich, 2017).
Për të ndihmuar veten gjatë momenteve të reflektimit, konsideroni të bëni më shumë pyetje “çfarë” sesa pyetje “pse”.
Pyetjet “Pse” mund të nxjerrin në pah kufizimet tona dhe të nxisin emocione negative, ndërsa pyetjet “çfarë” (si psh Çfarë ka ndodhur) na ndihmojnë të na mbajnë kureshtarë dhe pozitivë për të ardhmen (Eurich, 2017)
“Kur shihni një person të mirë, mendoni të bëheni si ai/ajo. Kur shihni dikë jo të mirë, reflektoni për pikat tuaja të dobëta”. – Konfuci