Zëvendëskryeministri, Erion Braçe ka folur sot për situatën e sektorit të nxjerrjes së mineraleve, naftës e turizmit dhe për goditjen që iu dha koronavirusi.
Në një lidhje skype për “Report Tv” Braçe tha se nafta në Shqipëri ka çmimin më të ulët në krahasim me bursat ndërkombëtare, ndërsa për turizmin u shpreh se mund të ketë një sezon turistik brenda kushteve dhe rregullave higjieno-sanitare nëse ato do të respektohen dhe qytetarët do të tregohen të përgjegjshëm.
“Ne kemi një sektor nafte të rënë që ka një çmim edhe më të ulët se ai i bursave ndërkombëtare. Sektorit i mineraleve të kromit dhe naftës ka marrë një goditje mjaft të fortë. Po mundohemi shumë të rikuperojmë diçka nga sektori i turizmit, do të duhet një hapje mjaft e kujdesshme dhe ky sektor është i goditur. I vetmi sektor që mban ekonominë shqiptare është bujqësia, ai sektor po mbahet me paratë e vetë bujqve. Një investim i madh i qeverisë për të garantuar vaditjen dhe kullimin po jep efekte maksimale por kaq nuk mjafton. Bujqësia po mban ekonominë dhe po eksporton duke mbajtur tregjet ndërkombëtare. Duhet ristrukturuar ekonomia dhe mënyra se si ajo duhet të funksionojë. Brenda kushteve dhe rregullave dhe higjienës nëse do të tregohemi të përgjegjshëm mund të kemi një sezon turistik”, tha Braçe./Fjala.al/