Ka ndërruar jetë aktorja shqiptare Eva Pëllumbi. Për publikun vendas, Pëllumbi është e njohur për disa rolet në filmat si: “Vajza me kordele të kuqe”, “Ëndërr për karrige” apo edhe “Kapedani”.
“Unë u futa në Kinostudio dhe kam punuar, ishte paralel me punën në teatër . Fehmi Hoshafi më dha një rol në filmin “Kapedani”, apo Gëzim Erebara më dha rol në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, si dhe filma të tjerë”, është shprehur aktorja gjatë një interviste.
Përveç filmave, aktorja ka punuar për 17 vite në Teatrin e Kukullave ku ka luajtur rolin e “Çufos” nga vepra e Gaqo Bushakës si dhe “Pinokun”.
“Pinoku ka qenë maja për mua. Vetë figura e Pinokut i jep diçka fëmijëve”, ka thënë aktorja gjatë intervistës.
Pas viteve ’90, aktorja Eva Pëllumbi u largua nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.
Në një intervistë së fundmi Eva Pëllumbi shprehu edhe zhgënjimin se si ajo dhe plejada e saj ishin lënë në harresë nga institucionet pavarësisht kontributit të madh që kishin dhënë ndër vite.
Aktorja madje denoncoi edhe faktin se nga aktiviteti i saj artistik ndër vite kishin arritur sa t’i hiqnin edhe emrin e autorësinë.