Gjykata e Apelit dosjen e Partisë Demokratike duket se nuk kishte ndërmend ta hapte shpejt, por e vendosur nën presion ka përcaktuar datën 3 nëntor si ditën kur pritet të merret vendimi përfundimtar.
Kanë qenë disa përfaqësues të PD-së, që njihen si deputetë të grupimit Basha të cilët i kërkuan Gjykatës së Apelit që të shprehej me vendim në një kohë sa më të shpejtë. “Në datën 3 nëntor gjykata e Apelit do të gjykojë ankimin e PD që kërkon që gjykata të regjistrojë të Bashkuara në një vendim ndryshimet statutore të korrikut 2021 dhe të dhjetorit 2021.
Shqyrtimi që lajmërohet për datën 3 nëntor, nuk ka të bëjë me vendimin e marrë nga Agron Zhukri për legjitimimin e Kuvendit të thirrur nga kreu i PD-se Berisha, por për ankimin e grupit të Alibeajt që kërkon që gjykata të regjistrojë të bashkuara në një vendim ndryshimet statutore të korrikut 2021 dhe të dhjetorit 2021”-thuhet në njoftim.
Pavarësisht formës që ka zgjedhur gjykata të shprehet, në fakt thelbi është pranimi ose jo i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë e cila njohur Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 të thirrur nga Berisha, çka i hapi rrugë shkarkimit të Bashës dhe zgjedhjes së Berishës në krye të PD-së nga anëtarësia.
Të dyja këto nisma nuk janë pranuar nga “grupimi Basha”, i cili edhe pse de fakto ka humbur partinë, sidomos pas dështimit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të këtij viti, kërkon që të paktën de jure të vijojë të njihen si “përfaqësuesit e vetëm të PD-së”.