Rama për veten: Unë nuk zgjidhem, unë jam zgjidhja e vetme!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

I intervistuar-  Lorenc Vangjeli

Jemi rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale dhe duket se kemi një konfigurim të qartë të  opozitës me në krye Berishën i cili deri më tani duket se po luan kartën e “bashkimit të plotë”. Ai e ka pasur më të lehtë mirëkuptimin me Metën dhe çdo parti tjetër opozitare, parlamentare dhe jo parlamentare, por duket i vendosur se me të “tijët e dikurshëm” që janë në Grupimin Basha të mos ketë asnjë shenjë afrimi. A e pengon kjo opozitën dhe sidomos vendimin që mund të jap Gjykata e Apelit se kujt i takon logo dhe vula e PD-së?

Po ta shohësh nga larg skena politike shqiptare ngjan shumë e komplikuar. Ca parti andej, ca parti këtej. Lëvizje, deklarata, bashkime, ndarje, hipje, zbritje, anash nga një anë dhe anash nga ana tjetër, akuza dhe akuza. Në fakt gjithçka është tmerrësisht më e thjeshtë se kaq. Eshtë e kotë që të vihen në lojë sigla partish për të gjykuar lëvzjet e tyre. Mjafton të thuhen emrat e përveçëm të jo më shumë se pesë-gjashtë burrave për të kuptuar se bëhet fjalë për një marrëdhënie të ndryshueshme mes tyre. Ndarjet dhe hendekët, humnerat dhe skëterrat që ata numërojnë për njëri-tjetrin nga llogoret përkatëse, kanë të bëjnë vetëm me llogaritë e tyre të momentit. Askush, përfshi edhe publikun, edhe aktorët në lojë, nuk diskutojnë se cilat janë dallimet mes programeve, mes vizionit për atë që mund të bëjë një forcë ndryshe nga tjetra. Edhe këto zgjedhje lokale do të trajtohen si zgjedhjet e përgjithshme dhe njerëzit do të duhet të zgjedhin mes Ramës, Berishës dhe Metës. Asgjë më shumë. Të tjerët, përfshi dhe shumicën dërmuese të kandidatëve bashkiakë, me ndonjë përjashtim tmerrësisht të rrallë, janë figurantë në një lojë që nuk i njeh si aktorë përballë aktorëve realë. Kështu që për të qenë seriozë në këtë histori, ja vlen të merret me humor qoftë lufta finale që shpall opozita për zgjedhjet lokale, qoftë lufta për të shmangur restaurimin e të keqes që pretendon maxhoranca. Dhe duke e thjeshtuar këtë skemë mund të thuhet që opozita do të jetë e bashkuar në aksin Berisha – Meta dhe partitë e tjera opozitare, ndoshta me përjashtim të PDIU-së. Berisha do të caktojë kokërr për kokërr të gjithë kandidatët e tij, kurse Meta do të luajë në proporcional me sy nga zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të 2025-ës. Njëri për të marrë qeverisjen e disa qendrave urbane – me përjashtim të Shkodrës ndoshta – nuk merr asnjë bashki të rëndësishme, kurse tjetri për të konsoliduar partinë e rithemeluar dhe për të pasur një numër të mjaftueshëm këshilltarësh për të ndikuar në vendimmarrjen e këshillave bashkiakë. Aksi tjetër, zoti Luli dhe pasardhësi i ish-pasardhësit, zoti Enkelejd, kanë shpresë që gjykata e apelit diku në fund të vjeshtës, mbas muajsh të tëra heshtjeje, do ta çojë bastin për vulën e siglën edhe njëherë në shkallë të parë për rivlerësim të provave dhe rigjykim të saj. Me vulë dhe iniciale në xhep, ky çift me dy burra do të kërkojë të sigurohet që të nxjerrë sa më shumë kandidatë për kryetarë bashkie, në mënyrë që të fundosin kandidatët e Berishës. Vetë Berisha me vulë të humbur, do të gjejë edhe njëherë strehë tek Liria e partisë së Ilirit, që do ta marrë në shtëpinë e tij për të krijuar, me gjasë, Shtëpinë e Lirisë si aksion opozitar. Përballë tyre Edi Rama, duke synuar çdo votë që ka mes gardhit të tij të vetmuar, do të duhet të shpresojë jo që të fitojë vetë, por thjesht të rishohë sesi rihumbasin rivalët e tij.

 Ndërsa opozita po tenton të dalë me kandidat të përbashkët për të maksimalizuar votat, mazhoranca ka një tjetër problem, atë të zgjedhjeve të kandidatëve brenda saj. Deri më tani kemi një konfirmim siç është Erion Veliaj për Tiranën dhe një largim si Dritan Leli në Vlorë. Rama do të jetë vetë dirigjenti duke shkuar në çdo bashki dhe i trajtuar lokalet si politike, apo do u japë hapësirë kandidatëve?

Politika ka kohë që është bërë sheshi i lojës së individëve. Në letër primaret e Doktorit afrojnë demokraci në thelbin e partisë, por në fakt ato janë vetëm make up artificial në një trup tërësisht të drobitur. Kryesisht sepse koka e këtij trupi është autokrati origjinal i politikës, Berisha. Doktori dhe vota kanë një marëdhënie të komplikuar me njëri-tjetrin. Berisha e pranon votën vetëm kur ajo përputhet me vullnetin e tij dhe “vota” është e ndershme vetëm kur ajo lexon vullnetin e Berishës. Rama është më i sinqertë. Si fitues i shumëfishtë, ai nuk ka nevojë për kozmetikën artificiale të Doktorit për të mbuuluar të vërtetën që e dinë të gjithë: në PS vullneti i tij është absolut. Dhe se asnjë kandidat nuk do të kalojë në filtrin socialist jashtë shijeve personale të Ramës.

Gjithashtu qeveria është në një situatë jo komode përsa i përket krizës energjitike, rritjes së çmimeve, akuzave për korrupsion dhe së fundmi edhe nën deklarime të forta të ndërkombëtarëve që u shprehën kundër amnistisë fiskale. A do të paqyrohen këto problematika edhe në rezultatin e zgjedhjeve lokale?

Lexo edhe :  Ja një Femër që Nënë nuk u bë kurrë

Zgjedhjet do të mbahen në pranverë atëherë kur dielli i majit do ta këtë shkurtuar dhe më tej kujtesën e shkurtër të shqiptarëve për stresin e këtij dimri të rëndë që po vjen. Padyshim që kriza është e pranishme. Padyshim që më të prekur nga varfëria janë më të varfërit. E po kështu, janë ata që paguajnë koston më të rëndë. Eshtë e vërtetë se tre kriza të njëpasnjëshme i kanë tronditur ekuilibret makroekonomikë në vend dhe në një rast të tillë, është e vështirë të projektohet sesi do të ishte performanca e qeverisjes pa to. Në kushte të jashtëzakonshme kryeministri është i ndëshkuar të sugjerojë dhe të identifikojë edhe rrugë të pazakonshme për të siguruar të ardhura, shpesh edhe në kufi të ligjit apo të moralit. U nis me tentativën për legalizimin e Cannabis-it, është folur për pasaportat e arta, aministinë apo edhe sekuestrimin e shtesave pa leje. Secila nga këto ide, një tentativë për të gjetur para. Por nuk është ky thelbi i problemit. Ca lekë më shumë edhe ca më pak janë thjesht konvencione shumë të rëndësishme për jetën e përditshme, por ato shpejt bëhen statistikë. E rëndësishme është të shihet humori i shoqërisë dhe valvulat e presionit nga ku mund të shpëthejë presioni i pakënaqësisë. Në 2018, studentët nsiën një protestë që u shumëfishua në mënyrë totalisht të papritur. Atëherë Rama ja doli që jo vetëm ta amortizonte atë, por edhe të sillej si kryeprotestues ndaj vetë protestës që synonte atë vetë. Riformatoi qeverinë dhe morri disa masa, të cilat funksionuan edhe për një arsye tjetër: kishte në krah shumicën dërmuese të logjikës së pedagogëve dhe drejtuesve të studentëve. Katër vjet më pas, po në këtë dimër, nëse studentët dhe pedagogët do të vihen në një front përballë tij, atëherë ata mund të krijojnë atë masë kritike, si në reaksionet zinxhir, që do të sillnin pasoja të paparashikueshme për të gjithë. Madje nuk mund të parashikohet edhe sesa do të funksionojë në një rast të tillë zjarrfikësi privat i protestave antiqeveritare që Rama ka fatin të ketë dhe që quhet Sali Berisha. Rama do të tundë sërish herë karrotën dhe herë Berishën për të thënë gjithashtu një të vërtetë elementare që në Tiranë as kritikët dhe as njerëzit afër tij nuk kanë shumë qejf ta dëgjojnë edhe kur e thotë vetë kryeministri për veten: Unë nuk zgjidhem! Unë jam zgjidhja e vetme!

Rama vetëm pak orë para se të hynte në fuqi vendimi për rritjen e çmimit të energjisë u tërhoq. Kishte frikën e reagimit qytetar; nga protestat e opozitës që do kishin në duar kauzën e rritjes së çmimit, ishte një vendim për të ulur tempin e pakënaqësisë qytetare; apo një lojë e fortë që Rama të quhej “i keq” kur tha për rritjen e çmimit dhe “i mirë që mendon për qytetarët” kur u tha se do e anulojë vendimin dhe çmimi energjisë do mbesë i pandryshuar?

Për paradoks është krejt e kundërta. Rritja e çmimit të energjisë është një masë që do të godiste dhe do ta paguanin sërish qytetarët, konsumatorët. Ajo do të krijonte fatura të dhembshme sociale dhe drama të panumërta për kategoritë më të varfëra të shoqërisë. Mosrritja e çmimit, ruajtja e status quo-së është e njëjta gjë. Sërish paguajnë qytetarët. Sepse Rama nuk ka një shpellë ku ruan para të gatshme, që kur është në humor të mirë i shpërndan si Plaku i Vitit të Ri dhuratat dhe kur është në humor të keq, i ha të gjitha karamelet vetë. Zgjidhja është gjetkë, por në kushtet e Shqipërisë është e pamundur sepse nuk funskionon sistemi në përgjithësi. Energjia është mall dhe duhet të trajtohet si e tillë, si mall, çmimi i të cilit, i nënshtrohet ofertës dhe kërkesës. Blerja shumëfish në tregun e jashtëm dhe shitja nënfish në tregun e brendshëm është marrëzi. Shteti nëse do të mundej duhet ta trajtonte atë me çmimin sa më real për konsumatorin dhe të bënte pagesë të diferencuar. Duke kompesuar para së gjithash të varfërit dhe duke detyruar të paguajnë shumë më shumë konsumatorët e luksit. Pjesa tjetër është jo vetëm retorikë populiste siç duket në shikim të parë, por është vetëm fjalëzim budalla që të mirën apo të keqen tek tjetri e përthyejnë vetëm në mekanizmin vetjak të interesit. Dhe meqë po vjen dimri i 32-të pas dhjetori që rrëzoi komunistët qesharakë të Shqipërisë, vlen të kujtohte se një nga marrëzitë e tyre ishte edhe zëvendësimi i logjikës ekonomike me atë politike. Sa kohë që vendimet i merrte politika, ekonomia herët a vonë do të hakmerrej. Sepse edhe në vendet më të fortë të botës ekonomia është si kapriçio gjimnazisteje. Mjafton shumë pak për të ndryshuar humorin e saj. Dhe pastaj, pritja e gjëmës është vetë, formalitet.

 

Të fundit

Monedhat e huaja nuk dalin nga “humnera”/ Kursi i këmbimit, 14 maj 2024

Sot, më 14 maj 2024, në tregun valutor, dollari amerikan blihet me 92.8 lekë dhe shitet 93.7 lekë. Euro sot blihet me 100.1 lekë, ndërsa...

Mos harroni çadrat/ Parashikimi i motit për ditën e sotme

Vendi ynë parashikohet të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun Korçë, ndërsa në qarqet...

Sa operacione cezariane mund të përballojë një grua për lindjen e fëmijëve?

Disa gra lindin në mënyrë natyrale, kurse disa gra tjera lindin me prerje Cezariane. Secila foshnje vjen në këtë botë në mënyrë të ndryshme. Gratë...

Horoskopii ditës, 14 maj 2024

DASHI Tregohuni të kujdesshëm për gjërat e mbetura pa thënë në dashuri, sepse ato mund të prishin një marrëdhënie. Në punë gjithçka po shkon mirë...

Lajme të tjera

Web TV