Deputetja demokrate, Dhurata Çupi Tyli, në cilësinë e bashkëkryetares së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, nga foltorja e Kuvendit ka shpalosur një raport të hartuar nga PD-ja, sa i takon kësaj çështjes.
Demokratja ka folur në emër të PD-së, duke kërkuar me insistim ngritjen e një komisioni të posaçëm për realizimin e reformës admisnitrativo-territoriale.
Sipas Çupit reforma administrativo-territoriale e vitit 2014 është bërë nën trysninë e zgjedhjeve lokale, në mënyrë të njëanshme. Çupi propozoi disa ndryshime në reformën territoriale-administrative duke mundësuar realizimin e 33 bashkive.
“Ne propozojmë që pushteti vendor të ndahet në dy nivele. Niveli i parë do të përfaqësohet nga bashkitë ndërsa në nivelin e dytë të përfaqësohet nga qarqet ose rajonet”, tha ajo.
Përsa i përket qarqeve, PD-ja propozon reduktimin e numrit të tyre nga 12 në 6 qarqe. Çupi thotë se qarqet duhet të bashkohen në këtë formë: Shkodër-Lezhë, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier-Berat, Vlorë-Gjirokastër.