Martesat e së njëjtës gjini/ Parlamenti grek shqyrton projektligjin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

ATHINË – Deputetët grekë filluan të mërkurën diskutimin e planifikuar të zgjasë dy ditë në parlament për një projektligj që synon të legalizojë martesat e së njëjtës gjini. Nëse projektligji kalon, Greqia do të bëhej vendi i parë i krishterë ortodoks që miraton një masë të tillë.

Seanca e filluar në ditën e Shën Valentinit është shoqëruar me kundërshti të mëdha dhe protesta nga kisha, por edhe me një zhvendosje të opinionit publik që tashmë e mbështet me një diferencë të ngushtë këtë ndryshim.

Deputetja Maria Syrengela, e partisë në pushtet Demokracia e Re, e quajti projektligjin gjatë debatit të së mërkurës “një kontribut i vogël drejt krijimit të një shoqërie pa diskriminim”.

Nëse miratohet, projektligji do t’u jepte të drejta të plota prindërore çifteve të së njëjtës gjini, por nuk do të lejojë lindjen e “porositur” të foshnjave nga gratë në Greqi për llogari të çifteve meshkuj.

Votimi pritet të bëhet të enjten. Por, çfarë përmban më konkretisht projektligji?

NJË RRUGËTIM I NGADALTË DREJT NDRYSHIMIT

Përpjekjet për legalizimin e martesave të së njëjtës gjini në Greqi kanë qenë të zgjatura dhe kanë ngjallur debat. Qeveritë e mëparshme e kanë shmangur përplasjen me Kishën Ortodokse për këtë çështje.

Bashkëjetesa civile për çiftet homoseksuale u bë e ligjshme në vitin 2015 dhe konservatorët e kundërshtuan këtë iniciativë. Zotimet e dhëna për këto të drejta u lanë vazhdimisht pas dore për shkak se vendi kaloi një krizë financiare të pasuar nga pandemia.

Shumë çifte të së njëjtës gjini patën zgjedhur të martoheshin në rreth dymbëdhjetë vende të tjera të Bashkimit Evropian, të cilat kishin në fuqi të drejtën për martesa të tilla, duke anashkaluar kështu kufizimet e vendit të tyre.

Në fillim të mandatit të tij të dytë, kryeministri i qendrës së djathtë Kyriakos Mitsotakis filloi disa reforma të vështira, si përballjen me problemin e dhunës së tifozëve në sporte dhe dhënien fund të monopolit të shtetit mbi arsimin e lartë.

PËRSE KISHA KUNDËRSHTON ME FORCË?

Kundërshtitë e kishës greke ndaj projektligjit për martesat kanë qenë të fuqishme.

Sinodi i Shenjtë, i përbërë nga peshkopët drejtues, u dërgoi letra të gjithë deputetëve, duke paraqitur kundërshtitë e tij. Një mesazh i ngjashëm u lexua gjatë shërbesave të dielën në të gjitha kishat ortodokse të vendit dhe grupet fetare kanë organizuar protesta kundër këtij projektligji.

Lexo edhe :  Trump dha sinjal për ta ‘arrestuar’, përgjigjet Obama

Kisha i konsideron martesat e së njëjtës gjini si një rrezik për modelin tradicional të familjes, duke argumentuar se mbështetja për modelin tradicional do të zgjidhte problemin e rënies së lindjeve në shumë vende evropiane.

Ky qëndrim është mbështetur nga vende të tjera ortodokse, si dhe nga Patriarkana Ekumenike, me seli në Stamboll, të Turqisë.

Vendet me shumicë ortodokse gjenden në Evropën lindore dhe jugore, ku pranimi publikisht i të drejtave të homoseksualëve ka qenë më i druajtur se në vendet e tjera të Evropës perëndimore.

PËRPJEKJE PËR NDRYSHIME TË MËTEJSHME

Aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ e konsiderojnë projektligjin një reformë të rëndësishme, pasi për herë të parë do të njiheshin si njësi familjare çiftet e së njëjtës gjini.

Partnerët që nuk janë prindër biologjikë të fëmijëve të këtyre çifteve, do të duhet të ndjekin procesin e adoptimit, që është më i zgjatur se në vendet e tjera evropiane.

Aktivistët për të drejtat e transgjinorëve thonë se ata do të vazhdojnë të jenë në një situatë të paqartë ligjore dhe për këtë arsye kërkojnë ndryshime të mëtejshme ndaj projektligjit për martesën.

NJË MARRËVESHJE E RRALLË POLITIKE

Kuadri politik për martesat e së njëjtës gjini është i komplikuar, por ofron një moment të rrallë konsensusi në një moment kur politikanët në mbarë Bashkimin Evropian janë të prirur të theksojnë dallimet mes tyre ndërsa afrojnë zgjedhjet që do të mbahen në mbarë unionin në qershor.

Kryeministri Mitsotakis përballet me kundërshti nga brenda partisë së tij Demokracia e Re dhe i nevojiten votat e opozitës për ta miratuar projektligjin.

Shumë nga deputetët e opozitës dëshirojnë ta mbështesin. Stefanos Kasselakis, drejtues i opozitës, u bë vitin e kaluar drejtuesi i parë homoseksual i vetëdeklaruar publikisht i një partie kryesore greke. Deputetët e krahut të majtë dhe të qendrës pritet të ofrojnë një shumicë të qartë.

Politikat partiake në kahun e djathtë ekstrem mbështesin protestat fetare. Ata nuk ka gjasa ta rrëzojnë projektligjin, por po vazhdojnë përpjekjet për të pakësuar mbështetjen për projektligjin nga radhët e bazës konservatore të partisë së zotit Mitsotakis./O.S

Të fundit

Djegia e flamurit shqiptar, Spahiu: U përdhos atje ku ka urrejtje për ne

Një video që tregon disa të rinj teksa shkelin dhe kalojnë me makinë mbi flamurin shqiptar të hedhur në...

“Zjarrfikësja nuk kishte ujë”, flasin banorët e Delvinës

Banorë të fshatrave Senicë, Vergo dhe Palavli kanë folur mbi situatën e zjarrit në Delvinë, pasojat që ka lënë pas dhe ndërhyrjen nga autoritetet. “Unë...

Flet pronarja e shtëpisë së djegur: Do flemë në qiell të hapur, kush do mendojë për ne?

Ana Duka është një banore e fshatit Kopaçëz të Delvinës, që është prekur nga zjarret shkatërrimtare. Disa orë pasi u detyruan të evakuoheshin nga shtëpia...

Zbulohet plani që do përmbyste qeverinë në Beograd

Serbia ëshë tronditur nga zbulimi i një plani për të përmbysur qeverinë dhe për të bërë një ndryshim me forcë të pushtetit. Prokuroria e...

Akt heroik i policëve në Delvinë, shpëtojnë fëmijën 10 vjeç

Një akt heroik është shënuar në fshatin Kopaçëz të Delvinës, ku dy efektivë policie kanë rrezikuar jetën për të shpëtuar një fëmijë 10-vjeçar dhe...

Lajme të tjera

Web TV