Në ceremoninë e 32-vjetorit të Partisë Demokratike, lideri historik i kësaj force politike Sali Berisha kujtoi vitet e para si mjek duke thënë se ishte i apasionuar pas profesionit të tij dhe së vërtetës.
Ai theksoi se edhe sot pas kaq vitesh i duhet të përballet me armiq të demokracisë dhe sërish me ndihmën e popullit opozitar të nxjerrë në pah vetëm të vërtetat.
Berisha: 7 vite në opozitë ishte një fatkeqësi e vërtetë, të jesh opozitar i vërtetë është nder dhe të jep pushtetin moral sepse qëndron guardian i interesave të qytetarëve, sepse shfrytëzon kohën për të përgatitur një alternativë të re me të cilën çon drejt fitores shoqërinë. Kjo nuk ndodhi me PD-në, për shkak të takimeve dhe marrëveshjeve të fshehta, bizneseve të përziera të kreut me qeverinë apo për shkaqe të tjera që absolutisht nuk kishin të bënin me anëtarët e kësaj partie, u shndërrua në një dekor, fasadë.
Në zgjedhjet e 25 prillit, një besim i jashtëzakonshëm i popullit opozitar u shkelmua për interesat më të ulëta, vetëm e vetëm që PD të shndërrohej në një aleate të PS-së dhe Ramës, në një kohë kur demokratët qanin me ngashërim për rezultatin që morën pasi në krye të opozitës bëheshin plane postesh.