Reforma Zgjedhore drejt shtyrjes së afatit 15 mars. Partitë politike ndahen dhe bashkohen. Subjektet e mëdha bien dakord në heshje për të mos ndryshuar sistemin elektoral, duke i dhënë sërish mundësinë listave të mbyllura dhe të kontrolluara nga kryetarët. Përçahen në detaje për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Nga Silvana Tresa
Reforma zgjedhore vazhdon të mbetet peng i mosmarrëveshjeve mes mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare, duke e bërë thuajse të pamundur përfundimin e saj branda datës 15 mars, sikurse ishte deklaruar disa javë më parë. Ndryshimi i sistemit dhe depolitizimi i administratës zgjedhore, i ka larguar palët nga konsensusi i shumëpritur, ndërsa gjatë takimit të së hënës ka pasur përplasje qëndrimesh kryesisht mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare. Dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, thanë për mediat se PD-ja nuk po kërkon ralisht ndryshimin e sistemit. “Trumbetuan një ndryshim sistemi, nuk thanë asgjë. Listat e hapura, janë varianti më i mirë i mundshëm sepse fuqizojnë qytetarë, dhe opozita nuk duhet të jetë kundër. Kjo opozitë refuzon të mbrojë këtë ndryshim sistemi, ndërkohë që PS-ja është e hapur për ta konsideruar si mund të procedohet më vonë. Jam e vendosur që do t’i shkojmë deri në fund të kësaj çështje. Kjo është një kauzë e vërtetë qytetare, dhe opozita jashtë parlamentit nuk duhet të ketë frikë”- deklaroi Hajdari. Në të njëjtën linjë më ta ka qenë dhe Gjiknuri. “Partia Socialiste është e hapur të diskutojë për sistemin zgjedhor, por aktualisht nuk kemi një qëndrim. Nëse do krijohet një Komision Kushtetues për sistemin, patjetër që do hulumtojmë propozimet, por kjo do kërkojë më shumë konsultime”- nënvizoi Gjiknuri. Por përfaqësuesi i Partisë Demokratike në komision, Oerd Bylykbashi, tha se opozita e shprehu në fakt gatishmërinë për të diskutuar propozimet për ndryshimin e sistemit elektoral. “Ne jemi të hapur, dhe diskutimi vazhdon, por nuk pamë asnjë qëndrim nga mazhoranca”- tha Bylykbashi. Ndërkohë ai e akuzoi shumicën qeverisëse se me qasjen e ditëve të fundit po synon që ta miratojë në mënyrë të njëanshme këtë reformë. Bylykbashi u ndal edhe mbi propozimet e bëra nga PD-ja për depolitizimin e administratës zgjedhore, propozim ky që është kundërshtuar nga mazhoranca. “Administrimi i votimit, i numërimit është jo politik. Ndërkohë që vendimmarrjet bëhen nga palët ruajnë garancitë. Është një propozim që përputhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Në qendrën e votimit, do e administrojë një person jo politik, partitë janë aty për monitorim. Po ashtu edhe numërimi dhe nxjerrja e rezultatit. Rinumërimi i votave para se të nxirret rezultati, që nëse një komisioner i ka shkuar ndërmend të vjedhë, të përgjigjet e të ndiqen penalisht dhe jo të bëhet me gjobë”- tha Bylykbashi. Por, homologu i tij socialist Gjiknuri tha se propozimi i selisë blu nuk çon në depolitizimin e administratës zgjedhore, pasi sipas tij vendimmarrja u mbetet sërish përfaqësuesve politikë.
Listat e hapura, PD-PS ngurrojnë, të vegjlit i kërkojnë me ngulm
Debatet mbi ndryshimin e sistemin zgjedhor, lidhen jo vetëm me administrimin e zgjedhjeve, por edhe me një diskutim tashmë disavjeçar:lista proporcionale të hapura apo të mbyllura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Opozita e re në parlament, dhe parti të vogla jashtë tij, kanë kërkuar qartazi që sistemi i ardhshëm të mos mbështetet më mbi listat e mbyllura, por për çdo qark listat të jenë të hapura, dhe ku renditja e kandidatëve të bëhet sipas numrit të votave që ata kanë fituar. Pretendimi i tyre është se me sistemin e listave të hapura, qytetarët nuk do të jenë të detyruar të votojnë vetëm për partitë, por do t’u jepet mundësia të zgjedhin edhe brenda një force politike atë që mund t’i përfaqësojë më mirë. Pra, sipas parimit që kandidatët të mos presin vetëm çfarë t’u japë partia, por edhe se çfarë do t’i japin ata partisë. Kjo qasje është mbështetur edhe nga nisma qytetare “Thurrje”, që në fillim të janarit të këtij viti depozitoi në KQZ firmat e 50 mijë qytetarëve shqiptarë për organizimin e një refendumi popullor mbi këtë çështje. Ndërkohë, dy partitë e mëdha PS dhe PD, nuk janë shprehur ende pro ose kundër kalimit nga një sistem proporcional me lista të mbyllura, në një sistem me lista të hapura. Por ngurrimi i deritanishëm për t’u pozicionuar mbi këtë çështje, tregon se krerët e partive të mëdha, e ndjejnë më të nevojshme që të kenë në kontroll zgjedhjen e deputetëve, pasi janë ata vetë që përcaktojnë edhe renditjen e emrave nëpër lista sipas parapëlqimit të tyre. Kjo praktikë, nënkupton një kontroll të fortë jo vetëm të deputetëve, por edhe të partisë. Në modelin e thjeshtë proporcional, atë të listave të mbyllura, renditjen e deputetëve e përcakton kryetari. Kësisoj, nëse partia në zgjedhje siguron 5 mandate, deputetë bëhen 5 personat e parë në listën e asaj partie, të përcaktuar më parë nga kryetari i partisë. Ndërsa në modelin e listave të hapura, votuesi ka mundësinë që të shenjojë një ose më tepër kandidatët që ai preferon si deputetë. Në pamje të parë ky model është më demokratik, pasi vendimin se kush bëhet deputet e merr votuesi dhe jo kryetari i partisë. Por ky model, iu shkon më në favor partive të vogla, dhe sidomos partive të vogla opozitare të reja, pasi do të merrnin një pjesë të votave, që në rastin e listave të mbyllura shkojnë siç ka ndodhur në zgjedhjet e viteve 2009, 2013 dhe 20017 për partitë e mëdha PS dhe PD. Sipas eskpertëve të ndryshëm zgjedhore, edhe listat e hapura kanë problemet e tyre. Kjo pasi në këto lista mund të hyjnë kandidatë që zotërojnë mjete të fuqishme financiare, gjë që krijon jo pak probleme për kandidatët e tjerë. Në modelet e listave të hapura, paralelisht me fushatën për partinë, secili kandidat lufton të sigurojë vota edhe për vete. Kjo nxit konkurencës por edhe fërkime mes kandidatëve të së njëjtës parti. Për më tepër, nëse votuesit i mundësohet të votojë më tepër kandidatë, kjo shkakton formimin e klaneve brendapartiake. Prandaj, modeli i listave të hapura, mund të nxisë beteja të ashpra dhe lojëra në prapaskenë brenda partive politike.