Protesta e madhe e thirrur nga Sali Berisha që u mbajt më 7 korrik, tregoi ndikimin e tij brenda PD-së, po a mjafton për të shkuar në qëllimin e madh në rrëzimin e qeverisë? Pikëpyetjet që ngrihen dhe si do jetë opozitarizmi edhe me rikthimin e Ilir Metës në krye të LSI-së. Dualizmi Berisha-Meta dhe prova e vërtetë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
Protesta e mbajtur më 7 korrik nga opozita, duket se ia arriti qëllimit kryesor, duke konfirmuar në krye të PD-së Sali Berishën, madje me një mbështetje të gjerë. Tashmë suksesi i arritur është një sfidë tjetër për PD-në dhe vetë Berishën, pasi këtë sukses duhet të përkthejë në aksione konkrete, për të mos e lënë vetëm si nismë që i shërben sa për të “shtyrë verën e nxehtë”. Një lloj shoku është në pjesën tjetër të opozitës, nga ato që njihen si “Grupimi Basha”, pasi vërtetuan se nuk kanë dot shumicën, pavarësisht se partia si çdo ndërmarrje apo grupim ideologjik funksionon mbi bazën e ligjit. Berisha tashmë ka të drejtë të tundë fort kartën se gëzon mbështetjen e një pjesë të mirë të anëtarsisë, por edhe një pjesë të qytetarëve ndoshta të paangazhuar që më 7 korrik iu bindën thirrjes së ish-kryeministrit për të protestuar. Po a përbën kjo arsye të mjaftueshme që opozita të qëndrojë e qetë, pasi Rama do bjerë? Padiskutim që i pari që e kupton këtë pjesë se kjo është shumë pak është vetë Sali Berisha.
Nga ana tjetër opozita është edhe më e përçarë ngase duket. Përveç grupimit Basha që këtë herë mori një goditje jo aq të lehtë, në skenë po afrohet edhe presidenti Ilir Meta që numëron mbrapsht këto 12 ditë që i kanë mbetur në krye të shtetit dhe më pas e pret një parti që gjithsesi është më e dobët se kurrë, të paktën duke iu referuar zgjedhjeve të 25 prillit ku vetëm katër deputetë mundi të sigurojë. Meta do të kërkojë të jetë protagonist edhe më i madh se grumbullimi rreth tij i çdo LSI-sti të “hallakatur” te PD apo PS. Atij do i nevojitet një rishpikje më e madhe dhe këtë mundësi e ka nëse do të ridalë në skenë si përfaqësues i opozitarizmit. Po a është kjo një e mirë për PD-në e Berishës. Padiskutim që jo. Protesta relativisht e madhe e thirrur nga Berisha, e cila u mbyll pa asnjë incident nuk shihet edhe aq mirë nga LSI, e cila kohët e fundit po tenton të marrë në duar “flamurin e denocueses”, duke dërguar në SPAK (Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” disa dosje të dyshuara korruptive. Një Berishë i fortë dhe një PD e mirëorganizuar nuk janë shenjë e mirë për Metën, pasi për qëllimet që ka, për të mbetur gjatë në politikë duke u bërë faktor i rëndësishëm do të donte një PD të dobët dhe mundësisht Bashën në krye për ta pasur shumë më të lehtë për tu “vëtëshpallur” de facto lider i opozitarizmit. Këtë komoditet Meta nuk do e ketë, sepse Berisha jo vetëm që nuk po e lëshon PD-në, por po tenton ta mbledhë dhe të pavendosurit po i bashkohen atij duke iu bindur për gjithçka.
Të dënuar për të lëshuar
Ardhja e Metës në krye të LSI-së në dukje i jep një forcë më shumë opozitarizmit, por në vendin tonë koha ka treguar se “forcat në numra” nuk përkthehen në frymë. Dyshja Berisha-Meta së pari nuk mund të rikthehet si shpresë, pasi janë provuar të bashkëqeverisin dhe janë dënuar me votë, paçka se LSI ka ditur të luajë për shumë kohë, duke anuar andej nga frynte era e pushtetit. Situata aktuale është shumë më ndryshe dhe llogaritë mateematikore nuk vlejnë. Berisha ka një barrë aspak të vogël siç është shpallja e tij “non grata” nga SHBA për akuzën e “korrupsionit masiv dhe minuesit të demokracisë”. Vërtetë kjo damkë jo e vogël nuk e pengoi Berishën të rifaktorizohej brenda PD-së, po a do jetë në gjendje që të marrin pushtetin? Përgjigja sot për sot edhe nga militanti më i thekur i PD-së dhe vetë Berishës do të ishte që kaq nuk mjafton. Në këto kushte si Berisha ashtu edhe Meta jënë të destinuar që të lëshojnë ndaj njëri-tjetrit, ku ai që do i duhet të tërhiqet më shumë se tjetri duhet të jetë Ilir Meta. Së pari ai do të jetë në krye të një force politike që ka vetëm katër deputetë dhe e dyta që mbetet më kryesorja Berisha nuk ka ndërmend të lëshojë asgjë, pasi është djegur një herë duke mbështetur Bashën dhe më i besuari i tij u kthye në armikun më të madh të tij. Në këtë situatë Berisha nuk do i besonte askujt, ndaj mbajtja e çelësave të partisë është jetike për të dhe nuk mund të kete komoditetin të luajë politikisht me aleatët.
Zgjedhjet lokale
Prova kryesore dhe e vërtetë do të jenë zgjedhjet lokale që do të mbahen pas një viti. Nëse opozita me Berishën dhe Metën në krye arrin që të marrë disa bashki periferike dhe ndonjë kryesore, do të jetë një shenjë që koalicioni po funksionon, madje edhe me dy personazhe fort të konsumuar politik. Nga ana tjetër Rama nëse humb ndonjë bashki kryesore do i duhet të “rishpikë” kauza të tjera, duke i rënë dy letrat e forta: “non grata” dhe dyshja “Berisha-Meta”, të cilët i konsideron si të keqen më të madhe dhe për më tepër kjo dyshe ka qenë pjesë kryesore e fushatës elektorale të vitit 2021. Nëse Berisha dhe Meta bashkë nuk do mundin të kenë sukses në zgjedhjet lokale humbin një bonus të madh dhe kjo do të tregojë se as të dy bashkë, as veçmas dhe me asnjë lloj “kodi elektoral” nuk do të mundin rivalin Rama. Këtu opozita dhe veçanërisht PD do të rikthehej edhe një herë në çarje, përçarje dhe tentative për të dalë në skenë të tjerë individë, as Berisha dhe as Basha. Po a do e lëshojë Berisha karrigen nëse humbet në zgjedhjet lokale? Kjo as që mund të mendohet për momentin, ndaj prova e vërtetë janë zgjedhjet, as sheshi i mbushur dhe as deliri për protestën e 7 korrikut nuk kanë asnjë vlerë. Vlen sa për të kaluar këto dy muaj vere!