Pas vizitës së tij në Shqipëri, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të niset drejt Serbisë. Gjatë konferencës për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare solli në vëmendje si fakt historik që Turqia e ka njohur e para Kosovën si shtet i pavarur.
Më tej Rama tha se ‘një mik të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi’.
Rama: Pas kësaj vizite, presidenti do të niset në Beograd. E sjell këtë në vëmendje për t’ju kujtuar të gjithëve një fakt historik. Republika e Turqisë, kur Erdogan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para. Nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike. Ka qenë njohje në kohë reale, në sinkron me punimet e parlamentit të Kosovës dhe kur në televizor përpara të cilit ishte mbledhur e gjithë qeveria me atëherë kryeministrin dhe sot presidentin, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, qeveria e Turqisë ka njohur Kosovën.
Një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi. Ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë. E them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë. S.B