Eduard Zaloshnja
Në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit, kandidadtët për deputëtë të PS-së në Qarkun Tiranë morën 227 mijë vota, ose 48.7% të votave të vlefshme të qarkut. Ato vota u përkthyen në 18 mandate parlamentare, ose në 50% të 36 mandateve të qarkut.
Por shumë ujë ka rrjedhur qysh atëherë në Lumin e Tiranës…
Kështu, në Qarkun Tiranë tani do të jenë 37 mandate parlamentare në garë (dhe jo 36), si rrjedhojë e rritjes së numrit të shtetasve që figurojnë në Gjendjen Civile të qarkut.
Më tej, në zgjedhjet lokale të vjetshme, PS-ja shënoi një rezultat domethënës në Qarkun Tiranë – 5 kandidatët e saj për kryebashkiakë morën plot 75 mijë vota më shumë se rivalët e tyre të Bashkimit për Fitore (të Berishës dhe Metës). Pra, PS-ja e fillon garën me një epërsi të dukshme paraprake.
Meqë tani qarku Tiranë do të ketë 37 mandate parlamentare, llogaritë elektorale tregojnë se kalimi nga 18 mandate në 19 mandate, do të jetë pothuaj statistikisht i sigurtë për PS-në më 2025. Por arritja e 20 mandateve është e vështirë.
Vështirësia e mandatit të 20-të krijohet nga futja në skenë e partive të reja që janë themeluar qysh nga 2021-shi. Në dy sondazhe që kam zhvilluar së fundmi (me zgjedhës të këtushëm dhe në emigracion), partitë e sapoformuara duken të jenë domethënëse statistikisht. Por nuk është ende e qartë se kë do të dëmtojnë më shumë elektoralisht: PS-në e konsumuar në pushtet, apo PD-në e konsumuar në opozitë?/E.T