Grahmat e fundit të fashizmit/ Recension për filmin “Skëterrë ‘43”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga: Bujar Meholli

Fjala skëterrë, porsa dëgjohet të kreshpëron lëkurën, ndërmend dënimet e llahtarshme, zjarrin, luciferin, vuajtjet e pambarimta (sipas predikimeve fetare) për të ligët, tradhtarët, gjakpirësit, torturuesit e pashpirtë. Në ambient të tillë poeti kilian Pablo Neruda e përfytyron diktatorin fashist të Spanjës, Frankon, në një poezi me titull “Franko në ferr”. Kështu, artistët e angazhuar politikisht të shekullit XX i përfytyronin të gjithë diktatorët dhe politikanët regresivë që kishin gjetur strofullin nën regjimin fashist (më vonë nazist). I gjithë shekulli XX ishte i tendosur dhe notonte mes lloj-lloj rrymash, idesh, motivesh, rebelimesh në kuadër të spektrit të luftës së vendosur për liri dhe demokraci, luftës kundër dy regjimeve totalitare mbase më të egra që ka njohur njerëzimi – fashizmit dhe komunizmit.

Një produkt artistik shumë interesant, dhe le të themi alegorik, është filmi shqiptar “Skëterrë ‘43”, 1980, prodhim i kompanisë së prodhimeve filmike Kinostudio “Shqipëria e Re”. Çka përmban filmi dhe cili është motivi i tij? Këto pyetje janë kruciale për ta zbërthyer krijimin e regjisorit të mirënjohur Rikard Ljarja. Vitet ’40 përbënin zenitin e regjimit fashist me Benito Mussolinin në krye; ky regjim i egër, dogmatik, natyrisht nuk do ta kishte të gjatë mirëpo, si të thuash, në grahmat e fundit, i rrëgjuar, bënte luftë të ashpër nëpër kampe të ndryshme ku të kapurit trajtoheshin mizorisht. Ideja që i shkrepi regjisorit Ljarja, pasohet nga skenari i Bashkim Shehut, redaktuar nga shkrimtari i mirënjohur Vath Koreshi, muzika e Zef Çobës, dhe formimi i kastës së aktorëve për filmin që do të bëhej problematik për pushtetin komunist, ndaj do të ndalohej dhe për të do të flitej fare pak.

“Skëterrë ‘43” paraqet një kamp përqendrimi fashist gjatë vitit 1943 ku kapen “të kuqtë” dhe torturohen barbarisht, siç në letërsi i përshkruan në mënyrë drithëruese Erich Maria Remarque. Nënkolonelit Esposito, interpretuar nga Sheri Mita, i premtohet karrierë e suksesshme; ai do të jetë komandant i kampit shqiptar, për këtë i falënderohet sistemit. – Unë edhe në ditët më të këqija, e kam ruajtur të virgjër besimin tek fashizmi!, thërret ai entuziast. Jetë e njëtrajtshme, rutinë, ushqim i pakët, punë e rëndë, kontroll i rreptë, spiunllëk, përgjim, “shekulli i fashizmit” dhe “shumë armiq, shumë nder!”, shkruhen në ballë të kampit, vendoset në oborr ujkonja romake, altoparlanti çirret duke folur për të bëmat e Mussolinit, revolucionin, përparimin e fashizmit, shpresës së njerëzimit… “shteti fashist aspiron për primatin e një perandorie italiane në botë…” (paradoksalisht shohim oficerin fashist tek mbyll veshët me pambuk), kështu portretizohet itinerari i këtij kampi, ndërtuar buzë detit nga teknikët e Kinostudios. Nëse këtë produkt filmik do ta përqasnim me letërsinë shqiptare, do të ndërmendim Petro Markon dhe romanet e tij antifashiste, fjala vjen, “Qyteti i fundit” ku përshkruhet kapitullimi i Italisë fashiste dhe ikja zhgënjyese apo “Nata e Ustikës”, ishullit famëkeq që i ngjason ambientit mbytës të “Skëterrës ‘43”. Gjatë një skene kur të burgosurit punojnë, fshehurazi, pas shkëmbinjve shohim dy të rinj që përqafohen; romanca të kësaj natyre nuk zhvillohen, ato vihen në plane periferike në film, por dihet se sistemet totalitare synojnë kontrollin alla orwellian mbi njerëzit, ndaj të dashuruarit e kësaj periudhe duhet të rrezikonin për takimet dhe përqafimet. – Shko, mund të na shohin, flet vajza e frikësuar. Ikim! Ikim të dy, por nuk mundemi, nuk kemi se si! – Mbase është hera e fundit që shihemi, ia kthen djali dhe largohen me vrap nga sytë e mbikëqyrësit fashist. Hierarkia e kampit e përbërë nga komandanti, aktori i mirënjohur Sheri Mita, ushtron presion ndaj të burgosurve, të cilët shohim se bëhen revoltues e kryengritës ndaj kësaj tiranie që s’kursen gjë, jeta varet në fije të hollë peri. Mund të shohim në një skenë se si pushkatohet njëri nga të burgosurit kur i lodhur, i detyruar të dalë për punë, orvatet ta sulmojë kapitenin për çka dënohet me vdekje. Pastaj qeshja histerike e fashistëve dhe kënaqësia sadiste kur keqtrajtohen të burgosurit duke bartur një karrocë me orë të tëra kot, eksperimentet e doktorit të kampit, që na kujtojnë doktorin mizor Nele. Vlen të theksohet loja brilante nën petkun fashist e aktorit Mita, të cilin e shohim tek mban fjalimet e zjarrta, i pamëshirshëm, i mprehtë, dinak, apostull i Duçes – optimist se vetëm fashizmi e nxjerr në dritë Shqipërinë dhe e shpëton nga “murtaja” e kuqe! Po ta bëjmë një analizë të hollësishme të këtij personazhi, në nënvetëdijen tonë, mund të aludojmë se kemi të bëjmë me vet Enver Hoxhën, ngase diktatorë të këtij lloji nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri! Këto janë shenjat e dyshimit që pushteti komunist pati për këtë film alegorik ndaj e ndaloi me pretekstin se aktorët duke shfaqur mizorinë fashiste me kontrollin, mbylljen në rreth vicioz, dhunën, po aludonin në regjimin komunist të Shqipërisë.

Lexo edhe :  FOTO/ Parashqevi Simaku suprizon shqiptarët, rikthehet sot në Festivalin e Këngës në RTSH

Nga ana e të burgosurve kemi aktorin e njohur Agim Qirjaqin, “profesorin”, partizanin që mundohet t’i organizojë shokët e tjerë qoftë në grevë si shenjë proteste për likuidimet, qoftë në përpilimin e gazetës “Arma e të vuajturit” me maksimën “Vdekje fashizmit, liri popullit!” që qarkullon brenda kampit, kryengritje kundër barbarisë. Ai ka tiparet e njeriut të pastër moralisht, luftëtar intelektual, i vendosur, mik i sinqertë. “Stalingradi ra përsëri në duart e armikut”… fashizmi po pëson humbje të mëdha, jehon radioja e nënkolonelit Espozito, ai e fik me të shpejtë. Gjestikulacioni i tij shpërfaq tensionin e brendshëm, parandjenjën se fundi i perandorisë po vjen… Grupi i të burgosurve funksionon homogjen, ata pikasin tradhtarët brenda tyre, i eliminojnë, po ashtu vrasin fashistët e kampit kur në kulm çmendie, të dehur, futen në burg dhe ushtrojnë dhunë; nga fundi i filmit kur kapet “profesori”, kemi njërën nga pikat kyçe të gjithë produktit artistik; komandanti i kampit dhe “profesori” dialogojnë, i pari me tone të zjarrta, i dyti i qetë, i vendosur, triumfues: – Mund të na torturoni dhe të na vrisni, por mos kujtoni se kjo ka për të qenë fitore, ju vetëm se do t’i shtoni veprës suaj prej krimineli akoma një krim tjetër; qëndresa jonë do të vazhdojë derisa vazhdon të ketë njerëz që do t’ju fshijnë nga faqja e dheut, atëherë do të mbetet vetëm kujtimi juaj i zymtë, i përbuzur nga të tërë! Në skenat e fundit mund të shohim përfundimin/epilogun disi skematik, të ngutshëm; komandanti i kampit kërcënon “profesorin” i cili nuk thyen betimin assesi, nuk pranon asgjë, i qëndron besnik idealeve ani pse ka pësuar torturat e goditjeve me kamxhik. Në retrospektivë, Esposito-s, i hapërdahen fjalët e tij dhe toni i ashpër, alla fashist, kur projektonte rrathët e ferrit dantesk për të gjithë “plëngprishësit” e kampit. Në këtë e sipër, dëgjohet një krismë e nderë revoleje, komandanti fashist vret veten. Ky është fundi i kampit që e djegin, sikurse grahmat e regjimit fashist me gjithë xhelatët.

Të fundit

VIDEO/ Fund dramatik, Atletico Madrid mposhtin Barcelonën në minutën e fundit të sfidës

Fund dramatik në duelin mes Barcelonës dhe Atletico Madridit. Skuadra e Diego Simeones, arriti të triumfonte me përmbysje 1...

Rreziku nga ‘ujku i vetmuar’! Italia përforcon masat e sigurisë pas sulmit në Magdeburg

Tregjet e Krishtlindjeve, koncertet e Vitit të Ri, ceremonitë fetare të festave dhe ato për Jubileun, që hapet mbrëmjen e 24 dhjetorit. Sulmi në Magdeburg ka...

FOTOT/ Masakra në Magdeburg, gjermanët zhvillojnë homazhe për viktimat

Qindra njerëz, përfshirë përfaqësues të ekstremit të djathtë, u mblodhën në Magdeburgo 24 orë pas sulmit vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve, i cili shkaktoi...

Legjenda e Hip-Hopit bëhet pjesë e shtëpisë së BBV: Dua koncerte dhe femra!

Banori i dytë i spektaklit televiziv “BBVA4”, është reperi i njohur, Arban “Bani” Përlala, më mirë i njohur me pseudonimin e tij G-Bani (Xhi...

“I thashë Bashës kujdes me deklaratat”/Xhaferaj: Mazhoranca i bleu zgjedhjet 10 ditë para

Deputeti Ferdinand Xhaferaj solli në “Off the Record” një rast të regjistruar gjatë fushatës elektorale, ku eksponentë të PS shkonin shtëpi më shtëpi dhe...

Lajme të tjera

Web TV