SHBA-ja po gjurmon se nga rrodhi informacioni shumë i klasifikuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dokumente të klasifikuara që u shfaqën në internet, me detaje që variojnë nga mbrojtja ajrore e Ukrainës deri te agjencia spiune e Izraelit, Mossad, ka bërë që zyrtarët amerikanë të përpiqen të identifikojnë burimin e rrjedhjes së informacioneve. Disa ekspertë thonë se mund të jetë një amerikan ai që i ka nxjerrë dokumentet. Zyrtarët thonë se gjerësia e temave të trajtuara në dokumente, të cilat prekin luftën në Ukrainë, Kinën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, sugjerojnë se ato mund të jenë nxjerrë nga një amerikan dhe jo nga një aleat. “Fokusi tani është që kjo mund të jetë një rrjedhje nga SHBA-ja, pasi shumë nga dokumentet ishin vetëm në duart e SHBA-së”, tha Michael Mulroy, një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit, në një intervistë për Reuters.

Zyrtarët amerikanë thanë se hetimi është në fazat e hershme dhe ata që e drejtojnë atë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që elementë pro-rusë të jenë prapa rrjedhjes, e cila shihet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë që nga koha kur më shumë se 700,000 dokumente e video të klasifikuara u shfaqën në faqen e internetit të WikiLeaks më 2013. Ambasada ruse në Uashington dhe Kremlini nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Pas zbulimit të rrjedhjes, Reuters ka shikuar më shumë se 50 dokumente të etiketuara “Sekret” dhe “Top Sekret” që u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar në faqet e internetit të mediave sociale, duke filluar me Discord dhe 4Chan. Edhe pse disa nga dokumentet u postuan javë më parë, ekzistenca e tyre u raportua për herë të parë të premten nga New York Times. Reuters nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve. Disa dokumente që japin vlerësime të viktimave në fushën e betejës nga Ukraina duket se janë ndryshuar për të minimizuar humbjet ruse. Nuk është e qartë pse të paktën njëra është shënuar e paklasifikuar, por përfshin informacione tepër sekrete. Disa dokumente janë të shënuara “NOFORN”, që do të thotë se ato nuk mund t’u jepen shtetasve të huaj. Dy zyrtarë amerikanë i thanë Reuters të dielën se ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë që dokumentet të jenë përpunuar për të mashtruar hetuesit në lidhje me origjinën e tyre ose për të shpërndarë informacione të rreme që mund të dëmtojnë interesat e sigurisë së SHBA-së. Në një deklaratë të dielën, Pentagoni tha se po shqyrtonte vlefshmërinë e dokumenteve të fotografuara që “duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe shumë të klasifikuara”. Pentagoni ia ka referuar çështjen Departamentit të Drejtësisë, i cili ka hapur një hetim penal. Një nga dokumentet, i datës 23 shkurt dhe i etiketuar “Sekret”, përshkruan në detaje se si sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës S-300 do të harxhohen deri më 2 maj me normën aktuale të përdorimit. Një informacion i tillë i ruajtur nga afër mund të jetë i dobishëm për forcat ruse dhe Ukraina tha se presidenti i saj dhe zyrtarët e lartë të sigurisë u takuan të premten për të diskutuar mënyrat për të parandaluar rrjedhjet.

Lexo edhe :  Pesë pyetje për 2025-ën

Vëzhgimi i aleatëve

Një dokument tjetër, i shënuar “Top Secret” nga një përditësim i CIA-s nga 1 marsi, thotë se agjencia e inteligjencës Mossad po inkurajonte protesta kundër planeve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të forcuar kontrollet në Gjykatën e Lartë. Dokumenti thoshte se SHBA-ja e mësoi këtë përmes inteligjencës sinjalizuese, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar një nga aleatët e saj më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Një dokument tjetër jep detaje të diskutimeve të brendshme midis zyrtarëve të lartë të Koresë së Jugut rreth presionit të SHBA-së ndaj Seulit për të ndihmuar në furnizimin me armë ndaj Ukrainës dhe politikës së saj për të mos e bërë këtë. Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha të hënën se vërtetimi i fakteve mbi dokumentet është një prioritet dhe se do t’i kërkonte SHBA-së të ndërmarrë hapa “të duhur” pas konfirmimit të detajeve. Zyra e Yoon tha se mundësia që dokumentet të ishin të fabrikuara ose një produkt i ndërhyrjes së palëve të treta nuk mund të përjashtohet, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të “prishur aleancën do të përballet me pasoja”. Disa ligjvënës të Partisë Demokratike të opozitës kryesore të Koresë së Jugut shprehën “keqardhje të fortë” për akuzat për spiunazh, duke i quajtur ato një shkelje të qartë të sovranitetit kombëtar dhe një dështim të madh të sigurisë të administratës Yoon. “Ne kërkojmë një hetim të plotë dhe kërkojmë që incidente të ngjashme të mos ndodhin,” thanë ligjvënësit në një deklaratë të përbashkët. Pentagoni nuk e ka trajtuar përmbajtjen e ndonjë dokumenti specifik, duke përfshirë vëzhgimin e aleatëve. Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se megjithëse ekziston një shqetësim për rrjedhjen në Pentagon dhe agjencitë e inteligjencës, dokumentet treguan fakte që lidhen me një kohë rreth një muaj më parë dhe jo me aktualitetin. Dy zyrtarët thanë se ushtria dhe agjencitë e inteligjencës po shikojnë proceset e tyre për të gjetur se si shpërndahen informacionet e intelegjencës brenda vendit. Zyrtarët po shikojnë se çfarë motivesh do të kishte një zyrtar amerikan ose një grup zyrtarësh për të nxjerrë informacione të tilla të ndjeshme, tha një nga zyrtarët që foli për Reuters. Zyrtari tha se hetuesit po shikonin katër ose pesë teori që variojnë nga një punonjës i pakënaqur deri te një kërcënim i brendshëm që donte në mënyrë aktive të minonte interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.REL

 

 

Të fundit

Dielli ynë mund të ketë pasur dikur një binjak. Çfarë ndodhi me këtë vëlla yjor?

Shumë yje në galaktikën tonë ekzistojnë në çifte, por Dielli ynë është një përjashtim i dukshëm. Tani shkencëtarët po...

Vranësira dhe ngrica në zonat malore/ Parashikimi i motit, 27 dhjetor 2024

Territori Shqiptar vijon të jetë nën ndikimin e masave ajrore me origjinë verilindore duke sjellë alternime kthjellimesh dhe vranësirash në pjesën më të madhe...

Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Nga Eduard Zaloshnja Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor. Vendimi u njoftua më 24 Dhjetor. Padia ishte bërë për...

“Eiffel”, ikona gjermane e arkitekturës franceze

Njëqind e një vjet më parë u nda nga jeta Gustav Eifel mbreti i hekurit në “Belle Époque” Nga Leonard Veizi Nuk ka asnjë çudi që...

Çuditë politike/ I “djathti safi” Shehaj polemikë me të “majtin safi” Malaj

Ish-ministri i Partisë Socialiste Arben Malaj pretendon ftesë për bashkëpunim nga kreu i Partisë Mundësia e Agron Shehaj, por ky i fundit i ka...

Lajme të tjera

Web TV