Duket se shtimi i turistëve në Shqipëri ka bërë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që të mendojnë për krijimin e një agjencie të re në vend që do të merret vetëm me transportin publik.
“DPSHTRR, bashkë me MIE po punojnë prej një viti për një nga agjencitë më të rëndësishme në vend. Turizmi. I referohemi shpesh turizmit pasi turizmi tashmë është një nga sektorët e ekonomisë më të rëndësishëm në vend të cilit duhet t’i përgjigjen të gjithë sektorët jetikë siç është energjia, shëndetësia, transporti apo çdo sektor tjetër. Ky numër i konsiderueshëm vizitorësh kërkon jo vetëm infrastrukturë rrugore, por kërkon që të ketë edhe një transport publik, modern që t’i përgjigjet kërkesës. E kemi diskutuar disa herë me disa prej ambasadorëve tanë, sidomos ata që ndodhen në shtetet e Europës veriperëndimore që për vizitorët, transporti publik është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ministrja Belinda Balluku gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Njëherësh zv/kryeministre në qeverinë Rama, Balluku njoftoi se këtë vit do të procedohet me krijimin e një agjencie për transportin publik. Sipas saj, kjo agjenci do të ofrojë shërbim të unifikuar në të gjithë vendin dhe bileta elektronike për të shmangur evazionin fiskal dhe abuzimet mbi udhëtarët.
“Kemi vendosur që gjatë vitit 2024 të procedojmë me krijimin e një agjencie sa i përket transportit publik, një agjenci e cila padyshim do të ofrojë shërbim të unifikuar në mbarë vendin, do të ofrojë një biletë elektronike për të gjithë për të evituar çdo evazion fiskal, por nga ana tjetër dhe çdo abuzim me udhëtarët por mbi të gjitha duke i dhënë një mundësi të re transportit publik me ngritjen e stacioneve të mirëfillta të transportit publik në çdo qytet apo me teknologji të re. Është në planet tona dhe kërkesa për rinovimin e flotës së transportit publik duke u mbështetur nga garancitë e qeverisë shqiptare për t’i dhënë mundësi të gjithë kompanive që duan të operojnë në këtë fushë, patjetër që të kenë facilitete dhe mbështetjen e shtetit, por nga ana tjetër që ata të operojnë në bazë të kritereve të mirëmenduara, studiuara dhe vendosura që do të kthehen në tregues vlerësimi”, u shpreh ajo.
Zv/kryeministrja theksoi se paketa do të zbulohet në mënyrë të detajuar në ditët në vijim.