Gënjeshtrat e para të fëmijëve tregojnë që ata janë në gjendje të mendojnë në mënyrë të pavarur nga prindërit e tyre. Këto gënjeshtra të hershme, të cilat quhen “të bardha”, shpesh janë të padëmshme dhe prindërit zakonisht i shohin me humor. Megjithatë, nëse fëmija fillon të gënjejë shpesh dhe në mënyrë të pakuptimtë, kjo mund të bëjë që prindërit të shqetësohen. Në këto situata, frika është ndjenja kryesore që shtyn fëmijën të fshehë të vërtetën.
Sipas psikologëve dhe ekspertëve të sjelljes sociale, fëmijët janë më të prirur të gënjejnë kur prindërit e tyre janë shumë të rreptë dhe kërkues. Kur ata ndodhen në situata të vështira dhe e dinë që mund të ndëshkohen, shpesh do të zgjedhin të fshehin të vërtetën.
Një studim i Victoria Talwar, psikologe dhe eksperte për fëmijët në Universitetin McGill, ka treguar se fëmijët e prindërve të rreptë shpesh gënjejnë për të shmangur ndëshkimin. Talwar hulumtoi dy shkolla me një sistem disipline të fortë dhe vërejti se gjatë një loje, fëmijët shpesh përgjigjeshin në mënyrë të pasaktë për të dukur më të zgjuar. Ndërsa në një shkollë publike, fëmijët përgjigjeshin me sinqeritet, pa frikë nga ndëshkimi, edhe pse shumë mund të mendonin se ishin gabim.
Në një intervistë me BBC Radio 4, psikoterapistja Philippa Perry shpjegoi se një qasje e rreptë në shtëpi mund të krijojë një efekt të ngjashëm. Kur prindërit e drejtojnë shtëpinë me një dorë të fortë, fëmijët ndihen të pasigurt dhe janë më të prirur të gënjejnë, madje edhe për mendimet e tyre.
Pra, nuk duhet të fajësohen vetëm fëmijët, pasi pandershmëria e tyre është shpesh rezultat i një “situate të bashkë-krijuar”. S.B