Demokrati Ervin Salianji ka shkruar një letër nga burgu, ku iu drejtohet qytetarëve, përpara protestës së thirrur nga opozita.
Ai shprehet se qëndresa e popullit opozitar është shkatërrimi i qeverisë. Salianji në mesazhin e tij thotë se nuk mund të humbet dinjiteti dhe se “populli shkund çdo tirani”.
Salianji thotë se qeveria mendoi se do e frikësonte PD-në, por e forcoi më shumë. “Në këto orë, ata po korrin frikën që mbollën vetë! E dimë që menduan se do na frikësonin, e sot më shumë na forcuan.
Qëndresa jonë është shpërbërja e tyre! Ne e dimë që shumë nga ne sakrifikojnë e rezistojnë sepse na takon ne së pari të jemi muri që ndal të keqen. Na takon ne dhe vetëm ne të jëmi forca e shembullit. Të humbësh lirinë për të fituar forcën e goditjes ndaj padrejtësisë, është zgjedhje e ndërgjegjies.
Të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë. Të humbësh lirinë duke fituar besimin në sakrificë është forma më ë lartë e fisnikërisë civile.
Të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga! Reago, mos humb veten, as dinjitetin, as të drejtat!”, ka reaguar Salianji nga IEVP Fier.