Pushkatimi makabër i Anastas Lulës si PKSH filloi vrasjen e disidentëve të saj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ylli Polovina

Duhej të ishte hapësira e ngushtë midis fund vitit 1971 dhe fillimit të 1972, kur prokurori i rrethit të Beratit, eksponent i njohur i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Orhan Frashëri, më besoi rrëfimin e një episodi. Unë atëherë, i porsa kthyer nga studimet universitare në Tiranë, po mblidhja me intensitet informacion për luftën partizane, të nevojshme për shkrimin e një libri me këtë temë, libër të porositur nga autoritetet e larta të pushtetit vendor.
Të gjitha këto gjurmë kërkimesh të kësaj kohe i kam të regjistruara me shkrim në një dosje të madhe dokumentare. Aty gjendet edhe episodi në fjalë, të cilin gjithsesi, edhe pse mund të mos e mbaja shënim, mu ngulit pashqitshëm në kujtesë. Orhan Frashëri më tha se një ditë erdhi urdhri për të pushkatuar Anastas Lulën, i cili ndodhej si partizan i thjeshtë në çetën e tyre, që vepronte në zonën Berat-Skrapar-Tepelenë. “Kur erdhi urdhri, shpjegoi Frashëri, ai po flinte”.
E zgjova nga gjumi, pohoi, pastaj e çuam në një vend dhe e vramë. Mbaj mend qartësisht se prokurori i rrethit nuk përmendi autoritetin apo instancën, prej ku pati ardhur urdhri i pushkatimit të Anastas Lulës. Nuk citoi as emrin e Enver Hoxhës dhe as të Komitetit Qendror të PKSH.
I dogmatizuar prej propagandës se Lula qe një tradhtar i Partisë Komuniste Shqiptare si edhe i atdheut, pra i bindur se kishte marrë një dënim të merituar, më bëri përshtypje dhe më krijoi ndjenjë refuzuese se si në këtë ngjarje nuk pati pasur elementë të njohur ligjshmërie si gjyqi konkret, edhe pse formal, po ashtu dhe marrja e vendimit prej anëtarëve të tij. Anastas Lula qe si një i pushkatuar pa gjyq.
Rrodhën vitet, ra regjimi, nisi rehabilitimi i figurave të nëpërkëmbura politikisht. Me qindra të tillë u ekspozuan para vëmendjes së shqiptarëve. Por Lula jo.
Në maj 1993 gazeta lokale e degës së Partisë Demokratike të Beratit, “Ideja Kombëtare”, botoi shkrimin “Njeriu që pa vdekjen me sy”. Autori qe një vendas, dikur banues i viseve ku Anastas Lula ishte pushkatuar. Quhej Astrit Toro. Për çfarë rrëfeu ai konkretisht do të hapim vend më pas, por tani për tani le të ndjekim dinamikën e ngjarjes. Pas këtij shkrimi gropa e heshtjes për fatin e Anastasit vijoi, askush nga familja nuk mori kontakt me gazetën beratase. As me autorin. Ato lëvizën nga vendi tre mote më vonë, në fillim të vjeshtës 1996. Por gjithsesi ngjarja e pazakonshme dhe që përfaqësonte një pamje thelbësore të historisë kombëtare, ende dukej sikur vijonte dremitjen e vet.

Petraq Gramo dhe historiani Muharrem Dezhgiu
Zgjimi i hovshëm ndodhi në 2004. Historiani Muharrem Dezhgiu botoi librin me 164 faqe “Anastas Lula, disidenti i parë në P.K.SH.” Në faqen e dytë të këtij libri shkruhet se recensent është Prof. Dr. Beqir Meta.Njëkohësisht thuhet “Sponsor: Petraq Gramo”. Këtë protagonist të fundit, si rehabilitues politik të Anastas Lulës, do ta takoja posaçërisht vetëm disa muaj më parë, në vjeshtë 2022, megjithëse në 1998 kishim qenë përballë në të njëjtën tavolinë, në Padova të Italisë, në një veprimtari të Rotary Club, kushtuar një sipërmarrësi italian, mik shumë i përkushtuar dhe i sinqertë i Shqipërisë. Petraq Gramo është sponsor i një libri album, me autor Artan Lame, të titulluar “Princi i Shqiptarëve, Wilhelm von Wied”. Botimi në 159 faqe nga “Toena”, Irena Toçi, është jo vetëm shumë shkencor dhe i ngjeshur me dokumentacion të shkruar dhe në foto, por edhe mjaft luksoz. Pra, i shtrenjtë financiarisht. Ndërsa për Artan Lamen në pas ballinë shkruhet “Publicist, koleksionist, historian”, habia të përfshin tek lexon tekstin për Petraq Gramon: “Sipërmarrës, ish-gazetar. Miqësia e tij me familjen Wied, u bë shkëndija për nismën e këtij botimi. Një pjesë e fotografive që botohen për herë të parë, u sollën prej tij nga Arkivi i Familjes Wied”.
Petraqi ka përzgjedhur për sponsorizim edhe dy botime të tjera: dy romane me karakter politik, me temë nga Kosova, një i autorit Marenglen Verli dhe tjetri i autorit Shaban Murati, ish koleg i tij kur punonin në Radion e Jashtme. Gjithashtu në kuadrin e ndihmave financiare, donacioneve, si antar themelues i Rotary Club Tirana, që në 1992, Petraq Gramo ndër më të rëndësishmit ka atë të 70.000 eurove për jetimoren e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shën Vlash dhe Sukth.
Po kështu shifra jo të vogla ka dhuruar për dy objekte kishtare në fshatin e lindjes Shalës.
Njëkohësisht financimin e plotë të ujësjellësit të këtij fshati, me gjatësi mbi 4,5 km.
Petraq Gramo ka kryer donacione të vazhdueshme ndër vite në Rotary Club, si ndihma për nevoja ushqimore, deri te kompletimi me laboratorë të shkollave të mesme. Duke vazhduar me iniciativën e quajtur “ADOPTOJMË NJË STUDENT”, e cila synonte një ndihmë financiare për studentët nga rrethet. Për këtë jetë aktive ai është Anëtar Nderi i Rotary Club, i vlerësuar nga Rotary Internacional me medaljen “POL HARRIS”.

Astrit Toro: “Njeriu që pa vdekjen me sy”
Në 1996, ndërsa ishte 53 vjetor i Anastas Lulës, por edhe i përndjekjes gjer me zhdukje fizike të atij formacioni politik që u quajt “Grupi i të Rinjve”, përveç më 22.05.1996 i dekoratës “Martir i Demokracisë” dhënë nga presidenti Sali Berisha, u bënë edhe disa ceremoni nderuese në Tragjas, në Gjorm dhe në qytetin e Vlorës. Ishte Ymer Dishnica ai që për Anastas Lulën ia dorëzoi dekoratën të vëllait të tij, Dhimitrit. E vërteta është se gjatë periudhës së të qenit të tij në udhëheqjen e PKSH-së, por edhe më pas, kur u izolua politikisht, doktor Dishnica e kish trajtuar Lulën si tradhtar. Sepse duhet ta ngulitim në mendje që vrasës i Anastasit, urdhërdhënës i pushkatimit, ishte personalisht Enver Hoxha, por ideologjia e zhdukjes fizike të mospajtuesve qe vetë platforma programatike e PKSH-së. Gjithsesi pas këtyre ceremonive, grupi i veteranëve dhe i Ministrisë së Mbrojtjes, doemos ku ishte edhe Dhimitër Lula, më 16 tetor 1996, u drejtuan për në Gllavë të Tepelenës, atje ku qe pushkatuar Anastasi. Siç e shihni, simbolet po funksiononin në të kundërt. Ishte ditëlindja e Enver Hoxhës dhe për rastësi edhe ajo e ringjalljes së Lulës. Gjetja e eshtrave dhe varrimi qe saktësisht një “ditëlindje”. Nga Gllava eshtrat e Anastasit i dërguan në Tiranë, në morgun e Spitalit Ushtarak. Ceremonia e rivarrimit u krye në 1 nëntor 1996.
Ky vit shënon një moment kyç jo vetëm në fatin e ish udhëheqësit të Grupit (Komunist) të të Rinjve, por edhe të tërë historisë së Shqipërisë, për një gjysmë shekulli si diktaturë e proletariatit.
Historia e gjetjes së vendit ku pati ngjarë pushkatimi qe mjaft i ndërlikuar dhe ka si fillesë vëllanë tjetër të Anastasit, Sarandin. Ky pas Luftës së Dytë dhe marrjes së pushtetit në Tiranë nga komunistët e Enver Hoxhës, nuk pati pasoja, madje kreu studimet ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Kjo “qetësi” nuk do të zgjaste shumë dhe mbi fatin e tij do të binin me rrebesh katër burgime të njëpasnjëshme.
Në këto burgime politike disa prej bashkëvuajtësve i kishin thënë se Anastasi qe pushkatuar në Gllavë, nën një pemë gorrice, dhe këtë të dhënë, me një gjuhë të koduar, ia njoftoi në një letër të vëllait Dhimitër. Sarandi e kishte ëndërr që sapo të dilte nga burgu të rendte drejt fshatit tepelenas, pesëdhjetë kilometra nga Berati, Gllavë, dhe të vinte një buqetë me lule poshtë gorricës. Kjo dëshirë e papërmbajtur nuk iu bë dot realitet. Sarandi u sëmur në Burgun e Spaçit dhe vdiq në Tiranë, në spitalin burgut. Qe viti 1986. Pas këtij çasti gjithçka i mbeti për mision jete Dhimitrit. Sa ishte regjimi i Enver Hoxhës ai me ligjet e kohës nuk mund ta dinte se ku e kishin varrosur të vëllanë ish-ushtarak ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo bëhej e ditur vetëm kur Sarandi do të plotësonte vitet e dënimit. Ndodhi përmbysja e viteve 1991-1992 dhe u hap rruga të merreshin nga varri anonim eshtrat e të vëllait. Por ndërkohë Dhimitri dhe tërë familja Lula kishte edhe një varr tjetër të paditur. Ishte i vëllait të dytë pas Anastasit, Llazarit.
Ky pati vdekur në një Sanatorium të Italisë gjatë periudhës së Luftës. Varri i Sarandit u gjet në periferi të Tiranës në vitin 1996 dhe pas kësaj, brenda po këtij moti, u gjet ai i më të famshmit politik të familjes, Anastas Lulës. Dhe morën përhapje mediatike përshtypjet rreth kësaj ngjarjeje, të cilën nga familja më kot kishin pritur plot tre vjet, që nga maji 1993 kur Astrit Toro pati bërë shkrimin “Njeriu që pa vdekjen me sy” dhe në gazeta “Ideja Kombëtare” e degës së Partisë Demokratike të Beratit, rrëfyer çdo hollësi. Ky anashkalim ka sjellë pasoja në tërësinë e të vërtetës së ngjarjes.

Anastas Lula para pushkatimit: “Tani jam gati. Të rrojë Shqipëria”!
Pas viteve ’90-të Dhimitri, i cili për disa kohë kishte mundur të shërbente edhe si arsimtar në rrethin e Kolonjës, u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike për degën e Kolonjës. Ai kishte bërë dy-tre takime me disa të moshuar që ishin me origjinë nga fshati Gllavë. Megjithëse vend i panjohur për një kolonjar dhe mbase për këtë arsye qe zgjedhur për krimin, vrasja e Anastas Lulës kishte lënë gjurmë në kujtesën e vendasve. Ca më shumë që jo pak fshatarë qenë detyruar të merrnin pjesë dhe të ishin dëshmitarë në një skenë, e cila do të qe nga më makabret.
Dëshmitë pohonin gjëra tronditëse. “Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit: “Më datën 12 mars 1943, erdhën në shtëpinë time për drekë një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit, të cilët komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një zëvendësi i tij, që quhej Dhori dhe ishte nga Kolonja. Ata na thanë se para tre orësh, kishin pushkatuar një ish-partizan në qafën e Gllavës, i cili quhej Anastas Lula. “Anastasin”, thanë ata, “e pushkatuam pse kishte dezertuar nga radhët e udhëheqjes në Tiranë dhe bashkëpunonte me okupatorin, kishte bërë tradhti ndaj Partisë Komuniste dhe Komitetit Qendror. Prandaj Komiteti Qendror, urdhëroi që ai të pushkatohej”.
“Neve”, tha Orhan Frashëri, “para se ta pushkatonim, mblodhëm një pjesë të popullatës të Gllavës, e lexuam urdhrin e Komitetit Qendror dhe pasi e pyetëm, se çfarë kishte për të thënë, Anastasi, u përgjigj: dua një cigare duhan. Pasi e kishte vënë cigaren në gojë, si thonin ata, ai e kishte thithur disa herë dhe pastaj e kishte flakur, duke ju drejtuar atyre: “Tani jam gati. Të rrojë Shqipëria”! Pasi kishte thënë këto fjalë Anastasi, ata e kishin qëlluar me breshëri automatiku.
“Kështu”, tha Dhori, “unë qëllova edhe dy herë të tjera me pistoletë mbi atë qerrata…! Dhori në atë kohë, ishte rreth 35 vjeç, me gjatësi mesatare dhe me flokë të zeza”. Një tjetër dëshmitar, i cili nuk pranoi të identifikohej, ka treguar: “Një natë para vrasjes, Anastasi bashkë me Orhan Frashërin, kanë qenë në fshatin Zhapokike të Tepelenës dhe natën, Orhanit i ka ardhur një letër nga një korrier dhe ai (Orhani), ka zgjuar të gjithë shokët bashkë me Anastasin dhe kanë vazhduar rrugën për gjithë natën, duke ecur në drejtim të Gllavës.
Kur mbërritën aty, Orhani dërgoi dy partizanë që mblodhën fshatin dhe hapën gropën, që e mbuluan përsëri pranë një gorrice, kur e pushkatuan Anastasin”.
Të tjera dëshmi:
“Po, e dimë, ne jemi rritur në atë varr”.
“Nëna më thoshte se mos pushoni nën atë gorricë, mbi atë varr, se nuk është mirë”.
“Ka qenë dita e Sulltan Novruzit, kur është pushkatuar dhe do jetë varr i mirë, më thoshte nëna….”!
Një djalë i ri, i cili quhej Dashamir: “Aty e kërkoni gabim, ai ndodhet këtu poshtë, më ka treguar babai im, Rakipi”. Astrit Toro që në maj 1993 kishte dhënë tek “Ideja Kombëtare” variantin e vet.
Sipas tij, në krahinën e Shpiragut vepronin disa grupe ordinere me të rinj, të cilët grabisnin karvanët e tregtarëve apo të fshatarëve të thjeshtë që shkonin apo vinin nga pazari i qytetit të Beratit. Njerëzit e Këshillit Nacionalçlirimtar të Osmenzezës, sidomos kryetari i tij, Musa Abedini, akuzoi për këto grabitje Bilal Merkon, njeri pa njeri, pa fis dhe pa mbështetje.
Mirëpo ai mund të vidhte një pulë në fshatin e vet, por kurrë të kishte forcë dhe guxim t’u sulej karvanëve. Në këtë kohë kishte ardhur urdhri nga Enver Hoxha dhe Komiteti Qendror i PKSH që Anastas Lula të pushkatohej. Orhan Frashëri i kishte lidhur të dy nga njëra dorë dhe i shëtiste, duke kërkuar që të pohohej nga popullata vendase se grabitës i karvanëve në Shpirag qe Bilali. Për Anastasin nuk e kishte këtë preokupim demaskimi, sepse ai do të vritej në rastin më të parë.
Ndërkohë në këtë histori të ankthshme u përzje Mustafa Abazi, i cili në kohën e Zogut kishte qenë kryeplak i Osmënzezës. Ishte fis i madh dhe plot mbështetje. I erdhi keq për Bilalin dhe e mori në mbrojtje. I tha Musa Abedinit: “Ti e ke dhënë urdhrin për Bilalin?” “Jo, nuk e kam dhënë unë”, u përgjigj tjetri. “Atëherë ktheje!” Musai thirri një djalë të ri me kal pa samar, që fluturonte, i dha një letër për Orhan Frashërin dhe i tha tia dorëzonte sa më shpejt. I riu mbërriti brenda një ore tek komandanti partizan dhe i dorëzoi pusullën dhjetë minuta para se të kryhej pushkatimi i Anastasit dhe i Bilalit. Pas kësaj Orhani urdhëroi ndërprerjen e hapjes së një varri.
Para dy gropave, njëra gjysmë e hapur, Anastas Lula i tha Bilalit se ai do të shpëtonte nga pushkatimi, kurse ky i fundit, i cili për shkak të një defekti fliste me hundë, iu përgjigj se qe pa njeri dhe se pikërisht atë do të vrisnin. Ndërkohë Anastasin, burrë dy metra i lartë, e zhveshën dhe rrobat e tij, të cilat ishin të mira, ia veshën një partizani trup shkurtër. Ato i rrinin gjerë. Teshat e rrjepura e të ngushta të partizanit, ja veshën Anastasit. Ky kishte pasur me vete në ditët kur pati qenë në çetën e Ramiz Aranitasit, një qeskë me flori, të cilën nëpër gjumë ia vodhën në Zhapokikë në një shtëpi ku kaluan natën. Partizani që i kishte hapur varrin i tha Anastasit se do t’ia treste plumbin në gojë. Pastaj dëbuan Bilal Merkon, por ky u fsheh pas një ferre dhe pa si vërtet ai partizani ia futi grykën e pushkës në gojë Anastas Lulës dhe ja zbrazi. Astrit Toro për shkrimin e tij tek “Ideja Kombëtare” botuar në maj 1993, kishte shkuar në fshatin Velabisht, pranë qytetit të Beratit, dhe pati biseduar me vetë Bilal Merkon. Plakur, ky ecte ms shkop. Kishte bërë burg ordiner, sepse pati rrahur të shoqen.
Do të vdiste pas dy vjetësh.

Lexo edhe :  Historitë sekrete/ Zbulohet pas 80 vitesh ditari i të dashurës angleze të Hitlerit

Falsifikimi historik i “Grupit të të Rinjve”
Fjalori Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985, pra i kohës dhe mendësisë së Enver Hoxhës, shkruan kështu për Grupin e të Rinjve: “Grup komunist që u formua si fraksion në gjirin e Grupit Komunist të Korçës dhe doli si grup më vete, në fillim të vitit 1940. Grupi i «Të Rinjve” e kishte qendrën në Tiranë. Ai kishte degë edhe në qytete të tjera, veçanërisht në Vlorë. Në krye të këtij grupi qëndronin anarkistët e trockistët Anastas Lulo e Sadik Premte. Përbërja e tij ishte heterogjene, më tepër kishte intelektualë me origjinë borgjeze e mikroborgjeze, studentë dhe fare pak punëtorë. Grupi i të Rinjve nuk kishte formë organizative të përcaktuar mirë, ishte kundër aksioneve dhe punës me masat. Lidhja me masat konsiderohej si e dëmshme, pse rrezikonte kuadrot. Konspiracioni ishte mbi baza jo të shëndosha, disiplina ishte e kalbur dhe konsistonte në zbatimin e urdhrave të kryetarëve. Familja konsiderohej prej grupit si institucion borgjez që duhej zhdukur. Në Grupin e “Të Rinjve” nuk kishte unitet pikëpamjesh. Krerët zhvilluan në shkallë të gjerë oportunizmin. Ky grup nuk kishte pikëpamje të qarta politike për gjendjen e krijuar në vendin tonë pas pushtimit fashist. Krerët e grupit thoshin se në Shqipëri mungonte proletariatL nuk ekzistonte lufta e klasave, pra nuk kishte edhe një bazë për formimin e Partisë Komuniste, se fshatarësia ishte konservatore, reaksionare dhe nuk mund të bëhej aleate e klasës punëtore. Ashtu si edhe krerët e G.K. të Shkodrës ata mendonin se me pushtimin fashist do të zhvillohej kapitalizmi, do të rritej proletariati, do të forcoheshin lidhjet e punëtorëve shqiptarë me punëtorët italianë dhe kështu do të zhvillohej lufta e klasave e do të krijoheshin kushte për themelimin e partisë komuniste, e cila do të udhëhiqte luftën për socializëm.
Me gjithë dobësitë e të metat e grupit, baza e tij ishte në përgjithësi e pastër, patriote, antizogiste, antifashiste dhe e donte komunizmin. Nën presionin e bazës, krerët e grupit u detyruan të merrnin pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të grupeve komuniste dhe të pranonin themelimin e PKSH. Krerët e Grupit të “Të Rinjve” dhe një pjesë e pasuesve të tyre degjeneruan në elementë antiparti dhe tradhtarë të Partisë e të popullit”.

Në ndihmë vjen botuesi Fatmir Toçi
Sipas Petraq Gramos, i cili ka të njëjtën vendlindje si edhe Anastas Lula, Shalësin e Kolonjës, deri në vitin 2002 ai nuk kishte asnjë ngasje për të inkurajuar rehabilitimin historik të udhëheqësit të “Grupit të Rinjve”. Vazhdonte të mbante lidhjet e miqësisë me familjen Lula, sidomos Dhimitrin dhe motrën e madhe të tij, Eftiminë. Një ditë, ndërsa qenë duke pirë kafe, Petraqi i thotë Dhimitrit nëse ishte botuar ndonjë libër për Anastasin ose në shtëpinë tyre ruanin dokumente. Përgjigja që mori ishte: “Asgjë”.
“Atëherë të bëjmë diçka” qe përgjigja e vendosur e njeriut të Rotary Club. Dhimitri kishte qenë bashkëpunëtor i presidentit Sali Berisha dhe njëherë, tek udhëtuan bashkë në një vizitë pune në Gjermani, ishte hapur tema e ndonjë botimi dokumentar për Anastas Lulën. “Duhet të bëjmë diçka”, nguli këmbë Petraq Gramo në atë ditë të vitit 2003, ndërsa po pinin kafen. “Lekët i jap unë”, vazhdoi. Tha pastaj se kishte të njohur botuesin Fatmir Toçi të “Toena”. Le ta telefononin për t’i kërkuar në mos ndihmë, një mendim. Petraq Gramo e kreu këtë punë pa u vonuar dhe Toçi u la takim një pasdite. Ia shpjeguan idenë e tyre dhe botuesi i njohur i pyeti “E keni ndarë mendjen patjetër. Dëshironi një autor që di të shkruajë fraza boshe si “doli dielli mbi Gramoz”, apo një studiues? Kam një mik që është historian dhe merret me këto punë, Muharrem Dezhgiu quhet”. Gramo pak e kishte dëgjuar emrin e tij, por e besoi Fatmir Toçin se kishte qëlluar në shenjë Botuesi foli në telefon me Dezhgiun, ai ra dakord, iu thanë nga Petraq Gramo të gjitha detyrimet financiare, që nga honorari e deri shtypjen e librit. Historiani e përfundoi krijimin brenda disa muajve, të pesëqind kopjet e tirazhit Gramo i mori vetë dhe i shpërndau duke i dhuruar. Madje, gjithnjë me shpenzimet e tij, po bën një ribotim të dytë të librit të Muharrem Dezhgiut, publikuar në 2004, dhe që i dha më në fund dukshmërinë e plotë jetës dhe personalitetit të Anastas Lulës, po ashtu edhe vrasjes së tij barbare, duke shënuar prirjen terroriste të PKSH kundër disidentëve të saj. Gjithsesi nuk qe e lehtë që pjesë jo të pakta të opinionit publik të mësoheshin me të vërtetën e figurës së mohuar të Anastas Lulës, madje njëherë Petraq Gramos i ndodhi ta ndjente dukshëm këtë dukuri. Para afro dhjetë vjetëve në Ersekë u zhvillua një konferencë me rastin e 85 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Shalës. Në ftesën e shpërndarë me këtë rast, në rendin e ditës ishte parashikuar edhe mbajtja nga Petraqi i një kumtese përkujtimore për aktivitetin dhe vlerat e Anastas Lulës si disidenti i parë i Partisë Komuniste Shqiptare. Ndërsa fliste e ndjeu në sallë mospëlqimin, bile të shqiptuar nëpër dhembë, ca më shumë kur e mbaroi kumtesën. Por Petraq Gramon çdo fjalë negative e bënte më të fortë. Ai vazhdon të jetë i bindur se pas rënies së diktaturës personazhet MARTIR I DEMOKRACISË, që janë të shumtë, duhet të fillojnë me emrin e Anastas Lulës.

Të fundit

Inflacioni bazë u rrit në dhjetor, arriti nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit

Inflacioni bazë e mbylli vitin 2024 në rritje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë për dhjetorin...

Ushtarët qëllojnë për vdekje të paktën shtatë minatorë në Ganë

Të paktën shtatë persona janë vrarë në një përleshje me ushtarë në detyrë në një minierë në rajonin qendror Ashanti të Ganës, sipas ushtrisë. Forcat...

Konferenca e Kryetarëve, nuk miratohet kalendari i punimeve parlamentare deri më 7 shkurt

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve nuk pati dakordësi për miratimin e kalendarit të punimeve parlamentare për periudhën 20 janar - 7 shkurt 2025. Kalendari...

Kreu i SPAK, Altin Dumani: Gati strategjia e hetimit të krimit zgjedhor

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, në një takim informal me gazetarët ka deklaruar se do të publikojë strategjinë e hetimit të krimeve...

Problemet e mëdha ekonomike në Gjermani dhe pritjet. Recesioni vazhdon, po pse?

Julian Gamper është nën presion. Ai jo vetëm që punon në kompaninë e tij, por së bashku me vëllain e tij Axel, ai drejton...

Lajme të tjera

Web TV