Përse Federata e Opozitës është e destinuar të dështojë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

 

Kaloi pa shumë bujë dhe pa shumë rëndësi një zhvillim politik ditën e premte. Krerët e partive të vogla opozitare të mbledhura bashkë, propozuan publikisht krijimin e një federate të përbashkët të opozitës për t’ju kundërvënë superpushtetit të Partisë Socialiste dhe rrëshkitjes sipas tyre në autoritarizëm të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Nën moton Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie europiane”, drejtuesit e saj si Fatmir Mediu, Agron Duka, Arjana Starova, Sali Shehu, Artur Roshi, e të tjerë, kërkuan bashkimin e të gjitha forcave opozitare pavarësisht mendimeve dhe problemeve të ndryshme që kanë me njëri-tjetrin.

Nuk vihet fare në dyshim qëllimi i mirë i kësaj nisme dhe në aspektin formal kjo duhet përshëndetur, sepse është përpjekja e parë gjithëpërfshirëse në këto vite për të bërë bashkë opozitën kur Partia Demokratike është zhytur në një krizë të thellë deri në ekzistenciale. Deri këtu kjo është ide shumë e mirë dhe ia vlen që çdo opozitar ta përkrahë dhe ta mbështesë këtë nismë.

Por, e gjithë kjo nismë dhe aksion politik ka një problem madhor që në shfaqje të tij në letër. Problemi i opozitës nuk është as Partia Republikane edhe as Fatmir Mediu. As Partia Agrare Ambjentaliste e as Agron Duka, as Partia e Ballit Kombëtar Demokrat dhe as Artur Roshi dhe asnjë nga partitë e tjera opozitare.

Problemi numër një i të gjithë opozitës është Partia Demokratike që është edhe lokomotiva e trenit opozitar. Sado zoti Mediu të përpiqet të synojë të bashkojë opozitën, me Partinë Demokratike të shpartalluar, çfarë do bashkojë?

Në një parti që është e copëzuar në tre grupime që janë të distancuara ekstremisht nga njëra-tjetra; Në një parti që brenda saj ka një parti me vulë, një parti që zotëron shumicën e anëtarisë dhe një parti që ka shumicën e grupit parlamentar; Në një parti që ende nuk është shuar jehona e sulmit fizik të godinës më 8 janar 2022 ku levat e hekurit dhe shkopinjtë e drurit ishin i vetmi mjet për të zgjidhur se kujt i takonte pronësia e selisë së partisë; Në një parti që deputetët e saj zihen live me fjalor dhe dhunë fizike korridoreve të Kuvendit; si mund të synojë të bashkojë opozitën.

Zoti Mediu mund të ishte bërë inciativa për të bashkuar si fillim Partinë Demokratike dhe më pas opozitën. Kjo po. Se nëse PD do të ishte e bashkuar, do të ishte gjëja më e thjeshtë krijimi i një Federate të Opozitës. Por, në të gjithë këtë histori, më shumë se sa bashkimi, Partia Demokratike ka edhe një problem madhor që lidhet me marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.

Në platformën e paraqitur nga Fatmir Mediu, binte në sy se në 10 pikat e paraqitura në seksionin për marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe renditej e 4-ta, pra shumë larg. Dhe tekstualisht shkruhej:

“Federata e Opozitës synon marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë partneriteti, veçanërisht me partnerin strategjik SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe”.

Pas kësaj ke nevojë të ngresh zërin në kupën e qiellit. Në fakt, marrëdhëniet e PD me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe janë pikërisht thelbi i të gjithë krizës më të madhe historike që po kalon PD.

Në këtë aspekt, jo vetëm kjo është anashkaluar por është vënë një pikë në një renditje pa rëndësi, a thua sikur bëhet fjalë për marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet afrikane të Tanzanisë, Tunizisë dhe Magadaskarit. Zotërinj opozitarë!

Problemi numër një, ai më kryesori, më i madhi, më i rëndësishmi dhe ai që e bashkon apo e përçan përjetë Partinë Demokratike është dhe mbetet marrëdhënia e saj me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe.

Shkatërrimi dhe prishja e këtyre marrëdhënieve është arsyeja kryesore që PD sot është e shpartalluar. Dhe fakti që vendi sot është pa opozitën e duhur është pikërisht se kjo opozitë nuk ka marrëdhënie normale me këto tre shtete. Ai që nuk e kupton këtë, ose e anashkalon me qëllim, nuk ka kuptuar kurrë asnjë as nga politika e as nga marrëdhëniet ndërkombëtare.

Lexo edhe :  “Dekadë vendimtare për ne”, Rama: Shqipëria tashmë vend europian

Shpallja non grata e Sali Berishës, në vend që të shoqërohej me një strategji të matur dhe në interes të PD, sot është kthyer në një boomerang negativ historik dhe e ka kthyer PD-në një moçal me të cilin mazhoranca socialiste mund të bëjë ç’të dojë. Sulmet e ashpra në adresë të SHBA, sulmet dhe etiketimet deri në ofeza të rënda ndaj ambasadores Yuri Kim janë të padenja dhe një sulm i hapur ndaj vetë SHBA.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, mos vallë zoti Mediu dhe ata që propozojnë federatën kanë harruar që zoti Berisha ka paditur në gjykatat franceze sekretarin e shtetit Antony Blinken?

A mund të krijohet një federatë normale e opozitës që mbështetet mbi parimet dhe marrëdhëniet e aleatit strategjik të SHBA kur kryetari i PD ka paditur shefin e diplomacisë amerikane pse ka shpallur Berishën non grata? A mund të krijohet një federatë normale e opozitës kur një parti ka në themel të politikës së saj teorinë e sovranitetit që nënkupton “nuk pyesim për SHBA”?

Dhe të mendosh që vetë Partia Demokratike u themelua me mbështetjen e SHBA dhe nën moton që SHBA është e para në çdo aspekt të veprimtarisë së saj.

SHBA jo vetëm nuk ka ndryshuar mendim për Berishën dhe PD por deklarata më e fundit e ambasadës amerikane nuk la vend për asnjë hamendësim. Vetëm tre ditë më parë nga selia në rrugën e Elbasanit doli ky qendrim:

Ambasada e SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me individët e shpallur non-grata dhe nxisim të gjithë aktorët të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla’’,

E megjithatë, në platformën e paraqitur për krijimin e federatës së opozitës, nuk është shkruar asnjë fjalë për këtë. Më e pakta duhet të ishte një pikë e veçantë në të cilën të thuhej që të ndërpriteshin sulme dhe anatemimet ndaj SHBA, diplomatëve dhe përfaqësive të saj në Shqipëri dhe jashtë saj.

Një parti që sot është në gjyq ndërkombëtar me sekretarin e shtetit nuk mund të jetë kurrë as e bashkuar dhe as afër pushtetit dhe ideja për krijimin e federatës dështon që këtu.

Por pas këtij argumenti vjen ai i brendshmi. Një arsye tjetër është që PD është në këtë situatë, lidhet me faktin se legaliteti i kësaj partie ka për kryetar Lulzim Bashën. Si mund të jetë pjesë e bashkimit një kryetar që pasi u bë shkak kryesor për shpartallimin e PD-së tani të bëhet pjesë kryesore e bashkimit të saj.

Dhe të mendosh që Basha ka qenë kryetar edhe i disa koalicioneve që zoti Mediu dhe drejtuesit e tjerë të partive të vogla kanë qenë brenda saj. Prandaj motoja pavarësisht mendimeve copëzat mund të bëhen bashkë në betejën kundër Edi Ramës, nuk mund të funksionojë.

Një tjetër arsye e rëndësishme e pamundësisë së funksionimit të kësaj federate është edhe mënyra se si funksion grupi parlamentar.

Grupimi i zotit Gazmend Bardhi që punon bashkë në territorin e parlamentit deri te rruga automobilistke dhe më tej nuk e njeh as Sali Berishën dhe as Lulzim Bashën është për të qeshur dhe për të qarë. A mund të quhet bashkim ky që vendos kufizime territorial se deri ku do të bashkëpunojë?

Prandaj, kjo nismë edhe pse ka qëllim të mirë, nuk të ngroh dhe nuk të lë hapësirë për optimizëm. Ajo ka si problem parësor dhe kryesor mungesën e bashkimit të vetë Partisë Demokratike.

Dhe kur nuk arrihet të bashkohet PD si mund të bashkohet opozita. Prandaj pavarësisht këtij qëllimi të mirë, aksioni politik për një Federatë të Opozitës është i dështuar që në nisje. Pa bashkimin e Partisë Demokratike nuk ka as opozitë të bashkuar e aq më shumë Federatë të Opozitës.

Të gjithë janë plot dëshirë të bashkimit të të gjitha pjesëve të Partisë Demokratike, por askush nuk po gjen mënyrën e duhur për ta arritur këtë. Rrjedhimisht, kjo nismë dhe dëshirë është e destinuar të dështojë që në start. Sigurisht dhe fatkeqësisht në të njëjtën kohë.

Të fundit

A beson Arjan Çani në Zot?

Të "Pashoq" vjen në këtë atmosferë Krishtlindjeje, me një puntatë speciale dhe një të ftuar po kaq special. Arian Çani...

Sa herë e ka tradhtuar? Blendi Fevziu çudit: E kam humbur gruan 11 vite vetëm se..

Gazetari i njohur i emisionit ‘Opinion’ Blendi Fevziu ditën e sotme ka qenë pjesë e një interviste për revistën ‘Class’. Ai i është përgjigjur ‘100...

Si mund ta arrijë Berisha, qeverinë teknike! Flet Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Intervistën e Ditës nga Ermal Peçi në Dritare TV tha se Sali Berisha nuk mund ta kushtëzojë Edi...

Eksperti i sigurisë ushqimore: Shqiptarët po helmohen me pesticide

Eksperti i sigurisë ushqimore Ervin Resuli ka folur për problematikat me ushqimet dhe debatin e ditëve të fundit me pesticidet në fruta. Ai ka vlerësuar...

“Shqipëria, Maldivet e Evropës”/ Kumbaro: Reklama më e mirë, turistët!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë intervistës për “Real Story” foli gjithashtu edhe për cilësimin që shpesh po i bëhet Shqipërisë si...

Lajme të tjera

Web TV