Rënia e euros thyen rekorde të reja pak ditë para zgjedhjeve, kursi bie në 110.73 lekë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rënia e euros vijoi më tej ditën e sotme, duke e çuar monedhën europiane në një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.

Kursi zyrtar i këmbimit, i publikuar nga Banka e Shqipërisë, zbriti në 110.73 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.21 pikë krahasuar me ditën e martë. Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 3%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zhvlerësimi i euros ka arritur tashmë në 8.1%.

Sipas agjentëve të tregut, faktori kryesor i rënies së vazhdueshme të euros ngelet oferta e lartë e monedhës europiane.

Kjo është një periudhë e vitit kur oferta e euros ka tendencën të rritet, për shkak të faktorit sezonal dhe shtimit të turizmit hyrës. Megjithatë, agjentët mendojnë se një ndikim në rritjen e ofertës për valutë mund të kenë edhe zgjedhjet e afërta lokale. Sipas tyre, në disa zona të vendit vërehet një fluks i shtuar i këmbimeve të euros në pikat e këmbimit valutor.

Pa nisur ende mirë sezoni veror, euro tashmë po i afrohet kufirit të 110 lekëve, duke u zhvlerësuar përtej parashikimeve të analistëve financiarë në fillim të këtij viti. Nëse mbështetemi në të dhënat historike, gjasat janë që kursi i këmbimit të euros të bjerë më shumë deri në fillim të muajit gusht, kur zakonisht sezoni veror dhe prurjet valutore të lidhura me turizmin arrijnë pikun e tyre.

Pas një takimi me përfaqësues të bizneseve eksportuese, Banka e Shqipërisë theksoi edhe njëherë në fillim të kësaj jave se kursi i këmbimit të euros është rezultat i ekuilibrave normalë të kërkesës dhe ofertës në treg dhe nuk vëren asnjë çbalancim apo faktor tjetër që do të justifikonte ndërhyrjen në treg.

Në të shkuarën, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë ndodhur kur ritmet e ndryshimit ditor të kursit kanë qenë tepër të shpejta dhe kur spread-et (marzhet e këmbimit valutor) mes kursit në blerje dhe atij në shitje të agjentëve kanë arritur në të paktën pesë pikë. Aktualisht, nuk vërehet një situatë e tillë dhe spread-et e tregtimit të valutës janë pranë niveleve të tyre normale (rreth 0.5-0.7 pikë për bankat dhe zyrat e mëdha të këmbimit valutor).

Lexo edhe :  A po rritet realisht ekonomia shqiptare? Shifrat tregojnë disa "po" dhe disa "jo"

Për momentin, forcimi i vazhdueshëm i lekut është i volitshëm në funksion të objektivit të uljes së inflacionit dhe të reduktimit të borxhit publik. Gjithashtu, leku i fortë po ndikon pozitivisht buxhetet e familjeve dhe bizneseve që kanë kredi në monedhën europiane dhe po ndihmon edhe ruajtjen e cilësisë së portofolit të kredisë së sektorit bankar, në kushtet e rritjes së normave të interesit.

Nga ana tjetër, forcimi i paprecedentë i lekut po vendos në vështirësi sektorët eksportues të ekonomisë, duke i ekspozuar ndaj humbjeve të konsiderueshme dhe duke i bërë më pak konkurrues në tregjet e jashtme.

Efektet më të forta mund të ndihen sidomos në sektorët e fasonerisë, që mbështeten kryesisht në forcën e lirë të punës dhe punojnë kryesisht me kontrata porositëse për përpunimin e inputeve nga jashtë vendit. Forcimi i lekut po ndodh në një periudhë kur presionet për rritjen e pagave janë të larta, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe masave administrative, si rritja e pagës minimale ligjore.

Një ndikim negativ leku i fortë mund të japë edhe në sektorin e turizmit. Megjithëse turizmi hyrës po kalon momentet më të mira historike, leku i fortë rrezikon ta bëjë ofertën e Shqipërisë më pak konkurruese për turistët e huaj.

Efekti i lekut do të fortë mund të jetë veçanërisht shqetësues për familjet shqiptare që kanë varësi të lartë nga remitancat, duke qenë se në përgjithësi këto familje i takojnë shtresës me të ardhura të ulëta dhe me më pak burime të tjera alternative./Monitor/

Të fundit

Tjetër vatër zjarri në Vlorë, flakët përfshijnë zonën e Jallisë së Nartës

Regjistrohet një tjetër vatër zjarri në Vlorë në këto momente. Sipas burimeve për A2 CNN, zjarri ka rënë në zonën...

Kush është Rudenc Myrte, polici që fuste drogë e sende të paligjshme në qeli

Personi në foto është Rudenc Myrte, polici i burgut të Drenovës i cili u arrestua ditën e sotme si person i dyshuar që fuste...

Pse SHBA nuk sjell ambasador në Shqipëri? Ish-zyrtari i DASH: Është fatkeqësi…

Ish-diplomati i lartë amerikan, Jonathan Moore, ka komentuar mungesën e ambasadorëve të SHBA-së në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, duke e cilësuar këtë si një...

“10 mijë vota nuk janë gabim njerëzor”, Kalaja: Jemi bërë tabelë qitje

Kandidati demokrat në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja ishte i ftuar në Debat në A2 CNN ku komentoi procesin e rinumërimit të votave për...

Barcelona i merr mesfushorin Arsenalit dhe e bën falas!

Barcelona vazhdon të kërkojë mënyra inteligjente për të forcuar skuadrën për sezonin e ri. Drejtuesit katalanas i kanë vënë syrin një lojtari me përvojë...

Lajme të tjera

Web TV