Emri i ndritur i përkthyesit të përkushtuar Prokop Gjergo

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Shpendi Topollaj

 

Më shumë se një rastësi, do ta quaja fat për qytetin e Durrësit që bashkëshortët Hava dhe Sali Hidri me përkushtimin e shkencëtarëve të vërtetë, hulumtojnë, shkruajnë, inkurajojnë njëri-tjetrin, bashkëpunojnë dhe botojnë libra me vlera të mëdha arkeologjike dhe historike, duke na detyruar të nderojmë dhe vlerësojmë kontributin e tyre të çmuar. Temat dhe figurat që ata me kompetencë profesionale, kulturë, ngrohtësi njerëzore, por dhe dashuri për atdheun trajtojnë, janë një kontribut i padiskutueshëm në fushat përkatëse. Kushdo që e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e tyre, ka konstatuar se intuita e pagabueshme i ka orientuar ata, që të dinë ku të drejtohen e çfarë të zgjedhin. Kjo është dhe arsyeja, pse duhet përshëndetur dr. Sali Hidri për librin monografik “Një jetë e jetuar”, kushtuar intelektualit të shquar e njëkohësisht të thjeshtë e të urtë, përkthyesit model dhe poetit plot ndjenja, Prokop Gjergos. Historia e Shqipërisë në vitet e errëta të obskurantizmit komunist, është e mbushur me shumë shembuj të dhimbshëm të anatemimit, përçmimit, përndjekjes dhe deri burgosjes e pushkatimit të shumë shkrimtarëve të talentuar e me vizione evropiane. Dëmi që i ka sjellë kjo mizori Atdheut tonë është i pallogaritshëm.

Por ka një gjë që shpesh inkuizitorët e harrojnë: njeriu fizikisht mund të vdesë, kurse vepra e tij mbetet, ajo nuk do t’ia dijë për ideologjitë, politikat, etjen për lavdi e arrivizmin e cilitdo, qoftë ky dhe Neroni vetë. Fancezi Jacques Prevert që dikush e ka quajtur “Më i dashuri midis poetëve”, në poezinë e tij “Njeriu i madh”, shkruante:

Te një prestar mermeri

       ku e pashë një ditë

       ai po merrte masat

       për pasardhësit.

I tillë ka qenë edhe Prokopi ynë, ai ekonomisti i ndershëm, që kishte një profesion që në asgjë nuk afrohej me letërsinë, por që gjente kohën të përkthente mjeshtërisht korifej të tillë si Kornej, Rasini, Fransi, Bomarsheja, Bualo, Rostani, Molieri, Hygoi etj., edhe pse ishte i ndërgjegjshëm se në vendin e tij, shumica e tyre nuk do ta shihte dritën e botimit, gjersa në mbretërinë e Hadit shqiptar, të qëndronte në këmbë Cerberi me tri kokë. Prokopi, sikurse del qartë edhe në këtë libër, e donte shumë jetën. Kjo ishte dhe arsyeja që ai, edhe pse në kushte jo të favorshme nuk reshti asnjëherë së punuari. Për të, kjo kishte më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Ai e dinte mirë se ç`kishte thënë Sharl Bodleri tek “Vdekja e hareshme”:

     Varret dhe testamentet i kam urryer gjithnjë;

     As botës s`dua t`i lutem për mua të derdhë lotë,

     Më mirë do të doja, për së gjalli, korbave t`u lë,

     Mundësinë për ta bërtë fërtele trupin tim të kotë.

Por Prokopit jo vetëm trupin, por edhe shpirtin po ia coptonte shpërfillja. Ja sa bukur na e ilustron këtë autori Sali Hidri: “Qe shumë e trishtueshme, kur, ndërsa regjistroja veprat e përkthyera në prani të zonjës Marie, nën mbështjelljen e veprës së daktilografuar e të lidhur të tragjedisë Fedra, gjeta një shënim të rimuar në katër vargje që mbante datën 11.11.1977:

     Po, mik i dashur, unë e di;

     Do vijë një ditë, kjo Shqipëri

     Do mburret me këto përkthime;

     Po kur?… Oh, kur… pas vdekjes sime.”

Lexuesi natyrshëm pyet: pse e la këtë shënim, pikërisht te kjo tragjedi. E ç’vlerë ka fundja, nëse vetë Fedra nga brejtja e ndërgjegjes, për shpifjen e saj vret veten, kur pas mallkimit të Tezeut, përbindëshi i dërguar nga Poseidoni, do të trembte kuajt e Hipolitit të pafajshëm prej nga ai do të gjente vdekjen? Por kjo fusha e krijimtarisë, seç ka diçka të mistershme, diçka gati hyjnore që shpesh nuk do t’ia dijë as për rreziqet. Fare pak, për të mos thënë aspak, e ka njohur dr. Sali Hidri, Prokopin. Ndoshta dhe natyra e tij ka qenë e tillë. E them këtë pasi edhe unë vetë, sado që organizoja bashkë me shokët, veprimtari të panumërta për letërsinë e kulturën në përgjithësi, nuk e njoha kurrë. E dija që është një përkthyes i atyre pak librave të botuara si “Andromaka”, “Sidi”, “Shkolla e grave”, “Mizantropi” etj., por vetë ai, se pse më përfytyrohej si një fantazmë e padukshme, por gjithsesi e pranishme. Në këtë vështrim e gjykoj shumë të mundimshme punën e bërë për të shkruar kaq bindshëm monografinë e tij. Saliu tani është me një përvojë të madhe. Kështu që ai gjeti mënyrën të na paraqesë një vepër të kompletuar rreth këtij njeriu, që ashtu siç shkruante gazeta “Adriatiku” në fillim të vitit 1992 “… i duhej rezervuar një vend nderi në panteonin e letrave tona”.

Lexo edhe :  FJALA E ATJONIT E RE SIÇ ISHTE I RI

Po ta shohësh librin me kujdes, do vësh re se autori vetëm sa e prek ashtu si shkarazi, punën e Prokopit si llogaritar. Megjithatë, ai ka ditur të bëjë që ajo të na shoqërojë deri në fund të leximit, pa i cënuar banalisht asgjë qënies së tij njeri i letrave, që siç përcaktonte i nderuari dr. Ali Sula: “Në përkthime, me dashurinë dhe adhurimin për artin e të Mëdhenjve, ai dha gjithçka mundi për të ruajtur besnikërinë ideore të tekstit, hijeshinë e tingullit, kadencën origjinale, shkathtësinë në rimim, elegancën e stilit, pastërtinë dhe pasurinë e leksikut në shqipërim”. Dhe duhet mbajtur parasysh, se Prokopi përkthente vepra me rregulla të forta metrike; ndaj ato deri diku janë edhe krijime të tijat. Vargu aleksandrin që ai ka përdorur, ka kërkesa të rrepta. I futur në letërsinë franceze, qysh tetë shekuj më parë, pas botimit të poemës “Romani i Aleksandrit”, ai gjeti përhapje të gjerë edhe pse në atë dymbëdhjetë rrokësh, kërkonte cezurë, dhe theksin në rrokjen e gjashtë dhe të dymbëdhjetë. Por Prokop Gjergo, jo vetëm që e njihte mirë teorinë e letërsisë, por dhe kishte shkruar dy libra me poezi.

Ana njerëzore e Prokop Gjergos në sytë e lexuesve, del e skalitur më së miri nga autori i librit. Tani askush nuk mund të thotë se nuk e ka njohur ndonjëherë atë. Në skalitjen e portretit të tij, më duket se është me shumë vlerë fakti, se Sali Hidri, nuk është mjaftuar me kujtimet e të shoqes, as me pjesë nga krijimtaria e tij e mirëfilltë poetike, madje as me ato copëza shumë domethënëse të përkthimeve aq të goditura. Ai ka ndërthurur mjaft mirë, brenda faqeve të këtij libri edhe korrespondencën që vetë Prokopi, ka pasur me njerëz të kulturës si regjizori i shquar Sokrat Mio apo avokati Kristaq Harizi. Sa me ndjenjë, sa miqësore, sa dashamirëse që janë letrat e tyre! Sa preokupim, sa dëshirë, sa kulturë, sa sinqeritet gjen brenda tyre! Ja si i shkruan atij Sokrat Mio që nga Korça, teksa i del parasysh Parisi: “Rileximi pas më shumë se 40 vjetësh, ishte sikur nga fundi i detit, i mbuluar me një të kaluar të rëndë ngjarjesh, dilnin kujtimet njera pas tjetrës të freskëta, të bukura dhe ndofta më tërheqëse sesa ishin në realitet, atëhere kur i jetoja, dhe sigurisht mungesa e tyre i bën më të dashura ato momente.” Në shpirtin e këtyre intelektualëve të përmasave të mëdha, nga leximi i përkthimeve të mrekullueshme të Gjergos, ngjet tamam ajo që thotë (po e citoj edhe një herë) Bodleri, te poezia e tij “Ëndërr pariziane”:

       Ky i tmerrshëm e i rrallë peizazh,

       Që kurrë syri njerëzor s`e ka parë,

       K`të mëngjes me të largtin imazh,

       Seç po më bën ëndërrimtar.

Dhe sa mësime për këdo nga ne, kur vlerësojmë, kur inkurajojmë apo kur kritikojmë dikë. “Më lejo, i dashur Prokop – thuhet në njërën prej tyre – që po të bëj pak vërejtje që i kam gjetur pak si të pafuqishme për të shprehur me saktësi kuptimin e disa shprehjeve…” I lexon ato letra dhe seç ndjen një zbrazëtirë, kur mendon se si është e mundur të mos i jepet vendi e roli i duhur intelektualëve. Si mund të lëndohet shpirti i tyre nga harresa shpesh dhe e qëllimshme? Si mund të bëjmë me ta të njëjtin gabim që bëri diktatura? Pa punën e palodhur të tyre, nuk bëhet Shqipëria. Ja pse merr rëndësi të veçantë mundimi i të gjithë atyre që na i sjellin pranë këta njerëz, ja pse duhet t`u jemi gjithmonë mirënjohës, jo vetëm krijuesve si Prokop Gjergo me shokë, por dhe njerëzve si Sali Hidri që dinë të zgjedhin dhe trajtojnë si shqiptarë të vërtetë, figura kaq të çmuara për kombin dhe sidomos nga ata që te prestari i mermerit, marrin masat për pasardhësit

Të fundit

Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Eduard Zaloshnja Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor. Vendimi u njoftua më 24 Dhjetor....

Ra aksidentalisht apo u qëllua me armë? Dyshime për tragjedinë ajrore në Kazakistan

Autoritetet në Kazakistan vijojnë me intensitet hetimet për avionin e rrëzuar një ditë më parë, në një tragjedi që iu mori jetën 38 pasagjerëve,...

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë

Në segmentin rrugor të Iballës prej dy ditësh është bërë i vështirë qarkullimi i mjeteve. Erërat e forta dhe bora që janë prezente kanë shkaktuar...

Vjena mban stafetën, kryeson listën e vendeve më të mira për të jetuar

A keni ëndërruar për t’u zhvendosur në një qytet të ri? Epo, është koha për të paketuar valixhet. Kompania EIU, ka renditur qytetet më të...

Bashkëshortja e Bashar al-Assadit diagnostifikohet me leuçemi, e izolojnë nga familja

Bashkëshortja e presidentit të rrëzuar sirian është në gjendje të rëndë shëndetësore, duke qenë se është diagnostikuar me leuçemi dhe për këtë arsye është...

Lajme të tjera

Web TV