Mbi 60 vetë janë plagosur, shumica e cilëve policë, në përleshjet me protestuesit në ishujt grekë, Lesbos dhe Kios.
Banorët kundërshtojnë planet për ndërtimin e kampeve të reja për emigrantët. Nga ana e tij, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, bëri thirrje për qetësi, ndërsa do të takojë autoritetet lokale për të diskutuar rreth krizës.
Autoritetet në Athinë u zotuan se do të ndërtojnë qendra të reja për emigrantët në Lesbos, Samos, Kios, Leros dhe Kos. Të pesë ishujt shtrihen në brigjet e Turqisë, nga ku mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme, tash e sa vite, nisen drejt Evropës.
Banorët e ishujve kundërshtojnë ndërtimin e qendrave të reja për emigrantë. Pas disa javësh bisedime midis qeverisë dhe banorëve lokalë, qeveria ka dërguar fshehurazi makineri të ndërtimit dhe qindra policë në Lesbos dhe Kios. Në ishujt grekë aktualisht ndodhen mbi 42,000 emigrantë.
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, ka kërkuar së voni nga Greqia që t’iu japë fund kushteve “tronditëse dhe të turpshme” në kampe.