Lajmi sapo është bërë i ditur nga “L’Équipe”: Neymar Junior u ka kërkuar zyrtarisht drejtuesve të klubit të largohet nga PSG këtë verë!
Pas rastit “Mbappe”, një sulmues i cili u hoq nga grupi dhe u hodh në treg për refuzimin e rinovimit (ai ka edhe një vit kontratë dhe, siç thuhet, tashmë ka një marrëveshje me Real Madridin për verën e ardhshme), tani është radha e çështjes “Neymar”.
Sipas “L’Équipe”, biseda mes Neymarit dhe zyrtarëve të klubit ka ndodhur të dielën. Sulmuesi brazilian 31-vjeçar, i cili ka munguar prej disa muajsh për shkak të dëmtimit, ka kontratë deri në vitin 2025, por prej kohësh është kritikuar nga tifozët për shkak të performancës së tij në fushë dhe polemikave jashtë saj.
Duhet mbajtur mend se Mbappé, Neymar dhe Messi, të cilit i përfundoi kontrata dhe u transferua tek Inter Miami këtë verë) formuan treshen luksoze mbi të cilën PSG vari të gjitha shpresat për të fituar Champions League, por pritshmëritë nuk u plotësuan kurrë.
Neymar u ble nga PSG nga Barcelona në verën e vitit 2017 për 222 milionë euro, në atë që është ende transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit.