Bashkia e Barcelonës ka vënë në dispozicion një numër ndërtesash publike, ku banorët mund të qëndrojnë për t’u mbrojtur prej valëve të të nxehtit.
Më shumë se 200 biblioteka, shkolla dhe ndërtesa publike me ajër të kondicionuar kanë hapur dyert për njerëzit që kërkojnë të mbrohen prej diellit përvëlues dhe temperaturave që në qendër të qytetit të Barcelonës shkojnë deri në 36 gradë celsius e në disa ditë edhe më lart.
Shumë të moshuar në Barcelonë shkojnë për të kaluar disa orë në strehimoret publike për vapën.
Ndër ta është edhe pensionistja 91-vjeçare Merce Pujol dhe kujdestari i saj Orlando Minda. Gjatë shëtitjes së tyre të mëngjesit ata ndalen për një farë kohe në një nga bibliotekat e qytetit për të shijuar një moment lehtësimi nga dielli përvëlues
“Preferoj të rri më mirë këtu sesa në rrugë, se në rrugë është shumë nxehtë.” – thotë pensionistja 91-vjeçare Merce Pujol.
Kurse kujdestari i saj shton: “Sigurisht është një vend i mirë. Kur dalim shëtitje, na kap vapa dhe na nxehet trupi. Dhe sa kalon derën ndjen ndryshimin e temperaturës. Kjo na bën mirë, unë ndihem shumë mirë.”
Fresk dhe libra
Edhe Augusti Sagarra, 67 vjeç, vjen shpesh në bibliotekë, jo vetëm prej vapës por se i pëlqen të lexojë.
“Temperaturat aktuale janë të rrezikshme, sidomos për të moshuarit. Prandaj nëse kanë mundësi të strehohen në një vend si ky, ndihen më mirë, apo jo? Ata janë më të sigurt.”
Ai shpreson, se duke ardhur në bibliotekë për t’ju shmangur vapës njërëzit do të fillojnë të lexojnë më shumë: “Le të shohim nëse vizitorët mund të bëhen edhe lexues të rregullt duke ardhur këtu për t’u strehuar nga moti dhe duke qenë më afër librave.” – thotë Augusti Sagarra.
Vitin e kaluar “strehimoret për vapën” i përdorën 120,000 vetë tha bashkia e qytetit.
Barcelona është një nga qytetet e pakta në Spanjë që ka vënë në dispozicion “strehimore për vapën”.
Skenarë të frikshëm
Irma Ventayol, Drejtore E Zyrës për Ndyshimet Klimatike dhe Qëndrushmërinë në Bashkinë e Barcelonës, sqaron se “për shkak se temperaturat janë në rritje ne duhet t’u ofrojmë njerëzve që nuk kanë komoditete në shtëpitë e tyre disa mundësi dhe vende ku të ndihen më rehat. Prandaj ne u rekomandojmë qytetarëve të përdorin parqet dhe lulishtet që kemi në qytet. Dhe këto strehimore nëse nuk ndihet rehat në shtëpitë e tyre.”
Sipas saj “nëse hedhim një vështrim në parashikimet tona të klimës në vitin 2100 pritet që temperatura të rritet nga 1,7 deri në 3 gradë, në varësi të skenarëve që përdorni.”
Spanja po kalon valën e dytë të të nxehtit gjatë sezonit veror me temperatura deri në 44 gradë celsius./DW