Drejtori i Shërbimit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka shkruar nga karantina ku qëndron si pasojë e koronavirusit nga i cili u prek pak ditë më parë.
Brataj thekson se ai do të kthehet për t’iu bashkuar ekipit të mjekëve në luftën ndaj koronavirusit. Ndërsa është shprehur se pozitiviteti i qytetarëve dhe i mjekëve ndaj Covid-19.
Ai ka folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore, ku sipas tij, ka pak kollë dhe shenja të lehta të sëmundjes. Por, nga ana tjetër, sipas Bratajt, mesazhet dhe solidariteti që ka gjetur nga njerëzit i japin mjaft kurajë.
“Unë tani kam pak kollë dhe shenja më të lehta të sëmundjes. Jam më mirë, edhe falë këtij poziviteti të vazhdueshëm që ju më dhuroni.
Shpresoj të kthehem sa më shpejt……
Ju garantoj se kura më e mirë është POZIVITETI JUAJ pa fund, pa masë, pa ndërprerje, pa limit, pa dallim, pa kufij, nga çdo qytet, fshat, apo shtet, që çdo ditë të jep energji, të jep kurajo, të jep emocion, të jep dashuri humane pa fund, aq sa shumë herë të derdhësh lot, po lot me ngashërim, lot që pushojnë vetëm kur heq sytë nga ato mesazhe, sms, apo hartime tuajat të shkruajtura me fjalë zemre, me dashuri nëne, shoku, kolegu, me ndjenjë humane.”
“Nuk është aspak e thjeshtë për askënd të marrë lajmin se është i infektuar nga coronavirusi; nuk është aspak lajm i mirë kur ke të gjitha shenjat dhe simptomat e sëmundjes, kësaj sëmundje tinëzare dhe jo plotësisht të njohur; nuk është aspak e këndshme që familjarët dhe bashkëpunëtorët e tu të njoftohen nga mediat!”, shkruan Brataj.
Ai shton se do te kthehet sërish për të vazhduar betejën ndaj koronavirusit.
“UNË DO TË KTHEHEM që të vazhdojmë këtë betejë të ashpër së bashku, për t’ju shprehur edhe njëherë, SHUMË, SHUMË, SHUMË, SHUMË MIRËNJOHJE !
FALNDERIMI PËR JU ËSHTË SHUMË PAK! Dr. Skender Brataj”