Henri Çili në betejën e Mezhgoranit, i humbur edhe nëse fiton

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli, ekskluzive për Gazetën Fjala

“Një zë po del nga gryk’ e Mezhgoranit,

Në sulm shqiptar, armikun ta dërmojmë…”

Kështu fillon një elegji e mrekullueshme kushtuar një partizani hero, që nën zërin e Mentor Xhemalit, ende ngjeth njerëzinë që e dëgjon. Ata që njohin historinë dhe ata që ndiejnë sadopak muzikën.

Tirana u ngjeth javën e shkuar, jo nga muzika, por nga një akuzë e frikshme që vinte gjithashtu nga Mezhgorani, sipas emrit të një operacioni policor që vuri në pranga dy duzina me shqiptarë.

Me një seri dyshimesh që shkonin nga trafiku i drogës, mashtrimi, falsifikimi i dokumenteve, organizimi i lojërave të paligjshme të fatit, armëmbajtja pa leje e deri te më e rënda, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Kaq do të mjaftonte që të duartrokitej operacioni i policisë, që shkallmonte një grup të strukturuar kriminal.

Numri i madh i të ndaluarve dhe, mbi të gjitha, përfshirja në këtë grup e botuesit Henri Çili, e bëri shumë më të fortë jehonën e asaj që kishte ndodhur. E shndërroi atë në një burim magjik, ku gjithkush mund të fuste garuzhdën për të marrë pak nga uji i suksesit.

Një tjetër personazh i panjohur, që nuk është as Sokol Sadushi që pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë dhe as Ardian Dvorani që pritet të ikë nga Gjykata e Lartë, e bëri edhe më inkandeshent romanin policor të nisur nga Përmeti me Vjosë për të përfunduar në Tiranën e Lanës.

E po kështu, edhe e panjohura tjetër: lista e gjatë e personazheve të rëndësishëm me të cilët Henri Çili thotë natën e mirë në darkën e pasmesnatës dhe mirëmëngjes kur zgjohet vetë vonë drejt mesditës. Edhe i pari që numërohet në të majtë, edhe të dytët që janë shumë dhe shumë më shumë djathtas se majtas në politikë, e bëjnë kureshtjen të mbajë frymën për të mësuar se çfarë i ka lënë pa frymë policët e operacionit.

Në fakt, uniformat blu kanë nisur të shpërgjumen dhe kanë nisur të marrin iniciativën kundër krimit. Ato po godasin me inteligjencë, pavarësisht se çfarë thonë kritikët dhe skeptikët, pavarësisht se çfarë thonë balerinët e Kushtetutës, që nën ombrellën e padiskutueshme të të drejtave të njeriut, kundërshtojnë nxirjen e padiskutueshme të jetës për peshat e rënda të krimit.

Por Mezhgorani i kësaj radhe nuk ishte rasti që duhej dhe rasti që pritej. Gjithë çfarë ndodhi, duhej të kishte parasysh hendekun edhe të thellë, edhe shumë të ngushtë që ndan të ligjshmen nga e paligjshmja, ashpërsinë e duhur policore me optimizmin tarallak të fitores së lehtë.

E gjithë boloria dhe harbimi mbas suksesit, vënia e këtij operacioni në vitrinën e parë të reformës në drejtësi vetëm sa kujtuan se problemet në Shqipëri janë shumë më të thella se një betejë e radhës kundër paligjshmërisë dhe krimit.

Edhe ndarja me thikë e opinionistëve dhe komentuesve të botës anonime të rrjeteve sociale, asaj dhe kësaj ane të Mezhgoranit, pro dhe kundër Henri Çilit, dëshmon pikërisht defektet thelbësore të shoqërisë shqiptare.

“Mezhgorani” është laboratori ku mund të vrojtohet pikërisht ky sistem defektesh, që janë dhe shpjegim i pjesshëm për të përditshmen e përbashkët dhe projektojnë edhe mënyrën se si nuk duhet të jetë e nesërmja e përbashkët.

Defektet nisin me mentalitetin sovjetik jo vetëm të sistemit të drejtësisë, por edhe të gjithë shoqërisë shqiptare, që nuk e refuzon kufirin mes dyshimit dhe të provuarit të tij në gjykatë. Që përbuz parimin e prezumimit të fajësisë.

Që beson se prokuror dhe gjyqtar i ndershëm është ai që shtrëngon prangat dhe jo ai që arsyeton me mendje, që mendon se mbas çdo qindarke në xhepin e tjetrit, ndodhet një episod vjedhjeje, që mbas çdo kapitalisti fshihet një kriminel dhe se mbas çdo të pasuri gjendet një maskara që duhet kryqëzuar.

Lexo edhe :  Veliaj kërkon lirimin në Apelin e GJKKO, gjykata shtyn vendimin për të mërkurën

Shoqëria shqiptare, si rregull, në fillim linçon dhe më pas harron të kërkojë ndjesë nëse faktet dhe provat thonë tërësisht të kundërtën. Atëherë ka dalë dikush tjetër në skenë, individi apo ngjarja, kokrra e misrit drejt të cilës vrapojnë të gjithë me vrapin kuturu të pulës me kokë të sapoprerë.

Henri Çili u ndodh befasisht në mes të gjithë kësaj zulme. Kush e donte sinqerisht, nuk pranoi ta besonte atë që po thuhej si e vërtetë absolute, kush e urrente me sinqeritet, u lumturua kur e pa të bjerë në fatkeqësi.

Kontrovers dhe me shumë dritë hije në të djeshmen dhe të sotmen e tij, i shkujdesur në jetën private dhe zigzag si dhëmbë sharre në jetën publike, modest nga natyra dhe arrogant për shkak të suksesit vetjak, Çili të jep atë ndjesinë që nëse e ndesh në rrugë, të ndeshesh me të edhe nëse nuk kryqëzohen rrugët.

Ai ka pasur fatin e lig të gjithë njerëzve publikë që u mbahen shënim çfarë thonë dhe çfarë bëjnë. Si rezultat, e kanë urryer të majtët kur në 2013-ën vazhdonte të besonte në një mandat të tretë të Sali Berishës, e kanë përbuzur të djathtët kur mbështeti në një mandat e gjysmë Edi Ramën dhe nuk e duan as të majtë e as të djathtët, tani që ai mendon për një rrugë të tretë duke dashur të imponojë këtë ide me emrin e tij dhe me një sërë njerëzish që punojnë me të dhe për të. Dhe mbi të gjitha, çfarë është më e rëndësishmja, dyshimi që e vë atë përballë njerëzve që shenjtërojnë gjakun e policit Ibrahim Basha, e paracaktojnë atë si fajtor!

Një magjistrat në Përmet dha të dielën në mesnatë një shembull të jashtëzakonshëm mençurie. Natyrisht nuk i ka hyrë thelbit të provave, por ka lexuar jo më shumë se dy-tri nene të Kodit të Procedurës Penale, që shpjegojnë se çfarë do të thotë masë sigurie. Mund t’i binte shkurt dhe të thoshte: “Burg, burg, burg!” Dhe do t’i kënaqte të gjithë, por do të linte hapur shtegun e gjerë ku shkel gjithmonë shkelja e ligjit.

Që nga fundjava e shkuar, drejtësia i ka dhënë Henri Çili një luftë që duhet ta luftojë jo vetëm për veten, por edhe për një sërë marrëzish të së përditshmes së shoqërisë shqiptare. Të dielën në mesnatë ai fitoi betejën e parë të një lufte që do të vazhdojë gjatë.

Një luftë të cilën edhe nëse e fiton plotësisht, do të jetë sërish i humburi i madh i saj. Jo sepse u gjend papritur në mes të grykës së Mezhgoranit, aty ku ra dikur një hero partizan, por sepse u shemb në paqe për të mos gjetur më paqe me veten.

Viktimë e unit të tij dhe sovjetikëve shqiptarë të kapitalizmit tarallak vendas, Henri Çili duke dashur të mbajë sytë nga yjet, harroi se ku vinte këmbët. Dhe kur sot bie dikush, askush nuk do të bëjë asnjë këngë për të. Shumë-shumë do të nxjerrin një zë të thellë nga lugina e Lanës në Tiranë dhe do të këndojnë nën ritmin e gëzimit të lig që sjell fatkeqësia e tjetrit.

Të fundit

Do të keni takime interesante…çfarë kanë parashikuar yjet për sot

Dashi Të lindur më: 21 Mars - 19 Prill Të enjten Mërkuri dhe Venusi në aspektin e shkëlqyer favorizojnë mundësi të reja, veçanërisht në dashuri. Megjithatë,...

Dramë deri në fund, Real Madrid mposhtet por kualifikohet pas penalltive në çerekfinale

Real Madrid ka siguruar biletën për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka mundur me penallti Atleticon pas një ndeshje shumë të tensionuar . Ndeshja...

Si të fshini llogarinë tuaj në Instagram dhe të rikuperoni të gjitha fotot

Ju mund të dëshironi të shkëputeni nga rrjetet sociale duke fshirë llogarinë tuaj , por rreziku është që të humbni materialin fotografik që keni mbledhur ndër vite. Ose,...

Jeni dhurues i rregullt i gjakut?/ Ja ndryshimet gjenetike që pëson organizmi juaj

Ndryshime gjenetike janë identifikuar në qelizat burimore të gjakut nga dhurues të shpeshtë që nxisin gjenerimin e qelizave të reja për të zëvendësuar ato të humbura , por...

Lajme të tjera

Web TV