Nga DASHNOR KALOÇI
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, sipas dëshmisë së 63-vjeçarit, Skënder Marku, ish-komandant i Burgut të Tiranës në vitin 1997, me gradën e majorit, dhe vëllait të tij më të vogël, Shpëtimit, u njohëm me historinë e arratisjes së tyre nga Shqipëria në prillin e vitit 1988.
Ndonëse familja Marku, nuk kishte probleme me regjimin komunist të asaj kohe, vetë Skënderi, i cili ishte i dhënë shumë pas letërsisë e sporteve, kishte rezervat e tij dhe nuk pajtohej me shumë aspekte të jetës që afronte regjimi në fuqi i asaj kohe.
Nisur nga kjo, ai vendosi të arratisej nga Shqipëria dhe planin e arratisjes e bëri vetëm me vëllanë më të vogël, Shpëtimin, i cili në atë kohë ishte kampion kombëtar në mundjen klasike për të rinj me ekipin “Kastrioti” të Laçit. Ka qenë mbrëmja e 23 prillit 1988, kur me një makinë “Skoda” të kromit, ata u nisën nga Laçi për në drejtim të qytetit të Peshkopisë dhe pasi zbritën në fshatin Kastriot, u nisën për në drejtim të Kalasë së Dodës, në orët e para të mëngjesit të 24 prillit 1988, u gjendën në majën e malit të Korabit, fare pranë klonit në kufirin shtetëror me Jugosllavinë e asaj kohe.
Vijon nga numri i kaluar
Kalimi kufirit, më 24 prill ’88, në majën e malit të Korabit
Pas shumë peripecive të kaluara në lartësitë e malit të Korabit, duke ecur në rrugë pa rrugë dhe në shtigje të thepisura, në të ftohtin e acartë të atij mëngjesi të 24 prillit të vitit 1988, Skënder Marku, me të vëllanë e tij, Shpëtimin dhe shokun e tyre po nga Laçi, Agron Gjoka, mundën të kalonin kufirin shtetëror diku pranë një poste në afërsi të Kalasë së Dodës, pa u diktuar nga njeri, pasi rojet e postës më të afërt të kufirit, nuk e mbulonin me shërbim atë zone, për arsye të terrenit tepër të thyer.
Lidhur me këtë dhe peripecitë e tyre në tokën jugosllave, 63-vjeçari Skënder Marku, (ish-komandant i Burgut të Tiranës në vitin 1977, me gradën e majorit), dëshmon: “Nga qendra e zjarrit aty në majë të Korabit, ku qëndruam për disa orë për të mbledhur veten pas atij udhëtimi të gjatë tejet rraskapitës prej katër pesë orësh dhe në një terren ku nuk mund të kaloje as ditën, vendosëm që të dilnim dhe të kalonim kufirin, ende pa zbardhur dita.
Si tani më kujtohen ato minuta ankthi që na dukeshin të pafundme, kur bashkë me vëllanë tim, Shpëtimin dhe shokun e tij, Agronin, lamë pas territorin shqiptar dhe dolëm në tokën jugosllave. Nuk mund t’ua përshkruaj dot me fjalë se ç’farë ndjenim në ato momente.
Më në fund menduam se dëshira dhe ëndrra jonë e madhe për të ikur nga ai realitet ku jetonim prej vitesh dhe që na ishte bërë i padurueshëm, po bëhej realitet.
Por po kështu, na dukej e pabesueshme dhe shikonim njëri-tjetrin, nëse vërtet kishte ndodhur ajo gjë për të cilën unë me Shpëtimin, kishim menduar prej kohësh dhe kishim bërë biseda të pafundme”?!
Kështu e kujton Skënderi atë moment të shumëpritur prej tyre, kur ende pa zbardhur mëngjesi i 24 prillit të vitit 1988, ai më të vëllanë Shpëtimin, që mbante ende uniformën e ushtarit dhe me shokun e tij, Agron Gjokën, u gjendën në territorin e Republikës Federative të Jugosllavisë.
Udhëtimi drejt fshatit Restelicë të Dragashit
Pas kalimit të kufirit dhe udhëtimin që ata bënë më pas, Shpëtimi kujton: “Pas daljes sonë në tokën jugosllave, nuk kishim asnjë rrugë tjetër, përveçse të dorëzoheshim pranë autoriteteve ushtarake të asaj zonë kufitare.
Ndërsa vazhdonim udhëtimin, duke iu larguar gjithnjë e më shumë zonës kufitare, nga larg dalluam një bari me disa dele. Në mënyrë instiktive, menjëherë ndaluam të tre dhe ndonëse që shumë kohë përpara se të mbërrinim aty, bashkë me Skënderin e Agronin, kishim parashikuar të gjitha versionet e mundshme, pra se si do të përgjigjeshim kur të na pyesnin se, përse ishim larguar nga Shqipëria, etj., i kujtuam dhe njëherë ato, si për të qenë më të sigurt në veten, pasi mendonim se mund të na kapnin nga çasti në çast.
Përgjigjja jonë do të ishte kjo: “Jemi larguar nga Shqipëria, për motive politike dhe dëshira jonë është, për të shkuar drejt SHBA-ës, pasi aty nuk mund të përshtatemi me sistemin dhe politikën që po ndjek regjimi komunist i Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë”.
Ndërsa bisedonim këto me njëri tjetrin, iu afruam atij bariut dhe e pyetëm se ku ndodheshim e si quhej fshati më i afërt. Ai na tregoi se, aty ishim afër fshatit Restelicë të Komunës së Dragashit dhe qyteti më i afërt nga aty, ishte Prizreni, që ndodhej nga ana veriore, kurse nga ana jugore, qyteti më i afërt ishte Tetova.
Prizrenin ne e kishim menduar edhe më parë dhe kjo, jo vetëm për arsyen se shqiptarët e Kosovës, sikur na dukeshin më të afërt se ata të Maqedonisë, por, edhe sepse në Prizren, ishte dorëzuar disa vite më parë, vëllai i Agronit, Gazmir Gjoka, i cili, pasi ishte arratisur ashtu si dhe ne, kishte fituar azilin politik e ndodhej në SHBA-ës.
Sa mbërritëm në fshatin Restelicë, morëm kontakt me disa banorë që na treguan postën kufitare dhe ne shkuam e u dorëzuam aty, ku pasi na morën në pyetje, na shoqëruan për në qytetin e Prizrenit, duke na dorëzuar në Stacionin e Policisë”, kujton Shpëtim Marku, lidhur me rrugëtimin e tyre, deri sa mbërritën në atë vend, siç dhe e kishin parashikuar.
Presionet e Sigurimit të Shtetit në familjen Marku në Laç
Po pas arratisjes së Skënderit dhe Shpëtimit, çfarë ndodhi me familjen Marku në qytetin e Laçit dhe si e mësuan ata të vërtetën e arratisjes së dy djemve të tyre? Lidhur me këtë, Skënderi me Shpëtimin, kujtojnë se të vërtetën për atë se çfarë kishte ngjarë me ta, familja e tyre në qytetin e Laçit, e kanë mësuar disa ditë më vonë, nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit.
Që në paraditen e 24 prillit, prindërit e tyre ishin bërë shumë merak, duke u shqetësuar për faktin se dy djemtë e tyre, Skënderi me Shpëtimin, nuk po ktheheshin në shtëpi dhe akoma më keq, ata nuk kishin fjetur tek e motra e tyre, Zana, ashtu siç kishin thënë një natë më parë.
Ankthin e tmerrshëm e të pafund që kishte pllakosur në familjen Marku, e shtoi akoma dhe më shumë, ardhja e njerëzve të Sigurimit të Shtetit në shtëpinë e tyre, pas disa ditësh. Ata bënë kontrolle të imta të banesës, duke sekuestruar pothuaj të gjithë fotografitë e familjes dhe pas atij kontrolli, njerëzit e Sigurimit, u thanë familjes Marku, se: “Dy djemtë tuaj, Skënderi me Shpëtimin, kanë braktisur atdheun, duke u arratisur nga Shqipëria, si tradhtarë të poshtër”.
Këto gjëra ua thanë hapur edhe në disa mbledhje që bëri Fronti Demokratik në lagje, për demaskimin e tyre. Pas gjithë këtyre presioneve, disa ditë më vonë, njerëzit e Sigurimit dhe të Frontit, shkuan përsëri në familjen Marku dhe u thanë atyre: “Dy djemtë tuaj tradhtarë, Skënderin dhe Shpëtimin, do t’i kthejmë së shpejti në Shqipëri”.
Po ato ditë, u organizuan edhe disa mbledhje në qëndrën e punës, ku kishte punuar Skënderi (në Ofiçinën e Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit), ku iu kërkua shokëve të tij të punës, që të dënonin aktin e tyre. Por, jo vetëm që në ato mbledhje, nuk foli njeri kundër Skënderit, përkundrazi, disa shokë të tij, si Naim Kasmi, Gëzim Hoxha, si dhe vëllezërit Shefqet e Flamur Domi, e mbrojtën Skënderin, gjë e cila, u kushtoi disave prej tyre, dënimin me gjashtë muaj punë korrektonjëse.
Dënimi me 33 ditë burg, me akuzën: Kalim i paligjshëm i kufirit
Çfarë ndodhi me dy vëllezërit Marku dhe shokun e tyre, Agron Gjoka, pasi ata u dorëzuan në stacionin e Policisë së Prizrenit?
Lidhur me këtë, Skënderi, kujton: “Aty në Policinë e Prizrenit, menjëherë na morën në pyetje, fillimisht duke na pyetur për gjeneralitetet dhe më pas, për arsyet se përse ne ishim arratisur nga Shqipëria etj.
Gjatë pyetjeve që na bënë, të treve bashkë dhe më pas veç e veç, ne përsëritëm të njëjtat gjëra, duke thënë të vërtetën e arratisjes sonë dhe qëllimin e vetëm që kishim, për të shkuar në SHBA-ës. Ne përsëritëm disa herë se, nuk donim të rrinim në asnjë vend tjetër, përveçse të iknim në SHBA-ës, pasi ky ishte qëllimi ynë i vetëm dhe për këtë gjë, ne kishim vënë kokën në rrezik.
Pas disa seancave me pyetje të shumta, që na bënë autoritetet jugosllave të atij stacioni policor, gjithnjë duke pasur një përkthyes shqiptar të Kosovës, ata na thanë se, do ta shqyrtonin problemin tonë dhe pas disa ditëve, do të na jepnin përgjigje se çfarë vendimi do të merrej për ne.
Deri sa të shqyrtohej problemi ynë, ne do të na mbanin të izoluar aty, në atë stacion policie. Dhe vërtetë, pas disa ditësh, na dërguan në Gjykatën e Prizrenit, ku na u bë një gjyq i shpejtë, i cili na dënoi të tre, me nga 30 ditë burgim, me akuzën: “Për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke na dhënë dënimin minimal, pasi ligji i tyre, për atë akuzë, parashikonte një deri në tre muaj”, kujton Skënderi, lidhur me dënimin që iu bë atyre në Gjykatën e Prizrenit.
Provokimet e UDB-së dhe informacioni i saktë që ata kishin!
Po ç’ndodhi me vëllezërit Marku dhe shokun e tyre, Agron Gjokën, pasi Gjykata e Prizrenit, i dënoi me nga 30 ditë burgim, me akuzën për kalim të paligjshëm të kufirit?
Lidhur me këtë, Shpëtimi, dëshmon: “Pas dënimit, na rikthyen përsëri në stacionin e Policisë së Prizrenit, ku na izoluan si më pare, në dhoma të ndryshme, veç e veç dhe çdo ditë, na merrnin në pyetje me anë të përkthyesit shqiptar, duke na bërë pyetje dhe provokime nga më të ndryshmet.
Na bënin pyetje të karakterit politik, për udhëheqjen e lartë, për Ramiz Alinë, për Nexhmije Hoxhën, për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, për Haxhi Lleshin, etj., duke na thënë se; kush kishte më shumë fuqi dhe pushtet prej tyre, etj.
Gjëra për të cilat, ne i përgjigjeshim shumë shkurt, duke iu shpjeguar se, nuk kishim shumë dijeni dhe as informacion, se ça ndodhte në udhëheqjen e lartë, pasi ne nuk kishim nga t’i dinim ato gjëra, pasi kishim jetuar në një qytet të vogël larg Tiranës. Po kështu, ata na pyesnin edhe për organet e pushtetit dhe të partisë të Laçit dhe Krujës, ku kishim jetuar e punuar në të tre. Ne mbetëm të çuditur nga informacioni i saktë që ata kishin, pasi përmendnin emra konkret dhe pyesnin, nëse ishin përsëri në ato funksione dhe detyra.
Një ditë më pyetën se: përse ne nuk kishim zgjedhur për t’u arratisur një vend tjetër, p.sh., atje ku unë isha ushtar, në afërsi të Pogradecit, në Malin e Thatë, ku nuk e kisha larg kufirin etj.?!
Na thoshin se; përse ne nuk kishim dëshirë që të qëndronim në Jugosllavi, ku ata do të na krijonin të gjitha kushtet dhe një jetë normale, si ajo që bëhej në Perëndim, etj. Seancat me pyetje provokative, vazhduan pothuaj çdo ditë dhe kur plotësuam 30 ditë, ne u bëmë merak se, përse nuk po na lironin, gjë e cila, na i shtoi shumë dyshimet dhe për një fakt tjetër, pasi nga dritaret ku ne kacavirreshim, për të parë vendin ku bëhej ajrosja, nuk e pamë më shokun tone, Agronin?!
Pasi kishin kaluar katër a pesë ditë, më shumë se dënimi që na ishte dhënë, ne iu kërkuam atyre, se përse nuk po na lironin siç dhe kishte vendosur Gjykata e Prizrenit?! Ata nuk na përgjigjeshin, por dukej se na shikonin me një keqardhje dhe kjo gjë na i shtoi dyshimet, duke parandjerë se diçka e rëndë po luhej me ne…”, kujton Shpëtimi, lidhur me ditët e fundit të tyre në paraburgimin e Stacionit Policor të Prizrenit.
Agroni fitoi azilin politik, dy vëllezërit, Marku, i kthejnë në Shqipëri
Po ç’po ndodhte me Skënderin dhe Shpëtimin gjatë kohës që ata u mbajtën në Stacionin e Policisë së Prizrenit dhe cila ishte përgjigja që u dhanë atyre, në lidhje me përfitimin e statusit të emigrantëve politikë, që ata donin të aplikonin pranë ambasadës së SHBA-së në Beograd?
Ku ndodhej shoku i tyre, Agroni që ata nuk po e shikonin më gjatë ajrosjes?! Lidhur me këtë, Skënderi dëshmon: “Ndërsa ishim në pritje të lirimit, pas 30 ditë paraburgimi, ashtu siç dhe kishte vendosur Gjykata e Prizrenit për ne, me shpresën se do të na dërgonin në Beograd, ku do bënim aplikimin për azil politik për në SHBA-ës, ndodhi diçka që ne, nuk e kishim parashikuar kurrë, gjatë planeve që kishim bërë.
Më datën 1 qershor të atij viti, pra rreth 36 ditë, pasi ne ishim dorëzuar aty, që në mëngjes na nxorën nga dhomat ku ishim të izoluar dhe na bashkuan në corridor, duke na lidhur me pranga. Policët që na lidhën dhe ata të tjerët që qëndronin në të dy anët korridorit, nuk flisnin fare, por kishin ulur kokat dhe na shikonin me keqardhje.
Aty e kuptuam se ajo që nuk e kishim menduar kurrë, po ndodhte me të vërtetë. Ndërkaq, para se të na nxirrnin nga ajo godinë, për të na hipur në një automjet të policisë që priste në oborr, më kryesori i tyre, na tha: “Na vjen keq për këtë që po ndodh me ju, por nuk është në dorën tonë. Ne vetëm po zbatojmë urdhrat, që na kanë dhënë eprorët tanë”.
Dhe ato fjalë, ai na i tha jo pa keqardhje, madje duke u ndierë si fajtor, pasi mua dhe Shpëtimit, nuk na u dha e drejta e strehimit politik, ashtu siç kishte ndodhur me Agronin, që e kishin nisur për në Beograd. Pas kësaj, ne na hipën në një makinë të mbyllur dhe vetëm pas pak minutave, e pamë veten në pikën Kufitare të Morinës së Kukësit, në tokën shqiptare, ku policë dhe civilë të armatosur, na u vërsulën si bisha, duke na sharë me një fjalor banal.
Nuk do t’i harroj kurrë ato minuta tmerri, kur njerëzit e Sigurimit të Shtetit që kishin ardhur nga Kruja e Tirana, na morën në dorëzim dhe hipën në makinën e tyre, e cila u nis me shpejtësi në drejtim të qytetit të Kukësit”, kujton Skënderi, momentet e dorëzimit të tij dhe vëllait, Shpëtimit, pranë autoriteteve të palës shqiptare të pikës Kufitare të Morinit, duke shtuar se, ato kanë qenë minutat më të tmerrshme, që ai ka kaluar deri më sot dhe gjithnjë kur i kujton, përpiqet t’i fshijë sa më shpejt nga memoria!
Demaskimi para popullit, në Kukës, Milot, Laç, dhe Fushë-Krujë…!
Po përse dy vëllezërve Marku, nuk iu plotësua kërkesa për strehim politik nga ana e autoriteteve jugosllave, ashtu siç u bë me shokun e tyre, Agron Gjokën dhe përse ata ua dorëzuan autoriteteve shqiptare, kur dihej se ç’fat do i priste?! Lidhur me këtë, Skënderi tregon: “Dorëzimi ynë, pranë autoriteteve shtetërore shqiptare në pikën kufitare të Morinës, kishte ndodhur, pas kërkesave të shumta që kishte bërë pala shqiptare, gjë të cilat, i kam mësuar disa vite më vonë, kur fillova punë në Tiranë.
Nisur nga një marrëveshje që kishte nënshkruar Sigurimi i Shtetit, me UDB-në Jugosllave, që para shumë vitesh, e cila konsistonte në shkëmbimin e emigrantëve politikë në mes dy vendeve, ne e pamë veten në duart e Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ne i kishim të gjitha mundësitë që të largoheshim nga Stacioni i Policisë së Prizrenit, por nuk e kishim menduar kurrë, se do të na dorëzonin, duke na kthyer në Shqipëri.
Në qytetin e Kukësit, ku na ndaluan fillimisht, na çuan te një shkollë, ku kishin mbledhur me qindra njerëz, duke i sjellë aty me detyrim nga qendrat e punës. Pas kësaj, autoritetet kryesore të rrethit, nga Partia, Fronti, Sigurimi etj., mbajtën fjalimet e rastit, duke na sharë ne, si: “tradhtarë, armiq të popullit”, etj.
Pas kësaj, automjeti “ZUK” nga Laçi që kishte marrë Sigurimi i Shtetit për të na marrë ne, mori rrugën e kthimit dhe fillimisht na ndaluan në qytezën e Milotit, ku u përsërit e njëjta gjë, si në Kukës, pra: duke na demaskuar para popullit, si “armiq e tradhtarë”.
Nga Miloti, na dërguan në Kombinatin Kimiko-Metalurgjik të Laçit (ku kisha punuar unë me vëllanë, Ilirin, motra jonë me bashkëshortin e saj, etj.) dhe nga aty, në qendër të qytetit të Laçit, para Pallatit të Kulturës, ku kishin mbledhur me detyrim nga qëndrat e punës, me qindra njerëz.
Dhe aty u mbajt një miting me fjalime, ku nuk na lanë gjë pa na sharë dhe demaskuar, siç thuhej atëherë. Pasi mbaroi mitingu i Laçit, ne na nisën për në Fushë-Krujë, ku dhe aty u bë “rituali” i zakonshëm, e më pas përfunduam në Degën e Punëve të Brendshme të Krujës, pasi Laçi ku banonim ne asokohe, varej nga Kruja.
Por, të jemi të sinqertë deri në fund, në të gjitha ato mitingje që u bënë për të na demaskuar ne, banorët e atyre qyteteve, jo vetëm që nuk i mbështetën fare organizatorët e atyre mbledhjeve, por, na shihnin me keqardhje dhe asnjë nga populli, nuk doli të fliste në tribuna, edhe pse iu bë thirrje disa herë”, kujton major Skënder Marku, lidhur me atë që ndodhi me të dhe vëllanë e tij, Shpëtimin, atë ditë që pala jugosllave i dorëzoi ata në pikën Kufitare të Morinës .
Torturat nga dy hetuesit e Krujës dhe gjyqi në Laç
Po çfarë ndodhi me dy vëllezërit Marku në Degën e Brendshme të Krujës, ku i dërguan ata në pasditen e vonë të datës 1 qershor të vitit 1988, pasi i kishin “demaskuar” në disa prej qyteteve ku kalonte rruga nacionale nga Kukësi deri në Fushë-Krujë? Lidhur me këtë, Shpëtimi dëshmon: “Në Hetuesinë e Krujës, na mbajtën nga data 1 qershor deri më 15 korrik dhe gjatë gjithë atyre ditëve, që ata i quanin seanca hetimore, ne na kanë mbajtur nën tortura fizike dhe psikologjike të pandërprera.
Hetuesinë, na e bënte vetë personalisht, Kryetari i Hetuesisë së Krujës, Seit Duraj, një kriminel i lindur, që ka ushtruar dhunë fizike ndaj nesh, duke na masakruar barbarisht, por e kemi përballuar falë dhe moshës së re dhe fizikut tonë. Kur lodhej ai, pra Seti, vazhdonte hetuesi tjetër, Nexhat Selimi, një kriminel tjetër ky, që na torturonte më shumë, si duket edhe për servilizëm ndaj shefit të tij.
Ne u thamë se, për arratisjen tonë, nuk kishte njeri dijeni fare, ashtu siç ishte dhe e vërteta. Por ata nuk donin t’ia dinin dhe bënë “ritualin” e tyre ndaj nesh, deri më datën 14 korrik dhe të nesërmen, më datë 15 korrik 1988, na dërguan në qytetin e Laçit, ku u zhvillua gjyqi ndaj nesh, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, e mbushur plot e përplot nga njerëzit që i kishin marrë me detyrim nga qendrat e punës.
Gjyqi ishte me dyer të hapura dhe bëhej me qëllim, që të na demaskonin ne, për të frikësuar popullin. Kujtoj se, ishte një Kolegj Ushtarak, (pasi unë isha ushtar) dhe trupin gjykues, e kryesonte një person me emrin Agim (nga Tirana), ndërsa prokuror, ishte Elmaz Lala. Si unë ashtu dhe Skënderi, mbajtëm të njëjtin qëndrim, ashtu si në Hetuesi, dukë thënë se; qëllimi i vetëm i joni, ishte të emigronim jashtë Shqipërisë për në SHBA-ës, dhe nuk pranonim se ishim “tradhtarë dhe armiq të popullit”, siç na akuzonin.
Ndryshe nga Kryetari i Gjyqit, që dukej më i qetë dhe jo prepotent, prokurori, na bërtiste dhe na ofendonte, aq sa e detyroi Skënderin, që të ngrihej në këmbë pa ja dhënë fjalën kryetari i gjyqit dhe t’i drejtohej prokurorit, duke i thënë: “Mos uluri ashtu dhe mos na bërtit, duke lehur si qen, se nuk ta ka njeri frikën. Ne nuk jemi as tradhtar dhe as armiq të popullit, siç po na akuzoni ju, por thjesht deshëm të emigronim për në SHBA-ës, për një jetë më të mirë. Kjo shkaktoi si të thuash një admirim tek të pranishmit në sallë, ku pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve tanë, me ndonjë përjashtim të vogël, na shikonin me keqardhje.
Kështu u mbyll ai gjyq, po atë ditë të 15 korrikut, ku si përfundim, Skënderin e dënuan me 20 vite heqje lirie, ndërsa mua me 17 vite, me akuzën e ‘tradhtisë së lartë ndaj atdheut’, dënim i cili u ndikua edhe nga qëndrimi që mbajtëm ne në gjyq, sidomos Skënderi”, kujton Shpëtimi, lidhur me dënimin e tij dhe të vëllait, Skënderit.
Nisur dhe nga ai qëndrim që ata mbajtën në gjyq, dënimi i tyre ishte maksimal dhe pas atij vendimi të formës së prerë, ata u dërguan për të vuajtur dënimet në burgjet e Qafë-Barit, Spaçit e Burrelit dhe u liruan prej tyre, vetëm në fillimin e marsit të vitit 1991, me të fundit të dënuarit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, e pasardhësit të tij, Ramiz Alia.
Me shembjen e regjimit komunist dhe fillimin e proceseve demokratike, Skënder Marku, vazhdoi studimet e larta dhe shërbeu si ushtarak, në Drejtorinë e Përgjithshme të Kampeve dhe Burgjeve, fillimisht në Shën-Koll të Lezhës dhe më pas si Komandant i ‘Repartit 313’ në Tiranë, ku ai qëndroi deri në trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 dhe shërbimi i fundit që bëri si drejtues i atij institucioni, ishte përcjellja për në shtëpi e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili shumë vite më vonë, në emisionin “Opinion” në TV “Klan”, në mes të tjerash do të shprehej: “Ndërsa u larguan të gjithë nga burgu ashtu në mes krismave të armëve, mbeta vetëm unë….!
Por atë gjë, e mori përsipër, vetë komandanti i burgut, një djalë i ri i shkëlqyer nga Laçi, një djalë shumë trim dhe tepër inteligjent, Skënder Marku quhej, i cili me makinën e tij, në mes breshërive të plumbave, që na vërshëllinin mbi kokë, më çoi deri te hyrja e pallatit.
E ftova në shtëpi, por nuk pranoi, duke më thënë se; aty përfundonte detyra e tij. Nuk do t’ia harroj kurrë”.