Edhe pse tregu i brendshëm ka qenë gjithmonë qendra e gravitetit e BE-së, Evropa nuk mund të identifikohet vetëm me të.
Që të bëhet një aktor strategjik efikas, BE-ja duhet të shfrytëzojë në maksimum të gjitha mjetet në dispozicion dhe kjo kërkon zhvillimin e një vizioni strategjik imponues dhe përfshirjen në një planifikim efikas afatgjatë
Nga Ana Palacio
Çdo shkurt, Konferenca e Sigurisë e Mynihut ofron një mundësi për të matur temperaturën e çështjeve ndërkombëtare, sidomos marrëdhëniet transatlantike. Rezultatet e këtij viti nuk janë aspak inkurajuese.
Fjalimet dhe bisedat nxorën në pah, përsëri, ndasinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, edhe pse ata treguan një shqetësim të përbashkët me Kinën. Ndoshta duke pasur më shumë pasoja, ata theksuan kthimin e botës në konkurrencën e fuqisë së madhe dhe mungesën e plotë të ndonjë strategjie vepruese nga ana e Evropës.
Kjo nuk është diçka e re për liderët e Bashkimit Evropian. Edhe përpara se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen ta shpallte Komisionin “gjeopolitik”, imperativi i arritjes së “autonomisë strategjike” ishte zhvendosur në pararojë të debatit për politikën.
Kjo sugjeron se evropianët më në fund po pranojnë disa të vërteta të vështira: marrëdhënia transatlantike ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme; konkurrenca po zëvendëson bashkëpunimin; dhe Evropa rrezikon të shndërrohet në një arenë për këtë konkurrencë në vend që të jetë një lojtare më vete.
Rivaliteti i përshkallëzuar midis Amerikës dhe Kinës e ka nënvizuar këtë rrezik. Planet evropiane për të angazhuar gjigantin e telekomit kinez “Huawei” në ndërtimin e infrastrukturës së tij 5G janë ndeshur me kundërshtimin e fortë të administratës së Presidentit amerikan Donald Tramp, i cili e ndaloi firmën, për shkak të shqetësimeve të sigurisë (SHBA-ja e ka akuzuar tani “Huawei”-n dhe dy nga filialet e tij për sulme federale dhe komplot për të vjedhur sekrete tregtare nga kompanitë amerikane).
Në tregti, SHBA dhe Kina së fundmi përfunduan një marrëveshje tregtare të “fazës së parë” që përfshin një angazhim kinez për të blerë rreth 200 miliardë dollarë produkte amerikane gjatë dy viteve të ardhshme – me sa duket, pjesë e një ribalancimi më të gjerë të marrëdhënieve tregtare të Kinës me SHBA-në. Prodhuesit evropianë, të cilët varen në mënyrë të konsiderueshme nga kërkesa kineze, do të përballen me barrën më të madhe të kostos së këtij ndryshimi.
Shtoji kësaj ndjeshmërinë e Evropës ndaj vendimeve të tjera strategjike të SHBA-së – duke filluar nga antagonizmi i saj ndaj Iranit deri te tërheqja e saj ushtarake në Afrikën Perëndimore në një kohë kur dhuna po përshkallëzohet – dhe rreziqet e ngurrimit të BE-së nuk mund të ishin më të dukshme.
Po, liderët evropianë tani janë të bindur se duhet të veprojnë në mënyrë më strategjike, por kjo bindje ka sjellë pak progres të vërtetë.
Ndërkohë që ka pasur disa përpjekje për të rritur aftësitë mbrojtëse të Evropës – për shembull, BE-ja ka krijuar programe të reja për të inkurajuar bashkëpunimin e industrisë së mbrojtjes – ata janë thjesht hapa të parë eksperimentalë.
Po kështu, edhe pse Komisioni Evropian vendosi ta etiketojë Kinën një “konkurrent strategjik” marsin e kaluar – një veprim që u prezantua si një progres strategjik – ai duhet ende të përcaktojë një strategji konkrete në lidhje me Kinën. Dhe zotimet e reja për të ndërtuar partneritete të reja, më të barabarta me Afrikën mbeten kryesisht të paplotësuara.
Ky është pjesërisht një problem shpërqendrimi. Saga “Brexit” ka marrë pjesën më të madhe të vëmendjes së Evropës këto gjatë këtyre tri viteve e gjysmë, duke e lënë axhendën e reformës në BE të dobësohet.
Por edhe tani që dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja përfundoi (edhe pse kushtet e kësaj duhet të finalizohen ende), BE-ja do të përpiqet të shfrytëzojë mundësinë për të vënë në zbatim një reformë efikase.
Si fillim, për një bashkim prej 27 vendesh individuale dhe institucionesh të shumta – secili me objektivat, procedurat dhe interesat e veta – veprimet vendimtare janë gjithmonë të vështira.
Më saktë, Evropës i mungon një impuls strategjik. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borel, aludoi për këtë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kur ai bëri thirrje që Evropa të zhvillojë një “oreks për pushtet”.
Por Evropa nuk mundet thjesht ta dëshirojë një oreks të tillë. Kjo kërkon stimujt, besimet dhe përparësitë e duhura. Dhe këtu qëndron problemi. Siç është, Evropa është në thelb një aktor tregu, jo një aktor strategjik.
Tregu i brendshëm ka qenë gjithmonë qendra e gravitetit e BE-së. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme që duhet të ruhet dhe mbrohet. Por nuk mund të jetë lupa përmes së cilës shihet e gjithë politika, sidomos gjeostrategjia.
E megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Në vend që të ngarkojë një komisioner të përkushtuar apo edhe një përfaqësues të lartë për administrimin e nismave të reja të lidhura me mbrojtjen, BE-ja i ka shtuar ato në portofolin e Tierri Breton, Komisionerit Europian për Tregun e Brendshëm.
Presidenti francez Emanuel Makron – një nga përkrahësit më të spikatur të idesë së “Europës strategjike” – ishte mbrojtësi kryesor i kësaj qasjeje.
Për më tepër, kur negociatat për buxhetin shtatëvjeçar të BE-së arritën në një rrugë pa krye, Komisioni propozoi shkurtime në financimin për një strukturë për aktivitete ushtarake dhe paqeruajtëse dhe masa për të lehtësuar lëvizjen e forcave të armatosura nëpër Evropë gjatë krizave të sigurisë. Nëse miratohet, shkurtimet do të dëmtojnë ndjeshëm ambiciet e mbrojtjes së Evropës.
Që të bëhet një aktor strategjik, Evropa duhet të shfrytëzojë sa më shumë çdo mjet në dispozicion të saj dhe kjo kërkon zhvillimin e një vizioni strategjik imponues dhe përfshirje në një planifikim efikas afatgjatë.
Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të dërgojë sinjale të qarta – vetes dhe pjesës tjetër të botës – se ndërtimi i një kulture strategjike është një përparësi. Me pak fjalë, siç shkroi së fundmi Borel, BE-ja duhet “të rimësojë gjuhën e pushtetit dhe ta konceptojë veten si një aktor gjeostrategjik i nivelit të lartë”.
Në të kundërt, ajo do të dënohet duke qenë thjesht një objekt, dhe jo një autore, e çështjeve ndërkombëtare. /Project Syndicate