Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime në kabinetin e tij qeverisës. Dje ai ka shkarkuar Arben Ahmetaj nga pozicioni i zv. Kryeministrit dhe ministrit të rindërtimit, duke emëruar ministren Belinda Balluku, e cila do të mbajë të dyja postet. Po ashtu Rama ka shkakruar edhe negociatorin Zef Mazin duke emëruar në vend të tij Majlinda Dhukën.
Zakonisht shtatori konsiderohet si muaji i energjive të reja në qeveri. Por kryeministri Edi Rama nuk ka pritur shtatorin për të bërë ndryshime në kabinetin e tij. Në fund të këtij korrikut zhurritës, Rama ka hequr numrin dy të tij Arben Ahmetaj, i cili e ka ndjekur Ramën gjatë tre mandateve në pozicione kyçe në kabinet. Ai ka zgjedhur që në vend të Ahmetaj të vendosë ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku. Me këtë rast Presidenti i ri i Republikës Bajram Begaj hodhi firmën e parë mbi një dokument zyrtar të presidencës.
Ndryshimet në Qeveri
Kryeministri Edi Rama i ka besuar postin e zëvendëskryeministrin, Belinda Ballukut, duke shkarkuar nga kjo detyrë Arben Ahmetajn, i cili nuk do të mbajë as postin e ministrit për Shtetin Rindërtimin. Ndërkohë Balluku do të mbajë sërish postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës. “Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha”, sqaroi për këtë lëvizje Rama. Po ashtu, Rama ka falënderuar publikisht për konbtributin Arben Ahmetajn. Ndryshimet kanë prekur edhe çështjen e integrimit në BE, ku është shkarkuar negociatori Zef Mazi dhe në vend të tij është emëruar Majlinda Dhuka. Kjo e fundit do të jetë dhe në krye të ministrit të Shtetit. “Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore dhe Ministre Shteti pranë kryeministrit”, njofton Rama. Firma e tij vjen vetëm pak ditë pasi BE-ja hapi negociatat me Shqiërinë dhe nisi diskutimin e 35 kapitujve. Prej vitit 2013 kur Edi Rama u bë kryeministër, Dhuka punon në kryeministri dhe drejtorin departamentin për Zhvillim dhe Qeverisje të Mirë. Në të njëjtën kohë prej 2 vjetësh dhe 9 muajsh ajo është lektore për menaxhimin e projekteve, menaxhimin e projekteve inxhinierike dhe menaxhimin e kontratave. Sa i përket arsimimit ajo ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë.
Shkarkimi i Ahmetajt/ Berisha: Rama tenton të mbulojë kontratat mafioze
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar në një deklaratë për mediat për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ai tha se pas vendimit për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zv.kryeministrit fshihet një përpjekje e tij për të ikur nga Shqipëria. “Shkarkimi i jep mundësi Ahmetajt të arratiset nga Shqipëria. Arben Ahmetaj, në vitin 2005, është arratisur disa vite në Rumani, ku kërkonte azil. Tani ai e liron nga detyra vetëm e vetëm që ai të largohet. Me këtë rast, unë i them Edi Ramës, se edhe në ata satelitët që ke porositur, të shkojë, do bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë dhe aferat e tij. Rama është kryeministri më hajdut i 110 viteve të fundit në Shqipëri, kryeministri më hajdut i rajonit dhe Europës. Mund t’i bësh presion dhe t’ia mbyllësh gojën SPAK-ut të partisë, por shqiptarët dhe popullin opozitar, nuk do mundesh kurrë ta trysnosh pa të dhënë vendin që meriton si një hajdut i papërmbajtur. E njëjta gjë vlen për Arben Ahmetajn, shko edhe prapa diellit. Por nuk do kesh shpëtim më. Kjo aferë për popullin opozitar është për jetë a vdekje”, tha Berisha në një konferencë për mediat. Ai e quajti ish-zv.kryeministrin si strumbullar të aferës së inceneratorëve. “Ekipi i kësaj megavjedhje ka pasur tre ushtarë: Zoton, Gugalen dhe Mërtirin. Arben Ahmetaj, i pyetur në komisionin parlamentar, paraqiti traumën e tij, por nuk pohoi njohjen me Mërtirin. Unë u them shqiptarëve se ai ka qenë menaxher i kompanisë Hermes, me të cilën Arben Ahmetaj ka vjedhur miliarda impulse, që kapin vlerën e 13 milionë eurove. Arben Ahmetaj pësoi një aksident kur ishte i shoqëruar në Maqedoni me këta mafiozë. Arben Ahmetaj është njeriu që ka firmosur shndërrimin e fondit të emergjencës në fondin për djegësit, jo pak, por 55 milionë euro. Ai vërtet nuk ka firmosur në kontratën e djegësit të Tiranës, por ka firmosur në kontratën e projektit të djegësit të Tiranës. Ai u shkarkua vetëm me një qëllim: të shpëtojë lëkurën e Edi Ramës”, tha Berisha.
Alibeaj: Lojëra për të larguar vëmendjen nga korrupsioni, SPAK të hetojë të gjitha dosjet
Kreu i Grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj, ka komentuar ndryshimet e bëra sëfundmi në qeverinë Rama. Teksa i ka cilësuar si lojëra me shkarkime ministrash, Alibeaj thotë se këto janë manovrat e fundit të kryeministrit për të larguar vëmendjen nga e vërteta. “Lojrat me shkarkime ministrash janë manovrat e fundit të Edi Ramës për të tërhequr vëmendjen nga e vërteta e hidhur: kjo qeveri është përgjegjëse kryesore për katandisjen e Shqipërisë në këtë gjendje. E për këtë, veç ministrave marionetë, përgjegjësia kryesore mbetet e njeriut që frymëzoi, drejtoi dhe sot zboi (si shumë të tjerë para tij) bashkëpunëtorë që bashkë me të, mbajnë përgjegjësi direkte për korrupsionin galopant që ka mbërthyer Shqipërinë. Ftoj SPAK që ndërkohë të vijojë punën për hetimin e të gjitha aferave, dosjet e të cilave presin gjykimin dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve kryesorë të aferave të mëdha korruptive. Vetëm gjykimi i drejtë dhe i pavonuar i këtyre dosjeve do të mund të vërë në vend drejtësinë e munguar dhe para përgjegjësie penale të gjjthë ata që për vite me radhë u majmën në kurriz të shqiptarëve.