Opozita zë për gryke rrugët, kërkon lirimin e Salianjit por “harron” Metën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Opozita bllokoi dje akset kryesore rrugore në një akt proteste kundër qeverisë, duke kërkuar ndryshime thelbësore dhe llogaridhënie për çështjet e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të burimeve publike. 6 akse të rëndësishme që lidhen dhe ndërlidhin gjithë Shqipërinë u bllokuan për tre orë duke paralizuar gjithë vendin.

Protesta masive e organizuar nga Partia Demokratike të hënën shënoi një nga tubimet më të mëdha të opozitës në muajt e fundit, duke mbajtur bllokuar akset rrugore në pika të ndryshme strategjike nga ora 17:00 deri në 20:00. Nën thirrjet për një qeveri teknike dhe për lirimin e deputetit Ervin Salianji, mbështetësit e PD-së bllokuan qarkullimin në Kthesën e Kamzës, Shkozeti, Bradasheshin, Levanin, Rrogozhinën dhe kryqëzimin e Milotit. Ky aksion shënon një hap të ri në fushatën e mosbindjes civile, të ndërmarrë për të shprehur pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë dhe për të protestuar për gjendjen ekonomike dhe politike të vendit.

Bradashesh

Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Ivi Kaso deklaroi se opozita ishte e vendosur për të përfunduar në mënyrë qytetare këtë bllokadë. Ai theksoi se për këtë aksion janë lajmëruar qytetarët, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre. Kaso tha: “Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të gjithë opozitarët që janë të vendosur për të përfunduar në mënyrë qytetare këtë bllokadë. Shpresoj që deri në përfundim të kësaj proteste, jo më para se ora 20:00, të mos shënohen përplasje.” Edhe pse policia ndërhyri për t’u kujtuar protestuesve se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale, organizatorët e protestës u treguan të vendosur për ta çuar deri në fund.

Levan

Në Levan, prania e shtuar e forcave të policisë u ndie si një masë parandaluese për të shmangur përplasjet, ndërsa deputetë të PD-së, si Tritan Shehu, deklaruan se protestuesit janë të qetë, por të vendosur për të protestuar. “Qytetarët janë të qetë, por të vendosur për të protestuar. Qytetarët po protestojnë me dinjitet,” tha Shehu, duke e quajtur protestën një reagim të qytetarëve ndaj regjimit aktual dhe padrejtësive që ata ndjejnë. Ky bllokim, i cili përfshinte një prani të lartë të forcave policore, u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe policisë, pasi uniformat blu bënë të qartë se do të nisnin procedurat penale kundër organizatorëve dhe qytetarëve pjesëmarrës. Sipas Kasos, megjithatë, opozita kërkoi që Policia e Shtetit të tregonte të njëjtin zell edhe në situata të tjera ku kryeministri ka vendosur të bllokojë rrugët për ngjarje private. Ai theksoi: “Do të donim që Policia e Shtetit të tregonte të njëjtin zell sa herë që kryeministri për çdo aheng vendos të bllokojë qarkullimin normal.”

Kthesa e Kamzës

Në Tiranë, kthesa e Kamzës ishte gjithashtu një pikë e rëndësishme e protestës, ku protestuesit bllokuan qarkullimin duke brohoritur “Rama ik!” Deputeti Klevis Balliu theksoi se mosbindja civile do të vijojë deri në arritjen e një qeverie teknike, duke e quajtur këtë si të vetmen rrugë për të ndaluar “kapitullimin e shtetit ligjor dhe arrestimin e fjalës së lirë”. Balliu shtoi: “Është koha për t’u bllokuar pushteti. PD e opozita vijon betejën e saj me mosbindjen civile, duke bllokuar akset kryesore.”. Demokrati Flamur Noka shprehet se ky është akti i dytë i mosbindjes civile, ndërsa thekson se opozita do të vazhdojë me akte të tjera. “Është në kauzë për një Shqipëri demokratike. Është një kauzë që përmban thelbin e një pluralizmin, thelbin si duhet të jetë një qeveri, një shtet. Balancave e pushteteve duhet të respektuar. Ky është akti i dytë i mosbindjes civile. Ne do vazhdojmë. Nuk jemi për të shtrirë dorën dhe për të kërkuar lëmoshë.  Do të vazhdojmë me akte të tjera.”, u shpreh Noka.

Lexo edhe :  Gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung”: Edi Rama, pikturë dhe pushtet!

Shkozet

Protesta përfshiu edhe Shkozetin, ku mbikalimi i kësaj zone u bllokua në të dy krahët e autostradës Tiranë-Durrës. Deputetë të PD-së, përfshirë Edi Palokën, u panë që në minutat e para të protestës, duke deklaruar se kjo është pjesë e një beteje më të gjerë për mosbindje civile dhe për ndryshimin e situatës politike dhe ekonomike në vend.

Rrogozhinë

Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës forcat e policisë kishin vendosur furgonë dhe ishin të përgatitur për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e tubimit. Partia Demokratike njoftoi se protesta do të vijojë në formën e mosbindjes civile, duke bllokuar akset kryesore deri në arritjen e një qeverie teknike, që sipas tyre do të jetë në gjendje të adresojë problemet e vendit dhe të sigurojë një drejtësi të pavarur.

Milot

Gjithashtu, në kryqëzimin e Milotit, u shfaqën skena të protestuesve të ulur në mes të autostradës, duke paralizuar krahun nga Lezha drejt Tiranës. Kjo pikë përfshiu protestues të ardhur nga qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit, ndërkohë që pritej që qytetarët nga Kurbini dhe Tropoja të bllokonin edhe anën tjetër të rrugës, nga Tirana drejt Shkodrës dhe Lezhës. Një qytetar nga zona e Tales në Lezhë shpjegoi se ishte në protestë për të drejtat e tij bazike dhe për padrejtësitë që, sipas tij, po i bëhen popullit shqiptar. Në një moment tjetër të protestës, deputetja e qarkut të Shkodrës, Greta Bardeli, u kërkoi gazetarëve që të pyesnin qytetarët për arsyen e daljes në rrugë, duke e konsideruar protestën një shprehje të revoltës së popullit kundër qeverisë Rama. “Është një protestë kundër çdo padrejtësie që po i bëhet jo vetëm zonës së Veriut por gjithë Shqipërisë. Shikoni numrin e lartë të emigracionit, mbylljen e shkollave dhe të shumë bizneseve në qarkun e Shkodrës,” tha Bardeli, duke iu referuar problemeve ekonomike dhe demografike që, sipas saj, po tronditin vendin. Në këtë protestë të pazakontë, e cila përfshiu një bllokim të të gjithë rrjetit kryesor rrugor të vendit nga veriu në jug, opozita demonstroi një organizim të fortë dhe përkushtim ndaj aksionit të saj politik. Deputetët Edi Paloka dhe të tjerë nga Partia Demokratike ishin prezentë që në minutat e para të protestës, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të mosbindjes civile dhe të vendosmërisë për ndryshim politik në vend. Slogani “Rama ik!” brohoritej nga turma, ndërsa policia ndodhej në terren për të monitoruar situatën. Deputeti Klevis Balliu deklaroi se opozita do të vazhdojë me mosbindjen civile deri në arritjen e qëllimit të saj për të krijuar një qeveri teknike. Balliu shpjegoi se qytetarët po përjetojnë një demokraci të bllokuar dhe një ekonomi të shkatërruar dhe se, sipas tij, vetëm përmes mosbindjes civile mund të arrihet ndryshimi i shumëpritur. Përveç kësaj, Balliu kritikoi policinë për paralajmërimet e saj të ashpra lidhur me bllokimin e rrugëve dhe i bëri thirrje që të përqendrohet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit brenda qeverisë. “Policia të kujdeset se cilët mafiozë po flenë te deputetët e mazhorancës siç është rasti i Çyrbes,” tha Balliu, duke theksuar se protestat kushtetuese nuk kanë nevojë për leje por për një njoftim të thjeshtë. Ai gjithashtu kërkoi që SPAK të veprojë me po të njëjtin zell në hetimin e krimeve të pretenduara nga opozita, duke përmendur se kjo prokurori ka një rol të rëndësishëm në zbardhjen e skandaleve të qeverisë.

Të fundit

Berat, motori përplas biçikletën, dërgohen në spital drejtuesit

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në hyrje të qytetit të Beratit, në lagjen Barrikadë,...

Salianji akuzon: Vuajta dënimin prej dëshmisë së rreme të shokut të Ramës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar këtë mbrëmje në emisionin "Çim Peka LIVE" se ka vuajtur një dënim prej nëntë muajsh në...

Conference League, Partizani del me barazim nga Estonia

Partizani ka barazuar 1-1 ndaj Nomme Kalju, në Talin të Estonisë, në sfidën e parë të turit të parë të Conference League. Vendasit e nisën...

‘Guximi’ i tepruar i Vangjel Dules për të ‘shqetësuar’ Berishën

YLLI PATA - Dy ditë pasi Ervin Saljanji dha atë deklaratën e “fortë” që duhet të kthejmë sytë nga vetja, një tjetër emër i...

Juventusi piketon yllin e Dortmundit, kostoja 45 mln euro

Karim Adeyemi rikthehet në qendër të vëmendjes. Sulmuesi i Borussia Dortmund ka oferta në Serie A dhe gjërat duken serioze. 23-vjeçari konsiderohet një nga lojtarët...

Lajme të tjera

Web TV