Nga Ergys Mërtiri
Djegia e karrikeve në oborrin e Parlamentit përftoi një imazh që na sjell në mendje një klip të Pink Floyd, Another brick in the wall, ku fëmijët rebelohen ndaj mësuesve dhe i venë flakën shkollës. Në fakt, shpërthimi i indinjatës rebele i shfryrë në objekte materiale si karriket është tipar i të vegjëlve, të pafuqishëmve, dhe mbi të gjitha, i atyre që nuk iu dëgjohet zëri. Pafuqia e kësaj opozite për t’u dëgjuar e për të qenë bindëse, tregon dobësinë e saj të vërtetë, e cila nuk vjen nga zullumet pa fund të kësaj qeverie, por ekskluzivisht nga zullumet e veta po aq të shëmtuara, ndonëse jo aq të mëdha.
Gjithsesi, një opozitë që dhunon karrike, pasi s’ka ç’i bën maxhorancës, nuk bën gjë tjetër vetëm se demonstron infantilitetin e saj politik, çfarë e bën atë të ngjajë, jo më thjesht e dobët dhe e paaftë, e gjithashtu edhe agresive apo histerike, por tashmë edhe banale e qesharake.
Dhuna e një formacioni politik ndaj një formacioni tjetër ka kuptim vetëm kur ajo ushtrohet nga organizata parapolitike guerrile që pushtetin kërkojnë ta marrin me armë. Dhuna e shprehur ndaj karrikeve është thjesht demonstrim i banalitetit politik që e shndërron skenën politike në komedi.
Çdo opozitë do të ishte e interesuar për një klimë reflektimi publik, në mënyrë që njerëzit të shohin qartë problemet e qeverisë. Forca e saj është tek faktet, argumentet, arsyeja. Nëpërmjet tyre opozita lufton gjithmonë për të afruar elektoratin gri, pa të cilin nuk mund të fitojë kurrë. Opozita shqiptare sot bën krejt të kundërtën. Ajo ofron spektakle pirrotaktike me tym e flakë duke shkatërruar imazhin e saj tek elektorati gri, çfarë tregon qartë se ajo nuk ka në fokus garën me qeverinë.
Në fakt ajo realisht nuk po luan për të fituar. Përkundrazi, veprimet e saj tregojnë se ajo synon vetëm të mbajnë shtrënguar rreth vetes një kategori të ngushtë militantësh, në mënyrë që të garantojë jetëgjatësinë e vet në opozitë. Këtë e bën sepse ajo e di që nuk mund të fitojë, dhe ajo çfarë i duhet në këto kushte është vetëm të mbijetojë. Ajo nuk po punon për zgjedhje, por po punon që, pikë së pari, asnjë opozitë e re alternative të mos lindë nga këto zgjedhje dhe së dyti, të sigurojë pushtetin brenda partisë pas humbjes në zgjedhje.
E gjithë kjo tregon se opozita nuk është më opozitë, pasi ajo ka pushuar së qeni një alternativë ndaj pushtetit. Ajo nuk po lufton për të rrëzuar qeverinë, por për të rrëzuar këdo që sfidon monopolin e Sali Berishës mbi opozitën.
Në thelb lufta e tyre është një luftë kundër kohës, kundër arsyes, kundër ligjeve të natyrës që kushtëzojnë çdo qenie të gjallë. Të mbetur 34 vjet në të njëjtën fizionomi, të njëjtën mënyrë të të bërit politikë, të njëjtën retorikë, të njëjtët njerëz me një histori të turpshme korrupsioni e arrogance, ata nuk mund të ofrojnë më gjë në politikën shqiptare.
Natyrshëm njerëzit kërkojnë ndryshim, transformim, reformim, çfarë ata nuk mund ta ofrojnë. Në këto kushte, e vetmja mënyrë që ata kanë për të mbetur gjallë është të moslejojnë asgjë të re të lindë, me shpresën se coftina e tyre do të jetë e vetmja gjë që mund të mbushë vakumin e mungesës së një alternative.
Për këtë arsye, zjarri i djeshëm në Parlament, nuk ka për qëllim të djegë Edi Ramën e as të mbrojë Salianjin. Ai zjarr ka për qëllim të djegë truallin opozitar për të moslejuar të mbijë diçka e re. Qëllimi i këtij aksioni si dhe e protestës së radhës është të prodhojë spektaklin e një konflikti fals, në mënyrë që ta mbajë debatin politik në termat e foltores. Polarizimi dhe tensionimi i skenës politike nuk lejon vëmendje për aktorë të tjerë e për diskure opozitare alternative. Vëmendja mbetet në dialektikën Rama-Berisha, si e vetmja dialektikë në treg.
Duhet thënë këtu se e gjithë kjo nuk mund të bëhet pa lojën e Edi Ramës, i cili po ia ofron Berishës mundësinë që të zgjasë agoninë e tij. Të dyja palët mbajnë veten në lojë, duke zgjedhur për kundërshtar njëri-tjetrin dhe duke polarizuar betejën e shtirur midis tyre në mënyrë që të përjashtojnë çdo aktor tjetër.
Në këto kushte, gjithka do të ishte fare e lehtë po të mos kishte një faktor të rëndësishëm në mes: SPAK-u. Ai është problem që në fakt të dyja palët nuk e shmangin dot, dhe i cili po ua prish lojën dhe gjumin. Qendrueshmëria e tij dhe thellimi i goditjeve ndaj të paprekshmëve të politikës shqiptare, mbetet e vetmja rrugëdalje nga pengmarrja që kjo politikë i ka bërë vendit për dekada me radhë.